Homo radiotrophicus shqipëtar
Po lind një fenomeni më i ri, i provokuar nga korrupsioni shtetëror, tashmë i përhapur me progresion qelizash malinje. Keta antidote kane aftësinë të pastrojnë, të thithin, të shpëlajnë, acidin, helmin dhe vrerin nga realiteti shqiptar
Në pjesën e dytë të shekullit të shkuar, studjuesit zbuluan se, pas çdo krimi mjedisor, të shkaktuar nga dora e njeriut, natyra gjeti mënyra ekstreme për t’u vetëshëruar.
U zbuluan baktere që metabolizonin ndotje mjedisore nga metalet e rënda, si arseniku, kadmiumi, plumbi apo uraniumi.
U zbuluan, përreth reaktorit të Çernobilit, disa koloni kërpudhash radiotrofike, të cilat “ushqeheshin” me rrezatim bërthamor.
Këto njohuri mund të të shfaqen në mendje, për krahasim, kur sheh, se si, në realitetin shqiptar, të pjesës njerëzore, është duke ndodhur i njëjti fenomen.
Është duke u shfaqur një specie njerëzish anormalë, krejt të ngjashëm me kërpudhat radiotrofike të Çernobilit, të cilët po janë të zotë të mbijetojnë në mjedis të helmuar dhe acidik dhe të kenë aftësinë t’a pastrojnë atë.
Janë ekzeplarët e parë të “homo radiotrophicus”.
Specie që kanë nisur të shfaqen në epokën kur votat e shumicës po përdoren për të mbajtur një pushtet kriminal dhe një shtet mafioz, që drejtohet nga një njeri i vetëm.
Përballë këtij realiteti, krejt pa imunitet dhe pa asnjë mburojë shtetërore apo kriminale, “homo radiotrophicus” është vendosur me kurajën e principeve.
Principe, që ai nuk i shkel edhe nese e hedh në rrugë dhe e shtyp me këmbë, edhe nëse familja e tij shkon në zgrip të mbijtetësës, edhe nëse mbetet, për vite e vite, në këtë shkallë.
I pari në listën “homo radiotrophicus” vendoset Artur Meçollari – një ushtarak i over diplomuar në Shtetet e Bashkuara.
Fillikat dhe pa asnjë mbështetje publike apo politike, Meçollari u shfaq, në mbrojtje të pasurive të vendit të tij, qysh në vitin 2012.
Ishte koha kur Qeveria e Sali Berishës tentoi t’i jepte, përmes një afere korruptive, gjithë truallin e bazës së Forcës Detare të Kepit të Palit, “biznesmenit”, serbo-boshnjak, Damir Fazliç.
Vetëm tentoi, sepse Meçollari, përpara se t’a flaknin në rrugë, i sajoi dokumentet zyrtare në një mënyrë të tillë, që trualli i kësaj baze, në çdo rast, t’i mbetej shtetit.
Kur socialistët erdhën në pushtet, rendën të spërkasnin imazhin me copëza nga shkëlqimi i precedentit “Meçollari”, lëvduan përpjekjet e tij në mbrojtje të pronave të Ushtrisë dhe e rikthyen në detyrë.
Por socialistët do t’u qepeshin pronave të Forcës Detare, si dhelpra boleve të dashit, edhe më shpejt se demokratët, duke përsëritur gafën me drejtuesin e kësaj force, Artur Meçollari.
Këtë radhë “homo radiotrophicus” kundërshtoi dhënien abuzive, të Bazës Detare të Limionit në Sarandë, oligarkëve të lidhur me Kryeministrin Edi Rama.
Një veprim që sërish i kushtoi, në gusht 2020, largimin nga detyra.
Mbetur vetëvetja, Meçollari paditi në SPAK, për abuzimet me Bazën e Limionit dhe jo vetëm, Ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Presidentin e ardhshëm, Bajram Begaj dhe një numër drejtuesish të lartë të Ushtrisë.
Më tej, aktiv në media dhe rrjetet sociale, ai ka marë përsipër, që të bëjë publik çfarëdolloj abuzimi me ligjin në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë.
