23-vjetori në Shkodër Basha: Rikthim i demokratëve në misionin e Shqipërisë europiane

Florenc Drizari

 

“Shekulli i lirisë, shekulli i ri i Shqipërisë dhe shqiptarëve filloi këtu në Shkodër, në qytetin tuaj, në qytetin tim, në qytetin e përjetshëm të qytetit të lirë”

 

Basha shkoderKrerët e Partisë Demokratike u ndalën dje në qytetin e Shkodrës për të kremtuar 23 vjetorin e themelimit të kësaj dege. Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, Lulzim Basha, vlerësoi kontributin e qytetarëve shkodranë në themelimin e degës së PD-së, duke falënderuar disa nga figurat kryesore që u përballën me sistemin komunist që në hapat e para të demokracisë në Shqipëri.

Kryetari i PD Lulzim Basha e ka cilësuar Shkodrën tempullin e demokratëve të çdo brezi, tempullin e PD-së, tempullin e tij si kryetar i kësaj partie. Me mirënjohje te thellë, Lulzim Basha u përul para veprës dhe kontributit të heronjve të 14 janarit Rin Monajka, Flamur Elbasani, para kontributit të themeluesve të PD-së të Shkodrës, si  Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Eduart Përjaku etj, të heronjve të pavdekshëm të demokracisë, Arben Broci, Bujar Leshanaku, Besnik Ceka e Nazmi Kryeziu. Zoti Basha ka theksuar se Shkodra do të jetë qyteti që do t’i prijë ribashkimit, ringritjes dhe hapjes së PD në të gjithë Shqipërinë.

Lulzim Basha

“Shekulli i lirisë, shekulli i ri i Shqipërisë dhe shqiptarëve filloi këtu në Shkodër, në qytetin tuaj, në qytetin tim, në qytetin e përjetshëm të qytetit të lirë, në qytetin e krenarisë tonë qytetare dhe shqiptare.  Le t’ju themi sot nga Shkodra se demokratët e Shkodrës e kanë një ëndërr, një ëndërr që do ta bëjnë realitet me rastin më të parë duke zgjedhur, jo përzgjedhur, por duke zgjedhur me vullnetin e lirë dhe votën e lirë demokratët dhe Shkodrën, bijtë dhe bijat më të mira për tu hequr strukturat e saj këtu nga seksioni, grup seksioni dhe dega. Se demokratët shkodran do ta bëjnë këtë më së miri duke i dhënë një shembull inkurajues demokratëve të gjithë Shqipërisë në një agor të madh, një kuvenim të madh burrash dhe grash të lira, të rinjsh dhe të rejash të bashkuar nga pasioni i lirisë ku nuk do të mbyllet asnjë gojë, ku nuk do të mbetet asgjë pa thënë, por asgjë që nuk vlen”, tha Basha.

Kryetari i PD u ndal dhe në situatën ekonomike e financiare që po kalon vendi. Me paketën e re fiskale, tha kryetari i PD, çdo shqiptar po paguan më shumë vendet e punës po mbyllen ekonomia po zhytet në krizë.

“Premtuan 300 mijë vende pune, me të cilat morën votat e shumë të mashtruarve me 23 qershor, 4 muaj kanë kaluar, me një bilanc të thjeshtë aritmetik të thjeshtë i bie të kishin hapur 25 mijë vende pune. Por i kanë hapur 20 mijë vende, 10 mijë, 5 mijë?

Po ku jemi sot, pas kalimit të paketës së barrës fiskale shqiptarët po paguajnë dhe do të paguajnë më shumë, ndërkohë që asnjë vend i ri pune nuk po hapet. Për ata njerëz që marrin 300 mijë lekë në muaj dhe për të cilën qeveria jonë hoqi tatimin, edhe për ata ky buxhet, ky ligj, kjo përqasje sjell dhe do të sjellë vetëm varfëri dhe mjerim. Përgjigja e Ramës e dëgjuat para tre netësh, të mos përdorni asgjë që ka lidhje me karburantet, na çoni në mesjetë sepse ata që do të marrin 300 mijë lekë e poshtë nuk mund të marrin as automjete, as autobus, bukën e gojës do të duhet ta pjekin me dru dhe nuk të ketë asnjë mall konsumi që është transportuar nga A-ja, tek B-ja, tek C-ja me anë të karburantit.  Cila është oferta e tyre, varfërim dhe mjerim për shqiptarët”, -tha Basha.  Viti i ri, theksoi kreu i PD-së, ka nisur me frikësim për pasigurinë, ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurt. Për këtë arsye, kryetari i opozitës ka kërkuar nga Shkodra bashkim për tu rikthyer në krye të misionit ku e presin sot shqiptarët;  drejt Europës, drejt demokracisë.

Aktualisht drejtues të lartë të Partisë Demokratike kanë zhvilluar disa takime radhazi në qytetet kryesore të vendit, për të kujtuar 23 vjetorin e themelimit të degëve të PD-së, si dhe për të vlerësuar kontributin e demokratëve të parë pas sistemit komunist në Shqipëri.

 

 

PD nis në shkurt procesin e zgjedhjeve në strukturat drejtuese

Pas kremtimit të themelimit të degëtë të Partisë Demokratike në qytetet kryesore të vendit, demokratët pritet t’i rikthehen procesit të analizës për zgjedhjet e kaluara parlamentare, proces i cili pritet të shoqërohet edhe me zgjedhjen e sturkturave të reja drejtuese në parti. Aktualisht drejtues të PD-së kanë zhvilluar një sërë takimesh në Tiranë, Durrës, Fiet, Shkodër, etj. Për të mremtuar 23-vjetorin hapjesë së PD-së, ndërkohë që ky proces pritet të përfundojë në fund të këtij muaji dhe menjeherë demkokratët pritet të nisin një fazë të re brenda partisë, atë të zgjedhjeve të degëve të saj si në bazë ashtu edhe në qendër. Edhe pse demokratët shprehen të rezervuar për procesin që pritet të nisë në fillim të muajit të ardhshme, më herët kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka bërë të ditur se procesi i analizës së zgjedhjeve të kaluara parlamentare është shumë i rëndësishëm të zhvillohet i plotë dhe i hapur në çdo përfaqësi të demokratëve në të gjithë Shqipërinë. Sipas z. Basha, më shumë se koha se kur do të fillojë ky proces, ka rëndësi diskutimi i çështjeve në themel dhe arritja e një konkluzioni të përbashkët. E reja në këtë proces duket se do të jetë aplikmi i parimit “një anëtar një votë” për zgjedhjen e drejtuesve të seksioneve që është njësia bazë e strukturave të partisë, ndërsa për të tjerat do të operohet me votim të fshehtë. PD-ja ka menduar të lërë jashtë fushatës deputetët të cilët “do të jenë të përqendruar në aksionin opozitar në Kuvend”. E thënë ndryshe deputetët, që janë edhe referim për çdo lëvizje politike do të mbahen jashtë procesit, që do administrohet kështu direkt nga qendra e partisë. Nisja e procesit të zgjedhjeve në PD ishte parashikuaër për në fund të vitit të kaluar, por sipas krerëve të PD-së, situatat e krijuara nga mazhoranca bënë që ky proces të shtyhej për në mesin e janarit të këtij viti. Edhe pse mesi i këtij muaji po aftohet, ky proces sipas zërave të brendshme të PD-së, pritet të fillojë muajin e ardhshëm, pas mbylljes së festimeve për 23 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në qytetet kryesore të vendit.

Share it :