Parlamenti Europian e konsideron çështjen ‘Balluku’ si test kritik në luftën anti-korrupsion

Parlamenti Europian e konsideron çështjen ‘Balluku’ si test kritik në luftën anti-korrupsion

Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, gjatë një vizitë të mërkurën në Tiranë, duke folur për procesin e Integrimit Europian e konsideroi çështjen e hetimit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku si një “test kritik” në luftën anti-korrupsion të Shqipërisë.

Mbrojtja publike dhe ligjore e kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës parlamentare ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e akuzuar për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera me vlerë qindramilionë euro, ka shqetësuar Parlamentin Europian.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, tha të mërkurën gjatë një konference për shtyp në Tiranë, se kjo çështje përbën një test kritik për vendin.

“Nuk jam në pozicion të komentoj në hollësi raste individuale, por do të them se çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, u shpreh ai i pyetur nga gazetarët për ofensivën ligjore të ndërmarrë nga Rama për të mbrojtur veten dhe kabinetin qeveritar nga vendimet e pezullimit të gjykatave.

I pyetur nëse refuzimi i parlamentit për të hequr imunitetin e Ballukut përballë kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e saj, do të rrezikonte procesin e integrimit McAllister ripërsëriti qëndrimin ndërsa bëri të ditur se çështja kishte qenë një temë diskutimi me autoritetet shqiptare.

“I kam thënë të gjitha që janë për të thënë për këtë çështje, ajo duhet të hetohet thellësisht, e kemi adresuar këtë çështje në bisedat e brendshme, por nuk kam çfarë të shtoj më shumë”- tha ai.

Pasi bëri një betejë ligjore në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar një vendim të Gjykatës së Posaçme që pezullonte nga detyra Ballukun, kryeministri Edi Rama dorëzoi në Kuvend me firmën e tij një projektligj për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar nuk preken nga masa e pezullimit nga detyra si pjesë e një procedimi penal.

Amendamenti i Ramës po monitorohet nga afër nga Bashkimi Europian, i cili pret që çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin të jetë në përputhje me acquis e BE-së dhe standardet europiane.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri i tha BIRN-it të martën se monitorimi përfshin edhe zbatimin e reformës në drejtësi të vitit 2016 në kuadër të negociatave të anëtarësimit, për shkak se “shteti i së drejtës dhe pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i gjyqësorit në Shqipëri janë elemente themelore të procesit të zgjerimit të BE-së”.

Gjatë daljes për mediat përfaqësuesi i Parlamentit Europian përcolli gjithashtu disa mesazhe që lidhen me pritshmëritë e BE-së ndaj Shqipërisë në procesin e negociatave për integrim, duke vënë theksin tek një reformë zgjedhore gjithpërfshirëse dhe liria e shprehjes, ndërsa theksoi se për përafrimin e legjislacionit nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, por zbatimi i reformave.

“Integrimi është një proces që mbështetet në merita, por jemi të shqetësuar sa i takon polarizimit politik në Shqipëri, inkurajojmë stabilitet politik dhe dialog”- tha ndër të tjera ai.

Para deklaratës për mediat McAllister u takua me Kryeministrin, Ministren e Jashtme, Kryetarin e Kuvendit dhe përfaqësues të opozitës e mazhorancës në parlament./ BIRN

Share it :