Ilirjan Gjika
Duke mos ditur saktësisht nga historia ditën e tij të lindjes, Skënderbeu përkujtohet vetëm ditën e përvjetorit të vdekjes. Kështu, çdo 17 janar ai nderohet në memorialin e tij në Lezhë si dhe në një sërë aktivitetesh kulturore, të cilat kanë vetëm karakter honorifik, pasi ai është për të gjithë shqiptarët një mit, një simbol dhe një realitet i përditshëm
“Historia botërore mund të kishte marrë një rrugë tjetër, po qe se në vend të perandorëve të zhburrëruar bizantinë, do të kishin qëndruar Skënderbeu dhe shqiptarët” (Volter)
Vendi ynë Shqipëria ka vetëm një Hero Kombëtar të shpallur qysh në vitin 1965. Ai është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, figura e të cilit përfaqëson jo vetëm unitetin kombëtar të shqiptarëve, por edhe trashëgiminë që rrjedh prej tij si: flamurin, një sërë kalash, objektesh, këngësh, tregimesh dhe legjendash popullore. Por figura e tij është edhe ajo e një personi real historik, për të cilin dëshmojnë edhe me dhjetëra dokumente të ruajtura në arkiva, biblioteka dhe muzeume të ndryshme, të cilat dëshmojnë aktivitetin e tij jetësor, ushtarak dhe politik.
Ndërkohë, Skënderbeu sot mbetet emblematik për të gjithë ne, duke u vërtitur midis mitit dhe realitetit. Kjo gjë ka ardhur për shumë arsye jetësore, të cilat janë të prekshme dhe konkrete në shoqërinë ku ne jetojmë çdo ditë .
Që për ne, shqiptarët, Skënderbeu është dhe mbetet një mit kjo është më se e vërtetë dhe ka edhe shpjegimin e saj të natyrshëm. Çdokush prej nesh e ka atë “të ngjizur” në ndërgjegjen dhe psikologjinë e vet, që nga koha e fëmijërisë së hershme. Kanë qenë së pari prindërit dhe më pas mësuesit tanë që nëpërmjet librave shkollorë apo ata artistikë, na e kanë “injektuar” e përcjellë këtë gjë. Dhe me të drejtë, sepse himnizimi i figurës së tij ka nisur në Shqipëri qysh gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare diku në mesin e shekullit XIX. Ishin pikërisht pionierët e kësaj lëvizjeje të cilët e shndërruan Gjergj Kastriotin në figurë qendrore të saj, me qëllim që të ringjallnin shpirtin heroik të shqiptarit dhe atdhedashurinë, duke evokuar kështu të kaluarën e lavdishme dhe atmosferën e shekullit XV, kohë kur jetoi dhe luftoi heroi.
Në këtë proces do të përfshiheshin pothuaj të gjithë ideologët e Rilindjes, por ne do të specifikonim poetin kombëtar, Naim Frashërin, i cili do të himnizonte figurën e Skënderbeut, duke e quajtur me anë të epiteteve artistike si “Fatos” apo “Pëllumb i Shkruar”. Tek “Historia e Skënderbeut”, poeti e paraqet atë me tiparet e heroi legjendar duke e idealizuar figurën e tij1.
Po kështu më vonë, gjatë shekullit XX, nuk do të mungojnë veprat letrare që ndikuan në mitizimin e mëtejshëm të figurës së tij. Këtu duhet të përmendim me dhjetëra vepra të letërsisë për fëmijë, por edhe romanet “Kështjella” të Ismail Kadaresë2 apo “Skënderbeu” të Sabri Godos3.
Por ato që ndikuan më shumë në krijimin e mitit të figurës së Gjergj Kastriotit, natyrisht që kanë qenë dhe mbeten tregimet dhe legjendat popullore, të cilat vijojnë edhe sot t’u serviren të vegjëlve dhe fëmijëve qysh në bangat e shkollave. Lë të fokusohemi konkretisht tek njëra prej tyre, të cilën e gjejmë tek libri “Gjuha shqipe”, i cili zhvillohet në klasën e tetë, të shkollave tona 9-vjeçare. E mbledhur në fshatin Rrajcë të Librazhdit, ja se ç’thotë ajo.
“Skënderbeu kishte një fuqi të vogël në Rrajcë. Turqit me një fuqi (forca) të madhe po i vinin nga lindja. Skënderbeu donte t’u dilte në ballë, por i kishte prerë rrugën një shkëmb.
