Nga Armand Shkullaku
Kryeministri- artist shpalli sot përpara shqiptarëve dilemën e tij të madhe nëse duhet të vendosen filtra sigurie për rrjetet sociale apo duhet marrë një vendim drastik, siç tha ai, për mbylljen e plotë të tyre. Tronditja shoqërore që shkaktoi vrasja e një 14 vjeçari nga një bashkëmoshatar i tij, pranë një shkolle në mes të Tiranës, e detyroi Edi Ramën të dilte vetë sot personalisht përpara kamerave, pas mbledhjes së qeverisë. Dhe, në pamundësi që për këtë rast të deklaronte se fajin e ka Saliu dhe opozita, shpalli pretencën për Tik Tokun dhe Snapchat-in.
Sigurisht që ngjarje të tilla tragjike nuk bëjnë automatikisht me faj qeverinë, ato mund të ndodhin kudo në botë. Përgjegjësia e atyre që janë zgjedhur për të drejtuar, konsiston në sistemin edukativ që ndërtojnë dhe masat efikase që premtojnë të marrin për të rritur sigurinë. Por të dalësh para qytetarëve dhe këto përgjëgjësi t’ia kalosh Tik Tokut, duke lënë të kuptohet se qeveria ka bërë gjithçka dhe mbyllja e plotë e disa rrjeteve sociale do e zgjidhë problemin e dhunës në shkolla, është skuthëri politike dhe pandjeshmëri ndaj një tragjedie.
Edi Rama nuk ka zbuluar ujin e nxehtë duke thënë se disa platforma online nxisin dhunën. Por ai nuk është kryeministër për të përsëritur analizat e sociologëve e psikologëve. Ai në radhë të parë duhet të analizojë se çfarë modeli i ka ofruar shoqërisë në 12 vite qeverisje, si edukativ ashtu edhe social.
A ka përgjegjësi Tik Toku për nivelin e degraduar arsimor e edukativ këto 10 vitet e fundit? Për mashtrimin e 2013-ës se buxheti i arsimit do të shkonte në 5 përqind të GDP me ardhjen e Rilindjes në pushtet? Po për kullëzimin e terreneve sportive, kinemave, qëndrave kulturore e rekreative? Shqipëria ka njohur një rënie të lirë si në cilësinë e arsimimit ashtu edhe në krijimin e mjedisit të shëndetshëm e të sigurtë për edukimin e brezit të ri. E këtu futet edhe siguria në shkolla, ku çdo ditë raportohet për akte dhune, shitje e përdorim narkotikësh e deri tek mbajtja e armëve. Mbyllja e Tik Tokut vështirë të jetë zgjidhja për këto fenomene, pavarësisht idesë gjeniale të Edi Ramës.





