Presioni nga Brukseli/ Rama ndryshon qeverinë, largon Ballukun, Spiropalin e Vëngun
Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar pasditen e kësaj të enjte (26 shkurt 2026) kabinetin qeveritar, duke larguar nga postet tre prej ministrave të tij të besuar, Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vëngu.
Sipas ndryshimeve të bëra publike, Rama zëvendësoi Ballukun ( e pezulluar nga detyra për shkak të hetimeve të SPAK) me Albana Koçiun. Vendin e Koçiut do ta mbajë tashmë Besfort Lamallari.
Elisa Spiropali është larguar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në vend të saj është vendosur Ferit Hoxha.
Gjithashtu dhe Piro Vengu është larguar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes dhe postin e tij do e marrë Ermal Nufi.
Ndryshimet në qeveri
Zv.kryeministre, Albana Koçiu– shkarkohet Belinda Balluku
Ministër i Brendshëm, Besfort Lamallari– zëvendëson Albana Koçiun
Ministër Drejtësie, Toni Gogu– zëvendëson Besfort Lamallarin
Ministër Energjitke, Enea Karakaçi– shkarkohet Belinda Balluku
Ministër i Mbrojtjes, Ermal Nufi– shkarkohet Pirro Vëngu
Ministër për Marrëdhënien me Parlamentin, Erjona Ismaili– zëvendëson Toni Gogun
Ministër i Jashtëm, Ferit Hoxha – Shkarkohet Elisa Spiropali
Ky riorganizim i qeverisë, vjen në një moment kur Rama po përballet me presion politik të shtuar, brenda vendit dhe nga partnerët ndërkombëtarë, për të adresuar çështje të sundimit të ligjit, veçanërisht pas pezullimit nga detyra të Ballukut nga GJKKO.
Autoritetet evropiane theksuan sërish ditën e sotme rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit si një nga kushtet kryesore në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Eurodeputeti Andrey Kovatchev, ishte ai i cili përmendi sot “çështjen Balluku” duke thënë se hetimet nga SPAK duhet të vazhdojnë të pacenuara dhe se kërkesa për heqjen e imunitetit duhet të marrë një përgjigje pa vonesë nga Kuvendi.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate edhe më konkrete. Institucione si SPAK duhet të veprojnë të pavarur dhe në mënyrë efeciente, të lira nga presioni politik. Hetimet që janë në vijim, përfshirë atë të Zv. Kryeministres duhet të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imuniteti pa asnjë vonesë është përgjegjësi e parlamentit. Jam i shqetësuar për amandamentet në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur zyrtarët nga pezullimi kur janë nën hetim”,- tha Kovatchev.
Edhe raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se në Shqipëri korrupsioni mbetet një shqetësim i madh që kërkon adresim, vecanërisht ai i nivelit të lartë.
I gjendur mes presioneve nga ndërkombëtarët Edi Rama nuk kishte zgjidhje tjetër përvec se ta largonte të besuarën e tij nga posti si dhe të bënte disa ndryshime të tjera për tu treguar ndërkombëtarëve se po “lufton” korrupsionin që ka përfshirë qeverinë.
Hetimet për Ballukun
Belinda Balluku është vënë nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dyshime që lidhen me shkelje të barazisë në tendera në Tunelin e Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe.
SPAK, më 16 dhjetor të vitit të kaluar, i kërkoi zyrtarisht Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, por mbledhja është zvarritur dhe ende anëtarët e Këshillit nuk kanë dalë me një vendim.
Më herët SPAK në tetor të vitit të kaluar i kishte komunikuar akuzën dhe më vonë edhe GJKKO vendosi masën “pezullimin nga detyra dhe ndalim për daljen jashtë vendit.
Partia Socialiste e shtyu në kohë vendimarrjen në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila la në fuqi vendimin për pezullimin e saj. Ndërkohë seanca për dhënien ose jo të autorizimit për arrestimin e Ballukut pritet të merret në ditët në vijim.






