Studiuesi Afrim Krasniqi, në “Intervistë” me Merita Haklajn, shpjegoi pse Shqipëria ende nuk e ka përcaktuar datën e saktë të çlirimit të vendit.
Sipas tij, dokumentet janë të gjitha të disponueshme, por ka dy arsye pse nuk dilet me një datë.
“Në aspektin historik i gjen të gjitha dokumentet. Secila palë i ka dokumentet, varet se si i interpretojnë. Problemi është më i thellë: festat kanë një vlerë, bëhen për të bashkuar shoqëritë. Në momentin që neve kemi caktuar data festash që i ndajnë qytetarët, nuk është më festë. Është festë e palëve dhe merr konotacion politik”, u shpreh Krasniqi.
“Ka një arsye pse ka ndodhur kjo. Sot, elitat tona janë elitat e Revolucionit kinez të viteve ’60-’70, që kishin partinë të parën, pastaj ishte atdheu apo familja. Ky lloj mentaliteti e ka të pamundur që të përshtatet me realitete të reja. Dhe e dyta, është llogari elektorale. Në Shqipëri janë rreth 100 000 vota që janë të ndërvarura nga kujtimet e së kaluarës. Nuk është faji i historianëve. Historianët përdoren si alibi nga politika për të justifikuar aktet politike. Nuk e kanë ndarë Shqipërinë historianët, por politikanët”, shtoi studiuesi Afrim Krasniqi.
Sipas tij, “është e pamundur për të gjetur kompromis për një datë, përsa kohë që ne shohim që një deklaratë në lidhje me diktatorin kthehet në temë kryesore politike”.




