Kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin e radhës në Milano me emigrantët e atjeshëm. Ashtu si në Athinë, Piranjat dhe gazetari Eraldo Harlicaj shoqëruan eventin emocionues në periferi të Milanos.Rama kishte ardhur së bashku me shpurën e tij të fortë politike, duke filluar nga ministra, deputetë dhe kryetarë bashkie. Veçantia e këtij takimi ishte Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës që mungoi në Greqi.
Piranjat tregojnë atmosferën para dhe pas mitingut, ndërsa arrijnë të bisedojnë dhe me disa persona që kishin ardhur nga Kamza. Inspektori i INUK-ut, Urim Cejku ishte i pranishëm.
‘Kemi ardhur nga Kroacia. Kemi kaluar nga rruga tokësore. Kemi bërë rreth 140 euro shpenzime nafte’, na thotë bashkëshoqëruesi i tij ndër të tjera. ‘Benet Beci dhe Rakip Suli janë më të mirët, ndërsa Erion Veliaj është hajdut’.
Sigurisht, ne nuk mbajmë përgjegjësi për deklaratat e tij. Atmosfera nxehet së tepërmi, pavarësisht merakut të Endri Fugës për mbarëvajtjen e takimit.
Kryeministri Rama nis fjalimin dhe ndërpritet nga disa të rinj që kërkojnë votën e diasporës. Ata grushtohen nga militantët dhe dalin jashtë me shkelma dhe grushte.
Në këtë moment, gazetari Eraldo Harlicaj del hapur si Piranja dhe interviston kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreun dhe kryetaren e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Carën. Të dy dukshëm të acaruar.
Nuk mund të mungonte dhe pyetja për kryetarin e Tiranës, Erion Veliaj, në lidhje me hetimin pasuror që ka nisur SPAK ndaj tij. Sigurisht, kryebashkiaku u shmang pa përgjigje.
Për t’i vendosur vulën e suksesit mitingut mendoi kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, që në përplasje me piranjat iu drejtua me fjalët aspak të hijshme: ‘Ik ore legen!’.
Harlicaj iu kthye me një pyetje se kush duhet të ndihet me legen, gazetarët që bëjnë detyrën e tyre, apo administrate që është e detyruar të marrë pjesë në këto takime. Më pas, Suli bëri disa veprime të pakontrolluara. /SyriTv
EMISIONI “PIRANJA”




