Sali Berisha ka renditur një seri markash të shtrenjta për të përshkruar luksin ku jetojnë ministret dhe deputetet e Edi Ramës. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha mori si shembull Korenë e Jugut ku protestat morën shkas nga një çantë e zonjës së parë, por nëse sheh në parlament zonjat e mazhorancës vijnë me bizhu nga 200 deri në 500 mijë euro.
“Një vend partner, një vend demokratik, një vend me një shkallë zhvillimi nga më të lartat, të jemi realistë, Koreja e Jugut, të mos harrojnë qytetarët shqiptarë se desh mori flakë për një çantë. Për një çantë Christian Dior të Zonjës së Parë.
Të cilën, për hir të së vërtetës e kishin denoncuar disa kohë më parë. Nuk jam në gjendje t’u them hollësira se mund të ketë edhe faktorë të tjerë, porpresidenti tërhoqi ligjin e luftës që e shpalli pas 50 vitesh.
Dhe këta që u zemëruan, ishte fjala për çantë, një çantë Christian Dior, por e vërteta është që çantat Christian Dior nuk janë më të kushtueshme. U them shqiptarëve unë, se çantat që hyjnë dhe dalin në parlament nga qeveritaret, Hermes, Birkin, Bottega Venetto, Louis Vuitton, vetëm shihni… I ftoj mediat t’ua fotografojnë çantat ministreve… se ato nuk duken. Ato kushtojnë, u jap fjalën ju, nga 200 gjer në 500 mijë euro.
Që i thotë Ulsiu banditit, e dua edhe një çantë Louis Vuitton, pastaj vjen e ndan me Altin Dumanin.
Po, po, janë të vërteta këto. E thekson, Louis Vuitton e don, kurse ai i thotë për kë e don, e kuptoni vetë ju….
Pra, kjo është për qytetarët tanë. Koreanët kanë një nga standardet më të larta në botë dhe e vërteta është se pas problemeve që kanë pasur në vitet e pasluftës, janë një demokraci, kanë arritur në mënyrë evolutive të vendosen si një demokraci. Dhe për çantën Christian Dior të Zonjës së Parë u krijua ajo që nuk kishte ndodhur kurrë.
Po të jetë për çantën, ju garantoj se çantat e ministreve, për të mos thënë pastaj ca drejtoreshave, janë të paktën 3 herë më të kushtueshme se çanta e Zonjës së Parë të Koresë së Jugut. Prandaj duhet të fotografohen sa më shumë të gjitha objektet, se unë e kam theksuar se aty hyn si një sallon mode dhe jo si në parlament çka unë e ndjej veten jo mirë. Por dhe ju gazetarëve ju ftoj në emër të interesit publik të fotografoni sa më shumë çantat e tyre” u shpreh Berisha.
Edhe një ditë më parë, pasi doli nga parlamenti Berisha tha se nuk mund të qëndronte më shumë për shkak të “gërshetimit të aromave të parfumeve më të kushtueshme” në parlament.