Publikimet e tij janë aq shumë të sakta, saqë, një Ministri e tërë dhe një Ushtri e tërë, shohin të Meçollari mishërimin e një korrigjuesi të pagabueshëm.
Një korrigjues, i cili monitoron çdo skandal, abuzim të kryer, apo në tentativë e sipër, duke i’u fanepsur zyrtarëve të korruptuar, ose jo, si një fantazmë ndëshkuese, përpara se ata të guxojnë të hedhin firmat në dokumente që vjedhin buxhetin e shtetit.
Për rrjedhojë, tenderimet, korruptive, ose jo, në Ushtri, kanë shkuar pothuaj në pikën zero.
Në vitin 2023 Ministria e Mbrojtjes ktheu në buxhet 48 milion euro të pashpenzuara, në vitin 2024 ktheu 46 milion euro dhe, në vitin 2025, me gjasa, 75 milion.
I dyti “homo radiotrophicus” shqiptar, me përputhje sërish të plotë, është shfaqur në fushën e mjekësisë.
Është gazetari Osman Stafa, i cili, me shumë kurajë, publikoi skandalet me trajtimin e pacientëve në Spitalin Onkologjik të Tiranës.
I publikoi me paradeklarim dhe pa u joshur nga oferta përfitimesh më shumë se tunduese.
Gazetari provoi se, një pjesë e mjekëve të këtij spitali, në Europën e 2024-2025, ndanin, një porcion ilaç, për dy apo tre të sëmurë, me bindjen e shprehur se ata “e kishin marrë tashmë atë rrugë” – një mashtrim kriminal, që të kujton sjelljet e nazistëve në kapmet e shfarosjes.
Osmani provoi paaftësinë e njëtrajtshme të Qeverisë për të siguruar ilaçet dhe trajtuar pacientët, ashtu si e kërkojnë ligjet, për të paktën një spital të vetëm.
Aq shumë reale është bërë beteja e Osmanit në ndihmë të pacientëve të Onkologjikut, sa një numër mjekësh pozitivë, apo infermierësh, e të tjerë, kanë nisur ta njoftojnë atë rregullisht, për të gjitha mangësitë në medikamente, mungesën apo prishjen e aparaturave të ndryshme, abuzimet e mjekëve, punonjësve, etj.
Në të njëjtën linjë besimi, të gjithë pacientët e Onkologjikut, të cilët nuk marin trajtimin sipas protokolleve, e lajmërojnë, kohë e pa kohë, gazetarin Stafa, i cili nuk përton të bëjë publike problemet, qofshin të përsëritura, apo të reja.
Aq shumë e besojnë, e respektojnë, e adhurojnë, e kanë frikë, e urrejnë, në Spitalin Onkologjik, gazetarin Osman Stafa, saqë tashmë ai ka nisur të shfaqet me pushtetin e një administratori në hije.
Madje, mjafton që t’i thotë, x-pacienti, se është në afërsi, duke parkuar makinën, që gjithë Onkologjiku të shkundet, t’i vijë pulsi, dhe të nisë të sillet me korrektësinë që duhet të mbajë ditë-natë, 24 orë për 24.
Ky është fenomeni më i ri, që ka provokuar korrupsioni shtetëror, tashmë i përhapur me progresion qelizash malinje.
Ca antidotë të lindur mes radiacionit vdekjeprurës, me aftësinë të pastrojnë, të thithin, të shpëlajnë, acidin, helmin dhe vrerin nga realiteti shqiptar.
Madje “homo radiotrophicus” shqiptar po jep prova të jetë edhe më rezistent se vetë natyra.
Kjo sepse, natyra, nis të rikrijojë vegjetacion, të çelë kërpudha, që “ushqehen” me radiacion, apo bakterie helmngrënëse, në kohën kur presioni njerëzor ndaj saj dobësohet.
Nadërsa “homo radiotrophicus”, si zgjidhje ekstreme për ekuilibër, po lind në kohërat më të këqija të veprimtarisë akriminale njerëzore.
Shkruar enkas per Lapsi.al nga Ferdinad Dervishi






