Metamorfoza, prokurori francez, sky – encrot shqiptare

Nga Basir Çollaku/

Nëse dosjet e ardhura në SPAK dhe të tjera të bëra gati në Francë, ekipi franko-belgo-holandez, hetohen me paanshmëri, intensitet, pa dekonspirim, pa qoka politike, financiare, pa u ndikuar nga trysnia mafioze, atëherë në Tiranë ndodh ajo çka ka pohuar në një moment pune prokurori francez, drejtuesi, jo fort me shaka, referuar pafundësisë së përgjimeve, se.. “kur të marrë fund kjo batërdi e Sky-Encro, do të shkoj në Tiranë dhe më duket se do të fik dritat në shumë institucione…aty ka ngjarje të cilat e bëjnë Netflix të duket komedi…”Arkiva e qindra milionë mesazheve të kriptuara të telefonave BQ, të aplikacioneve sky-encro, matrix, nga viti 2015 në mars 2021 ka prodhuar mijëra të pandehur në të dy botët në Evropë, lidhur bashkë, asaj të krimit dhe asaj të pushtetit. Në shumë vende si Belgjikë, Francë, Gjermani e Itali, proceset nëpër gjykata kanë një ritëm dukshëm të lartë me numër të madh të pandehurish. Ekstradimet nga Dubai, aty nuk mungojnë. Dosja më e re, gatuar nga lënda e vjelë nga aplikacionet e mësipërme, është ajo e procesit të nisur me 8 prill në gjykatë në Bruksel me 128 të pandehur, afro 40 shqiptarë. Gjyq ku avokatja Maitre Nathalie Gallant, mbrojtëse e vlonjatit biznesmen, Erridan Munoz Guerreron, me 31 mars në një deklarim mediatik shigjetoi pastrimin e miliarda eurove të kokainës në Shqipëri, në industrinë e ndërtimit. Ka politikanë shqiptarë në këtë histori tha ajo, duke iu referuar materialeve të dosjes e duke cituar se “..jemi larg kullave 3 miliardë euro në Tiranë..” Me 9 prill 2024, ministrja e brendshme gjermane, Nancy Faeser, në konferencën për kriminalitetin në Gjermani në vitin 2023, pyetjes për trafikun e kokainës, iu përgjigj se, “sasia më e madhe e kësaj droge vjen nga trafikantët shqiptarë”. Tallavaja e ministrit të Brendshëm Taulant Balla me formularët e vetëdeklarimit për Organizatën e Policisë së Shtetit, nëse kishte përdorues të aplikacioneve përfundoi me rezultat zero, ndryshe nga sa Prokuroria e Posaçme zyrtarizon emra në shumë e shumë dosje.Kjo përkon edhe me deklaratën e Altin Dumanit me 28 dhjetor 2023, kur ndër të tjera pohonte se “.. në çdo hetim, na dalin një ose më shumë police, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rastin tashmë të bërë publik, Xhevahir Lita”. Duke e përforcuar qëndrimin në raportin vjetor të prezantuar, po nga zoti Dumani me 4 prill 2024, kur theksoi se “Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë, sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele të larta”. Duke pohuar sipas raportit të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme se vërehet bashkëpunim i grupeve kriminale me oficerët e Policisë së Shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme, duke filluar që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtarë të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënie informacioni për individë të ndryshëm dhe aktivitete të tjera në pengimin e drejtësisë. Më shumë se lajm i fortë, këtu duhet të ishin emrat e përfshirë, të cilët nuk duhet aspak të gjendeshin dhe të vazhdojnë të jenë në zyra eprorësh në Policinë e Shtetit, siç vazhdojnë të jenë sot, por të ishin pandehur dhe të përballur me drejtësinë. Ashtu si me 6 prill 2024, një ndër oficerët drejtues në polici, me një karrierë e profesionalizëm të spikatur, Besnik Bakiu, në një shkrim të tijin, ndër të tjera theksonte refrenin e duhur, “vëri emër krimit zoti Dumani”, duke kërkuar mospërfshirjen e trupës në përgjegjësitë penale të individëve të caktuar, qofshin këta edhe në nivele drejtuese. Qëndrimi në kapërcim të përcaktimeve ligjore, po nga Dumani, se Gjykatat vendosin afërmendsh se çfarë duam ne, u rikorigjua pas pak nga institucioni i akuzës, drejtuar prej tij, duke u justifikuar mes tekstit e kontekstit.

Share it :