Kur gazi lotsjellës hyn në tempull, pushteti se ka asgjë brutalitetin kolektiv

Kur gazi lotsjellës hyn në tempull, pushteti se ka asgjë brutalitetin kolektiv

Nga Ndricim Kulla

Terrori i djeshëm i regjimit ishte një reagim tipik junte. Ai arriti nivelin e gjuhës që përdori vetë kreu i regjimit, Edi Rama, kur, duke reaguar ndaj protestës, deklaroi se “mortja e shtyu qenërinë deri te dera e xhamisë” , një shprehje që e zhvesh pushtetin nga çdo pretendim qytetar e institucional.

Kur i ashtuquajturi kryeministër shprehet kështu kuptohet se ajo që ndodhi dje nuk mund të reduktohet në një “incident proteste”, as në një tejkalim teknik të kompetencave policore, sepse ajo që pamë ishte shfaqja e zhveshur e pushtetit nga çdo maskë ligjore dhe morale, ishte momenti kur shteti pushoi së foluri me ligj dhe filloi të flasë vetëm me dhunë, duke e kthyer trupin e qytetarit në fushë ndëshkimi dhe frike. Represioni nuk u ndal në shesh, nuk u kufizua në perimetra sigurie apo në një përballje të drejtpërdrejtë mes protestuesve dhe forcave të rendit, por u shtri si një ndjekje hakmarrëse, duke hyrë në lagje, në oborre shtëpish, në institucione politike dhe fetare, sikur qëllimi i tij të mos ishte më shpërndarja e turmës, por poshtërimi i njeriut dhe shkatërrimi simbolik i çdo hapësire ku qytetari mund të ndihet i mbrojtur.

Përdorimi i gazit lotsjellës dhe i plumbave të gomës deri pranë banesave private dhe institucioneve publike shënon një kthesë të rrezikshme, sepse aty shteti nuk e sheh më qytetarin si subjekt të së drejtës, por si objekt ndëshkimi, si trup që duhet ndjekur, gjuajtur dhe frikësuar edhe pasi protesta formalisht ka mbaruar. Kjo formë dhune e shtrirë në kohë dhe hapësirë nuk është reagim spontan, por strategji e menduar, sepse synon të dërgojë një mesazh të qartë: se askush nuk është i sigurt, se as shtëpia, as selia politike, as tempulli fetar nuk përbëjnë më kufi për dorën e pushtetit.

Në sheshet e kryeqytetit tonë dje nuk dolën “turbat”, siç përpiqet t’i quajë propaganda e regjimit, por njerëz konkretë me emra, histori dhe plagë të hapura, qytetarë që kanë ecur gjatë nëpër zhgënjim dhe që, në një moment të caktuar, e ndjejnë se heshtja është bërë më e rëndë se frika, se durimi është shndërruar në bashkëfajësi dhe se fjala e vetme që u ka mbetur është trupi i tyre i vendosur përballë pushtetit. Këta janë të rinj pa të ardhme, prindër që nuk mbyllin dot muajin, profesionistë të përjashtuar nga sistemi, njerëz që e ndjejnë pabarazinë jo si koncept teorik, por si përvojë të përditshme, të gdhendur në faturat, në pagat, në trajtimin selektiv që u bëhet sipas bindjes, lidhjes, apo shërbimit ndaj regjimit.

Në protestën e kësaj dite pamë skena lufte ku policët e rendit ishin në rolin e agresorit me bomba gazi në dorë të fotografuar duke hequr siguresën me dhëmbë dhe duke ua hedhur njerëzve protestues sikur të ishin armiq dhe pushtues.

Skenat e kësaj demonstrate janë të egra dhe plotësisht diktatoriale që pasqyrojnë një pushtet i cili e ka varrosur arsyen dhe demokracinë.

Në këtë protestë pamë me prova të qarta jo thjesht tejkalim ligji por gjenocid mbi njerëzit që kërkojnë të drejtat e tyre.

Bombardimi i selisë së partisë më të madhe opozitare me gaz lotsjellës është një akt me domethënie thellësisht politike, sepse ai nuk është thjesht shkelje e një godine, por sulm ndaj pluralizmit si ide, ndaj vetë konceptit të opozitës si pjesë legjitime e jetës demokratike. Kur pushteti godet selinë e opozitës, ai nuk po përballet më me një turmë, por po i shpall luftë çdo ideje që nuk i bindet, duke e trajtuar kundërshtarin politik si armik të brendshëm dhe jo si rival brenda rregullave të lojës demokratike.

Akoma më tronditëse është hedhja e gazit lotsjellës në xhami, në një hapësirë që për besimtarët është tempull paqeje, lutjeje dhe reflektimi, sepse aty dhuna merr një dimension simbolik edhe më të errët: ajo shkel jo vetëm ligjin dhe dinjitetin njerëzor, por edhe ndarjen minimale mes pushtetit dhe shenjtërisë, mes forcës së shtetit dhe ndërgjegjes së individit. Kur gazi lotsjellës hyn në tempull, pushteti i thotë shoqërisë se nuk njeh më asnjë kufi moral, se as vendi i lutjes nuk përjashtohet nga logjika e ndëshkimit kolektiv.

Arrestimi i fëmijëve dhe i qytetarëve të pafajshëm, pa arsye ligjore dhe pa respektim të procedurave, është prova më e qartë se dje ligji nuk funksionoi si mbrojtje e qytetarit, por si justifikim i dhunës, si dekor formal për një praktikë që në thelb ishte arbitrare dhe represive. Ligji, i cili në një shtet demokratik duhet të jetë mburojë e të dobëtit ndaj të fortit, dje u kthye në vegël të fortit kundër të dobëtit, duke u shkelur pikërisht nga ata që kanë detyrë ta zbatojnë.

Kjo gjendje e bën të qartë se nuk kemi të bëjmë me një devijim të rastësishëm, por me një model qeverisjeje që e sheh dialogun si dobësi dhe dhunën si mjet qeverisës, një pushtet që, i paaftë ose i pavullnetshëm për të dëgjuar zërin e qytetarëve, zgjedh të shtrëngojë vetëm instrumentet e forcës, duke besuar se frika mund të zëvendësojë legjitimitetin. Por historia ka treguar gjithmonë se pushtetet që mbështeten te frika prodhojnë vetëm heshtje të përkohshme, ndërsa nën sipërfaqe grumbullojnë zemërim, mosbesim dhe ndarje të thella shoqërore.

Dhuna e djeshme nuk ishte thjesht dhunë fizike ndaj trupave të protestuesve, por dhunë simbolike ndaj idesë së qytetarisë, ndaj të drejtës për të kundërshtuar, ndaj besimit se shteti ekziston për t’i shërbyer shoqërisë dhe jo për ta nënshtruar atë. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh: kur shteti humb aftësinë për të komunikuar dhe zgjedh vetëm shkopin, ai fillon të gërryejë themelet e veta, sepse një rend i ndërtuar mbi frikën nuk është rend, por pritje e shpërthimit të radhës.

Në këtë kuptim, ajo që pamë dje nuk është fundi i një proteste, por një paralajmërim i zymtë për drejtimin ku po shkon shoqëria, nëse normalizohet ideja se dhuna është përgjigje legjitime ndaj pakënaqësisë qytetare. Sepse në momentin që protesta trajtohet si krim dhe qytetari si armik, pushteti nuk po mbron rendin, por po përgatit terrenin për një krizë më të thellë morale, politike dhe shoqërore, nga e cila askush nuk del i padëmtuar.

Share it :