Ç’bëri ai? Nxori shpatën dhe i ra shkëmbit fap e fap dhe e ndau në dy. Pastaj u ra turqve dhe i shkatërroi krejt. Shkëmbi duket se është prerë sot dhe quhet Shkëmbi i Skënderbeut”4.
Ndërkohë, janë edhe qindra këngë popullore që vijojnë edhe sot të këndohen nga populli si pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore.
Gjithsesi, duhet theksuar se në Shqipërinë moderne figura e Skënderbeut është dhe mbetet një nga faktet më të rëndësishme të vetë ekzistencës së kombit. Për këtë mjafton një vështrim i thjeshtë dhe tangencial i figurës së tij dhe menjëherë vëren se ajo i kalon përmasat e një miti. Kështu, përkrenaren e stilizuar të Skënderbeut e gjen tek simbolet e shtetit shqiptar. Po ashtu, edhe flamuri ynë kombëtar është ai që trashëgojmë po prej Skënderbeut. Shtatoret dhe bustet e tij i ndesh sot kudo në sheshet dhe qytetet kryesore të Shqipërisë. Duhet theksuar se emrin dhe mbiemrin e tij e mbajnë klube sportive apo edhe marka më e njohur e konjakut shqiptar quhet “Skënderbeu”. Figurën e heroit e ndeshim edhe tek prerja më e madhe e kartëmonedhave që ka emetuar Banka e Shqipërisë, prerja 5000-lekëshe. Ndërkohë, së fundmi na vjen nëpërmjet një fotolajmi edhe fakti se për nder të lojtarëve shqiptarë që luajnë me skuadrën bavareze, Bajerni i Mynihut, klubi i njohur gjerman i futbollit, vendosi së fundmi në stendat e muzeut të tij edhe bustin në miniaturë të heroit tonë5.
Të gjitha këto ndikime vijnë, sepse ai është mbi të gjitha një realitet historik, të cilin e dëshmojnë edhe tekstet dhe botimet e ndryshme. Ato na tregojnë një veprimtari të gjerë të këtij “gjeniu” si ushtarak, shtetar, politikan, diplomat apo ligjvënës. Në këtë këndvështrim Gjergj Kastrioti ishte një nga ushtarakët më ta njohur të armatës osmane në kohën kur jetoi. Ai e nisi karrierën në ushtrinë e rregullt turke. Me një të kaluar të lavdishme në këtë trupë, befas ai u shndërrua pas 21 vjetësh karriere, në një prej kundërshtarëve, që për 23 vjet sfidoi armatën ku u formua si i tillë. Janë 25 beteja ushtarake midis tij dhe ushtrisë osmane ku ai doli fitimtar. Mund të përmendim këtu edhe tri rrethimet e Krujës, ku dështuan me radhë dy nga sulltanët më të njohur, si Murati II dhe i biri Mehmeti II, Pushtuesi i Kostandinopojës6.
Gjithashtu, Skënderbeu ishte edhe një figurë e shquar politike, i cili u bë themeluesi i aleancës së Lidhjes së Lezhës dhe i shtetit shqiptar.
Në vitet 1444-1451, ai themeloi dhe drejtoi aleancën e princave shqiptarë të njohur nga historia si Lidhja e Lezhës. Në krye të saj ai përballoi sulmet osmane dhe u ndesh edhe me Venedikun. Ndërsa në vitin 1451, pas martesës me Donika Arianitin, ai themeloi shtetin e përqendruar shqiptar. Gjatë qeverisjes së tij vitet 1451-1468, Skënderbeu, si kryetar i këtij shteti, ngriti strukturat dhe mekanizmat e tij si: Kuvendin e Princave, Këshillin e Lartë, Komandën e Ushtrisë, Organet e Financave, Organet e Punëve të Jashtme, Kancelarinë, si dhe e pajisi atë me flamurin, stemën dhe vulën zyrtare7 etj.
Gjatë gjithë qeverisjes së Skënderbeut (1444-1468), u krijuan institucionet shtetërore autoktone dhe të qëndrueshme dhe u krijua ushtria e parë kombëtare8. Po kështu, edhe në fushën legjislative Skënderbeu u shqua si ligjvënës dhe kodifikues i të drejtës zakonore, siç ishte Kanuni i Skënderbeut, i cili veproi për një kohë të gjatë deri në shekullin XX, në zonat e Matit, Krujës dhe Dibrës, troje që dikur i përkitnin principatës së Kastriotëve9.
Skënderbeu ishte edhe diplomat i shquar, politika e të cilit ishte e orientuar kah Perëndimi. Lufta 25-vjeçare shqiptaro-osmane bënë që ai të zhvillonte një veprimtari të gjerë diplomatike me disa nga shtetet kryesore perëndimore, si me Venedikun, Napolin, Papatin, Raguzën, Milanon, Hungarinë etj.
