37% besojnë se SPAK është i pavarur/ A po lëkundet besimi te drejtësia e re?

37% besojnë se SPAK është i pavarur/ A po lëkundet besimi te drejtësia e re?
Pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vetëm 37% e qytetarëve shqiptarë besojnë se SPAK – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – funksionon në mënyrë të pavarur. Ky sinjal vjen nga një sondazh i realizuar nga IDRA Research dhe Walnut Unlimited, që vë në pah një besimin e cunguar ndaj institucionit më të promovuar në vitet e fundit si garant i drejtësisë së re në Shqipëri.

Sipas të dhënave, 34% e qytetarëve nuk janë të sigurt nëse SPAK është i lirë nga ndikimet, ndërsa 29% e tjerë nuk e shohin fare si të pavarur. Kjo përplasje perceptimesh krijon një terren të brishtë për një institucion që duhet të veprojë si shtyllë e drejtësisë dhe besimit qytetar.

Megjithëse 62% e konsiderojnë efektiv në ndëshkimin e korrupsionit, dyshimet për ndikimet e jashtme dhe mungesën e transparencës po errësojnë perceptimin publik për integritetin e tij.

“46% e qytetarëve shqiptarë besojnë se SPAK vepron në mënyrë të paanshme në luftën kundër korrupsionit” thuhet nw raport.
Qytetarët kërkojnë më shumë: 1) SPAK të zgjidhë më shpejt çështjet, 2) mbrojtje më të fortë për dëshmitarët, dhe 3 më shumë transparencë në hetime. Arrestimet e bujshme të zyrtarëve të lartë kanë rritur ndërgjegjësimin, por nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndërtuar një besim që të jetë shumicë.

Në zona si veriu i vendit, qytetarët madje shprehën zhgënjim kur panë që “kriminelë të rrezikshëm u liruan shpejt” pas arrestimeve të SPAK, çka solli rënie të gatishmërisë për të raportuar krimet. Frika nga pasojat dhe mungesa e anonimitetit shtojnë më tej mosbesimin. 51% e qytetarëve thanë se nuk raportojnë korrupsionin për shkak të frikës se nuk do të mbeten anonimë, ndërsa 63% kanë frikë për sigurinë e tyre dhe të familjes së tyre, nëse përfshihen në raportim.

Korrupsioni, ende një plagë e madhe në Shqipëri
Sondazhi i realizuar nga IDRA Research dhe Walnut Unlimited, me mbështetjen e Shërbimit Ndërkombëtar të Komunikimit të Qeverisë Britanike, ka hedhur dritë mbi përmasat alarmante të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, duke konfirmuar edhe një herë se kjo është një nga sfidat më të mëdha që përballet vendi. Sipas të dhënave, plot 91% e qytetarëve shqiptarë e konsiderojnë korrupsionin si një problem të madh në sistemin gjyqësor. Një shifër që përbën një aktakuzë të fortë ndaj funksionimit të institucioneve të drejtësisë në vend.

Forma më e përhapur e korrupsionit mbetet ryshfeti, i cili përjetohet gjerësisht në sistemin shëndetësor dhe në sektorët e tjerë publikë. 56% e të anketuarve pranojnë se ryshfeti është i zakonshëm për të marrë shërbime në spitale, ndërsa 41% kanë qenë dëshmitarë të dhënies së ryshfetit.

Në grupet e diskutimit të përfshira në studim, qytetarët kanë rrëfyer raste konkrete ku infermieret dhe mjekët kanë pranuar para në mënyrë informale për të siguruar kujdesin e duhur. “Kur lind, duhet të paguash infermieren që të marrësh kujdesin e duhur,” tha një pjesëmarrëse nga Fieri.

Një tjetër formë e përhapur e korrupsionit është nepotizmi, i cili është identifikuar si problem nga 83% e qytetarëve. “Nëse një drejtues institucional punëson familjarë që nuk kanë kualifikimet e duhura, në atë moment krijohet zinxhiri i korrupsionit,” deklaroi një qytetar nga Shkodra. Ky fenomen, i cili zhbën parimin e meritokracisë, përballet me tolerancë më të madhe nga qytetarët krahasuar me ryshfetin politik, i cili dënohet gjerësisht.

Korrupsioni, përveçse shkatërron besimin e qytetarëve tek shteti, ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. 56% thonë se ai ndikon negativisht në jetën e përditshme, 73% e konsiderojnë si pengesë për kujdesin shëndetësor cilësor, ndërsa 57% mendojnë se ai pengon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një në dy qytetarë beson se korrupsioni është një arsye që i shtyn shqiptarët të largohen nga vendi.

Në përfundim, mesazhi i këtij sondazhi është i qartë: korrupsioni vazhdon të jetë një plagë e hapur për Shqipërinë. Edhe pse ka shenja pozitive si rritja e ndërgjegjësimit dhe shpresa tek SPAK, nevojiten masa më të forta, mbrojtje për sinjalizuesit dhe reforma të thella për të mpakur fenomenin që ka rrënjë të thella në strukturat shtetërore dhe shoqërore.

Lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet vetëm me arrestime, por kërkon një ndryshim kulturor dhe politik, që përfshin gjithë shoqërinë./Lapsi.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news