Meretrix vs Scortum

Meretrix vs Scortum

Nga Felix Bilani

​Në Tiranë ka humbur sensi i turpit, por është perfeksionuar arti i shërbimit. Kur dëgjon ministrat e këtij regjimi të ulërijnë për “traumat” e 12 artistëve te Vila e Enverit, kupton se nuk po dëgjon zyrtarë shteti, por meretrix të regjur. Ashtu si në Romën e lashtë, këta janë “punëtorët” me licencë, që paguhen me taksat tona për të shitur çdo ditë integritetin e tyre në altarin e “Liderit”.

Është absolutisht cinike të shohësh Blendi Gonxhen apo Albana Koçiun , apo Toni Gogun, e të tjerë rilindas, të shqetësohen për “imazhin e Shqipërisë”, ndërkohë që rrugët e sapopromovuara shemben si kështjella rëre dhe miliona euro të inceneratorëve janë tretur në xhepat e “klientëve” të tyre. Këta janë Ambubajae modernë, pra si dikur muzikantët sirianë që i bien fyellit me patos për të mbuluar zhurmën e vjedhjes galopante.

Por, nëse ministrat janë klasa e lartë e shërbimit, ajo që të ngjall krupë është heshtja e kufomave mediatike.

​Ndërsa policia zbraz topat e ujit dhe gazin lotësjellës mbi fotoreporterët dhe gazetarët në vijën e parë, “kolegët” e tyre nëpër studio sillen si Scortum i cili eshte ai mishi i bardhë i lirë që nuk ka as nerva për të ndjerë goditjen, as dinjitet për të mbrojtur nderin e profesionit. Janë kthyer në Odalık të vërtetë të sulltanatit të radhës, mbyllen nëpër “oda” televizive për të zbavitur zotërinë, ndërkohë që koleget e tyre dhunohen në rrugë me urdhër të po atij zotërie.

​Nuk ka sabotim turizmi më të madh sesa një shtet që prodhon propagandë me “ArtExplora” mbi muret e diktaturës, ndërkohë që dhunon dëshmitarët e së vërtetës.

Dallimi mes një Meretrix-i dhe një zyrtari të Rilindjes është i vogël, e para shet trupin për të mbijetuar, i dyti shet kombin për t’u pasuruar. Dhe në mes të kësaj bordelloje politike, mbeten vetëm ata pak që guxojnë të mbajnë aparatin në dorë dhe të mos lagen nga uji i fëlliqur i konformizmit.

Share it :