Por Skënderbeu u shqua edhe si ndërtues. Përveç meremetimit të kalave të shumta ekzistuese për nevojat e ngutshme të luftës, ai ndërtoi edhe Kalanë e Rodonit. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë, punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit, kontrata e të cilëve me të është edhe sot objekt studimi për shumë fusha10.
Si një figurë e gjithanshme, Skënderbeu edhe sot është në fokusin e vlerësimit nga një sërë shkencash filologjike, nga letërsia, artet apo kinematografia. Emri dhe figura e tij u bënë jo në pak raste edhe “arenë” përpjekjesh për ta tjetërsuar edhe në aspektin etnik. Po kështu, edhe brenda Shqipërisë sonë të vogël kemi teza dhe përplasje autorësh apo grupesh që vazhdojnë akoma edhe sot përplasjet dhe debatet shkencore për origjinën e tij krahinore. Ndërkohë, gjatë Rilindjes, emri dhe fama e tij shërbyen si mjeti kryesor për formimin e ndërgjegjes sonë kombëtare. Evokimi të kaluarës së tij të lavdishme u bë gjatë luftërave për liri dhe solli nxitjen dhe frymëzimin popullor që çoi në fitoren e Pavarësisë Kombëtare.
Figura e tij është bërë prej kohësh objekt i aktivitetit krijues të shumë artistëve shqiptarë dhe të huaj, duke nisur që nga Xhentile Benini, Lavardini, Antonio Vivaldi, Henri Longfellou, Vivaldi apo Barleti, Kadare, Xega, Odhise Paskali, Janaq Paço e Naxhi Bakalli, të cilët e kanë bërë atë subjekt të veprave të tyre. Skulptura të tij të tipit ekuestër i gjen në Tiranë, Krujë, Prishtinë, Shkup apo Romë, ndërsa buste dhe shtatore të tij i kemi në qytetet më të njohura të botës si në Detroit, Londër, Bruksel, Vjenë, Budapest, Gjenevë etj.
Gjithsesi, duke mos ditur saktësisht nga historia ditën e tij të lindjes, Skënderbeu përkujtohet vetëm ditën e përvjetorit të vdekjes. Kështu, çdo 17 janar ai nderohet në memorialin e tij në Lezhë si dhe në një sërë aktivitetesh kulturore, të cilat kanë vetëm karakter honorifik, pasi ai është për të gjithë shqiptarët një mit, një simbol dhe një realitet i përditshëm.
Literatura
1 Naim Frashëri, Vepra IV, Toena, Tiranë, 2007.
2 Ismail Kadare, Kështjella, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1970.
3 Sabri Godo, Skënderbeu, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1975.
4 Grup autorësh, Gjuha shqipe, botimet shkollore “Albas”, 2007, f. 20.
5-Gazeta Panorama sport, Tiranë, dt. 7 janar 2014.
6 Selim Islami, Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, Vëllimi I, Instituti i Historisë, Tiranë, 1959, f. 308-310.
7 Grup autorësh, Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Luarasi, Tiranë, 2005, f. 145-155.
8 Afrim Krasniqi, Sistemet politike në Shqipëri (1912-2008), shtëpia botuese UFO Press, Tiranë, 2009, f. 2.
9 Grup autorësh, Historia e Shtetit dhe së drejtës… f. 157-168.
10 Po aty, f. 178.
Një libër i vjetër suedisht për Skënderbeun
Në vitin 1788 u botua një ndër librat e parë në gjuhën suedeze për heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
Libri mban titullin: “Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg – Historia” (Kastrioti i Madh i Shqipërisë i quajtur Skanderbeg – Historia).
Lajmin për ekzistimin e këtij libri të rrallë në gjuhën suedeze e publikoi këto ditë miku i madh i shqiptarëve, Ullmar Qvick, shkruan portali suedez në gjuhën shqipe, modersmal.skolverket.se.
Nominimet “Oscar”
Filmat “American Hustle” dhe “Gravity” nominohen për “Oscar”
Filmat “American Hustle” dhe “Gravity” kanë fituar nga dhjetë nominime për çmimin prestigjioz “Oscar”. Drama e regjisorit David O. Russell dhe epiku hapësinor i Alfonso Cuaron kanë pranuar nominime në kategorinë “Filmi më i mirë”, gjithashtu edhe për “Aktori më i mirë” dhe “Aktorja më e mirë”. Filmi “12 Years A Slave” përcjell dy të parat me nëntë nominime, përfshirë atë për “Filmi më i mirë”. Ylli i filmit “Gravity”, Sandra Bullock është nominuar në kategorinë “Aktorja më e mirë”, por do të ketë konkurrencë të fortë me Amy Adamsin e “American Hustle”, derisa Christian Bale ka fituar nominimin për “Aktorin më të mirë”.
