Banaliteti i pafuqisë mendore
Nga Elona CASLLI
Pafuqia mendore e një burri shoqërohet gjithmonë nga banaliteti i tij në çdo fjalë që thotë dhe në çdo veprim që kryen. Dobësia e tij mendore, e cila nuk ngrihet dot në nivel mendimi apo argumenti, është e paracaktuar të vishet me fyerje për t’u përballur me dikë në një diskutim.
Fyerja e bën të ndihet më të fuqishëm një burrë të pafuqishëm mendërisht.
Fyerja përdoret si stimul për pafuqinë mendore me qëllimin e vetëm për të shmangur thelbin e një debati- Mendimin.
I vetëdijshëm për pafuqinë e tij mendore, ai kacavirret në muret e fyerjes, me hapat e një kërmilli me qëllim që ta zhvendosë vëmendjen nga dimensioni i një çështjeje me interes publik te dimensioni privat i një fyerjeje.
Kur rrëshqet nga muret e fyerjes në tokën e argumentit gjendet fillikat dhe përpiqet të lëpijë atë çka ka vjellë pak çaste më parë përmes justifikimeve boshe dhe ndjesës artificiale.
Banaliteti i një burri lind gjithmonë nga ankthi që i shkakton pafuqia e tij mendore.
Ai është në luftë të përditshme dhe të përnatshme me këtë ankth.
Ai përpiqet ta mbulojë këtë ankth, por ankthi është më i madh se ai vetë dhe e nxjerr pafuqinë e tij mendore lakuriq në çastin kur ky burrë fillon të flasë apo të veprojë.
Post Scriptum- Banaliteti i një burri lind gjithmonë nga mendimi i tij i pafuqishëm. Dobësia është gjithmonë ligësi.






