Edi Rama sheh fantazma me Robert Mugabenë
Nga Genc Burimi
Në fillim ishte ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim, që do të mbahet mend jo vetëm për largimin pa lavdi nga Departamenti i Shtetit, por edhe për atë shprehjen përbuzëse ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë:
“Do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”.
Sot, një ditë pas protestës tjetër të fuqishme të Partisë Demokratike, ku po i merret çdo herë e më shumë erzi Edi Ramës në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare, Kryeministri mendoi t’ia hedhë edhe kësaj here me një dalje publike alla “Yuri Kim”:
“(Partia Demokratike) e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur”.
Një deklaratë kryeministrore që duhet kritikuar pa asnjë hezitim për karakterin diskriminues dhe duhet tallur njëkohësisht për ngjashmërinë në të cilën e vë veten autori me ish-diktatorin zimbabvian.
Duke sulmuar moshën e personit, qoftë ky autoritet publik apo shtetas i thjeshtë, Kryeministri jo vetëm që shkel parimet bazë të mosdiskriminimit për asnjë arsye, që qëndrojnë në themel të së drejtës së Bashkimit Europian, ku Shqipëria aspiron të hyjë, por Edi Rama fyen edhe vetë presidentin e vendit aleat më të madh të Shqipërisë, Donald Trump, 80 vjeç edhe ai. Është urgjente që ndërmjet këshilltarëve të shumtë në Kryeministri, që paguhen nga taksat e shqiptarëve, të qëndrojë njëri në dezhurn për të filtruar gafat që poston Edi Rama në emër të Shqipërisë.
Gjithsesi, me pjesën e fjalorit diskriminues le të merren juristët dhe diplomatët, ndonëse sot edhe një nxënës në shkollë fillore e di fare mirë dhe edukohet se kurrë s’duhet fyer dikush për shkak të moshës, sepse kjo i hap rrugën çdo lloj diskriminimi tjetër, edhe më ogurzi akoma. Ishte i njëjti Edi Rama ai që bëri gurgulenë duke sajuar një stuhi në një gotë uji, duke i mveshur shefit të opozitës një akt diskriminimi verbal në lidhje me gjininë, por që sot, në mënyrë publike e të paç’kompleksuar, ofendon moshën e tretë të Shqipërisë, duke harruar se pjesë e atij brezi do të jetë edhe ai vetë një ditë.
Mugabeja e Shqipërisë
Sa për krahasimin me Mugabenë, Rama kryen një akt të munguar me veten e tij. Janë të paktën dy gjëra që e lidhin Ramën me Mugabenë, duke e bërë atë një politikan të veçantë për keq në historinë e Shqipërisë. Mugabeja u dallua për një sundim të gjatë dhe pa ndërprerje. Që prej epokës së pushtetit absolut gjysmë shekullor të Enver Hoxhës, është Edi Rama ai që mban rekordin e sundimit më të gjatë pa ndërprerje prej 13 vjetësh rresht në krye të pushtetit në Shqipëri. Po t’i shtohen kësaj jetëgjatësie pushtetmbajtëse, unikale në këtë moment në Europë (së bashku me “vëllain” e tij Aleksandar Vuçiç), edhe vitet kur Kryeministri aktual ka qenë vendimmarrës aktiv në politikë, si ministër dhe si kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama e mban tashmë rekordin e një çerek shekulli me duart e zhytura në taksat e shqiptarëve. Dhe po t’i shtohen kësaj periudhe edhe deklaratat e herëpashershme të Edi Ramës se ai me Partinë e tij Socialiste synojnë ta mbajnë pushtetin edhe për shumë mandate të tjera, për aq kohë sa do t’i jepte ymër Zoti, Edi Rama përfaqëson pa dyshim sot klonin më të arrirë të Mugabesë për nga jetëgjatësia që ka dhe kërkon të ketë në pushtet.
Veçoria e dytë e ish-diktatorit afrikan ishte se nga pushteti e rrëzuan të tijët. Më 2017, në momentin kur Mugabe vendosi, pas një sundimi të gjatë, të shpallte se do t’ia linte postin të shoqes, rivalë në parti, të etur edhe ata për pushtet, i bënë puç nga lodhja e sundimit të pafund të diktatorit zimbabvian, që ishte edhe kryetar i partisë ZANU në fuqi. Zoti e ruajtë Ramën nga të tijët! Një “révolution de palais” ka historikisht një shije më të hidhur sesa kryengritja e një populli të revoltuar në rrugë…