Spielberg “rrëzon” nga froni i ndikimit Oprah-n
Regjisori i mirënjohur Steven Spielberg ka rrëzuar nga froni Oprah Winfrey-n, për të marrë epitetin e të famshmit me më së shumti ndikim në SHBA, sipas studimit të “Forbes”. Ndikimi i Spielberg fitoi një shtysë të madhe nga filmi i tij i fundit, Lincoln, i cili pati 12 nominime për “Oscar” vitin e kaluar dhe fitoi 275 milionë dollarë, transmeton KL njoftimin. “Forbes” shkruan se aftësia e regjisorit 67 vjeçar për të tërhequr të huajt në dramat e SHBA-së dhe prapaskenat e politikave të Uashingtonit i ndihmon atij të ketë ndikim mbi shikuesit. Rreth 45% e njerëzve që u anketuan e renditën Spielberg si një figurë me ndikim. Në vendin e dytë të kësaj liste qëndron Oprah Winfrey, ndërsa i treti është regjisori i “Star Wars”, George Lucas. Top-pesëshen e përmbyllin regjisorët Ron Howard dhe Martin Scorsese, ndërsa në këtë listë figuron edhe lideri i grupit U2 dhe aktivisti Bono.
Botimi
“E katërta” ose parodia e parabolës biblike
Në romanin “E katërta”, të autorit Balil Gjini, duket fare i qartë synimi shkrimor: nga një temë e zakonshme, të bëjë një letërsi jo të zakonshme, një letërsi ku e bukura nuk kërkohet përmes hapave në parcelat e heroikes dhe të veçantës, por përkundrazi, kërkohet me duar mu aty tek materiali gjuhësor, tek magjja ku mbruhet e gatuhet magjia e brumit letrar. Në qytetin e Goromës vijnë një tufë me korba, ulen mbi akrepat e kullës së sahatit. Ky element i gjetur artistik ka bërë që koha të ndalojë në vend dhe të përzihen së bashku doke të ndryshme, dukuri të reja me të vjetra, gjuhë dhe të folura arkaike me të folurit modern. Por fabula, me ç’duket është thjesht një pretekst, me qëllim që poshtë shkazave të steriotipeve të ngurtësuara saj të rrjedhë një çurgë ligjërimi e kthjellët, e cila aty dredhon, aty ndërpritet, aty fshihet për të dalë diku më tej. Gjithë materiali letrar është grumbulluar e stivosur në gjashtëmbëdhjetë kapituj, mbështetur tek simbolika e numrit katër, që është edhe simbolika e ciklit natyral të gjërave (pranvera, vera, vjeshta, dimri), cikël i ndjekur tek popujt e prapambetur kulturalisht. Toni i librit, si dhe i gjithë trilli letrar, është plot me topose kulturore, duke u nisur veçanërisht nga Bibla (parabola e saj për Gomorën dhe familjen e Lotit), të dhëna disi parodikisht, gjysmë të fshehura dhe nën shkumën e humorit.
“Toska” rivihet në Opera
Një nga operat dramatike më të diskutuara ringjitet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.Bëhet fjalë për operën “Toska” që thyen traditën e TOAB duke kaluar përmes Ministrisë së Kulturës për njoftim në media, ndërsa drejtori i ri, Ilir Kerni nuk ka treguar asnjë arsye të ringjitjes. Nata e parë e ringjitjes e pati më 14 janar dhe dy ditët e tjera priten në 21 dhe 24 janar. Opera mbështet në libretin e Giuseppe Giacosa & Luigi Illica (sipas dramës së Victorien Sardou) dhe në TOAB vihet nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, me dirigjent Edmond Dokon. Interpretojnë: Solistët, Kori, Orkestra Simfonike e TKOB, kori i Liceut Artistik “Jordan Misja” Rolet dhe interpretët: Floria Tosca Eva Golemi, Marjana Leka; Mario Cavaradossi- Armaldo Kllogjeri; Il Barone Scarpia – Ylber Gjini, Cesare Angelotti – Ogert Islami; Il Sagrestano – Sidrit Bejleri; Spoletta – Gilmond Myftari, Erlind Zeraliu; Sciarrone – Erlind Zeraliu.




