QEVERIA 0900

QEVERIA 0900

Nga Meri Lika

Në vitet 2000, ndoshta edhe pak më përpara, në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë numrat me prefiks 0900 janë përdorur masivisht për shërbime argëtimi për të rritur (linja erotike). Sot këto formate numrash janë pothuajse të zhdukur, por në memorien tonë kolektive ato kanë ngelur si simbol i vulgaritetit dhe perversitetit erotik.

Ky vulagaritet dhe perversitet dje u shpalos me shumë krenari në parlamentin shqiptar kundrejt një nëne, nga Taulant Balla. Ajo që ndodhi dje në Kuvend nuk mund të quhet më debat por një degjenerim i plotë i pushtetit. Këta që qeverisin nuk janë duke drejtuar një shtet por një bandë rrugaçësh të cilët kanë zaptuar karriget e një vendi i cili duhet të shfaqte inteligjencë, dhe kulturë.

Në fakt jam duke kërkuar një gjë të pamundur, kur në parlament janë ulur zeqineizma e saraisizma që shfaqin vetëm soisëzllëkun e tyre. Në zonën tonë është një shprehje që thotë se sojlliu mbetet sojlli e sojësëzi mbetet në llumin e tij. Kështu edhe kjo qeveri nuk mund të dalë nga të qenit sojësëz.

Përdorimi i këtyre mjeteve është një përpjekje për të turpëruar dhe heshtur kundërshtaret duke goditur dinjitetin e tyre femëror. Kjo tregon një mendësi “shpellare” të cilën nuk e fshehin dot as kostumet apo orët e shtrenjta që reklamon Taulanti me të shoqen e tij.

Në fakt ajo që më shqetësoi më shumë nuk ishte degjenerimi taulantballist, por më shqetësuan thellësisht ato zonjat delikate irisluarasiste që nga mëngjesi në darkë shfaqen si mbrojtëse të grave dhe që gjoja luftojnë për to, por që rrinë krejt indiferente kur nënës së dy vajzave i drejtohen këto ofendime.

Është e turpshme të shohësh se si këto figura, që e vetmja gjë që kanë bërë dhe i kanë ofruar shoqërisë është ngritja e figurës së tyre me projekte për “fuqizimin e gruas”, dhe kur dhuna ndaj grave ndodh përpara syve të tyre, ato pësojnë një amnezi totale sapo agresori mban veshur kostumin e pushtetit. Kur bëhet fjalë për të sulmuar ndonjë qytetar të thjeshtë apo kundërshtar të qeverisë, ato bëhen “luanesha” të feminizmit. Por kur Taulant Balla e kthen Parlamentin në një kabinë të linjave erotike, Iris Luarasi dhe shoqet e saj zhyten në një heshtje komode.

Kjo heshtje vërteton se kauza e tyre nuk është dinjiteti i gruas, por shërbimi ndaj oborrit. Ato nuk janë mbrojtëse të grave, por thjesht mekanizma propagande që përdoren për të lyer me fondotinta fytyrën e pistë të një regjimi gllabërues.
Heshtja e tyre është po aq fyese sa fjalët e Ballës, sepse tregon se parimet e tyre kanë një çmim dhe ky çmim paguhet nga taksat tona.

Dhe pastaj pushteti…

Pas tre mandatesh dhe ndërkohë që po qeveris në mëndatin e katërt, mandate të cilat të gjithë e dinë se si janë “fituar”, kur kontrollon çdo institucion, kur ka në dorë drejtësinë, policinë dhe paratë, pushteti fillon të besojë se është mbi ligjin dhe mbi moralin. Ai tashmë ka filluar të besojë se qytetari është një qenie të cilin pushtetari mund ta fyej, ta vjedhë dhe ta nëpërkëmbë pa patur asnjë pasojë.

Sot unë jam me Albana Vokshin, sot jam e prekur njësoj si ajo. Jam me të, jo vetëm si shenjë solidariteti ndaj një gruaje që sulmohet në mënyrën më të ulët të mundshme, por jam me të sepse sulmi ndaj saj është sulm ndaj çdo zëri që guxon të jëtë kundër këtij pushteti.

Share it :