2025, lajme të mira, të këqija dhe të shëmtuara
Nga Lutfi Dervishi
Viti 2025 prodhoi gjithçka që një vend në tranzicion mund të prodhojë, arritje reale, dështime të mbuluara me zhurmë dhe zullume që nuk i fsheh dot.
Lajmet e mira
Viti pati disa zhvillime të rëndësishme me ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve.
Integrimi financiar i Shqipërisë në sistemin SEPA është tashmë realitet. Pas lëvizjes së lirë të qytetarëve në 2011, ky është hapi më konkret drejt integrimit europian. Përfitimi është i prekshëm për qytetarët, studentët dhe bizneset. Transfertat janë shumë më të lira dhe më të shpejta. SEPA shembi muret financiare të izolimit, duke i dhënë fund epokës ku dërgimi i parave kushtonte sa një biletë avioni.
Çështja e roaming-ut me Bashkimin Europian është në fazën finale dhe 2026 shihet si afat realist. Ende në pritje, por këtë herë pritje me kalendar.
Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në ishte një hap politik i rëndësishëm. Nuk është fundi i rrugës, por Shqipëria të paktën ka hyrë në autostradë dhe nuk po endet më në rrugica dytësore. Sfida nuk është shpejtësia, por tabela e rregullave (sidomos SPAK – GJKKO) që Brukseli nuk pranon t’i negociojë.
Organizimi i Këshillit Politik Europian në Shqipëri rezultoi një sukses i pamohueshëm, nga protokolli te siguria dhe logjistika.
Në sport, përfshirja e Shqipërisë në “Giro d’Italia”, pavarësisht kostos dhe përkimit me zgjedhjet, mbetet një investim i mençur për imazhin e vendit. Në futboll, fenë që i bashkon të gjithë shqiptarët, Kombëtarja arriti vendin e dytë në grupet eliminatore për Kampionatin Botëror.
Në këtë listë hyn edhe një zhvillim institucional që deri dje dukej i pamundur. SPAK, për herë të parë, goditi zyrtarë në detyrë, jo ish-zyrtarë. Ky është dallim thelbësor, jo semantik.
Lajmet e këqija
Për qeverinë, viti pati edhe dy “telegrame urimi” nga Uashingtoni. Njëri për zgjedhjet, ku urohej populli shqiptar dhe jo procesi, dhe tjetri për 28 Nëntorin, ku përmendej
“lufta ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre”. Mesazhi ishte diplomatik në formë, por politikisht i qartë për këdo që di të lexojë përtej rreshtave.
Zgjedhjet u damkosën që në rreshtat e parë të raportit paraprak të OSBE/ODIHR. Garë e pabarabartë, shuarje e vijës ndarëse mes partisë dhe shtetit, ndikim i administratës, patronazhistëve dhe krimit të organizuar. Minarja, si gjithmonë, nuk futet në thes, sado i madh të jetë thesi i propagandës.
Marrëdhëniet me Kosovën vijuan të mbeten të ftohta. Retorika e “vëllazërisë” nuk u përkthye në koordinim politik apo besim të ndërsjellë. Një luks i panevojshëm për dy shtete të vogla në një rajon që ende nuk e ka mbyllur bilancin më historinë.
Në ekonomi, Air Albania, e trumbetuar për vite si histori suksesi dhe model krenarie, përfundoi në faliment. Një shembull klasik se si propaganda fluturon në qiell ndërsa se bilanci financiar është në gropë.
Në arsim, rezultatet e renditjes PISA nuk kanë shumë nevojë për koment.
Në shëndetësi, parimi i “shëndetësisë falas” vijon të përplaset me realitetin e kushtueshëm dhe mungesën e shërbimit dhe ilaçeve
Lajmet e shëmtuara
AKSHI! Hendeku mes ‘AI-së’ së Kryeministrit dhe ‘Grupit të Strukturuar’ të SPAK-ut është distanca mes utopisë dixhitale dhe kalbëzimit institucional.
AKSHI nuk është thjesht një dosje penale, por një sinjal se sa thellë ka depërtuar krimi i organizuar dhe sa lart ka arritur ai në piramidën e pushtetit.
***
Kërkesa e SPAK për arrestimin e numrit dy të qeverisë dhe afrimi i hetimit deri te dyert e Kryeministrisë shënon një fazë të re politike. Kjo nuk është më çështje individësh, por provë për vetë sistemin.
Dhjetori mbylli perdet e një teatri ku politika e vjetër po përgatit rrethimin e drejtësisë së re.
Rezistenca e shumicës ndaj SPAK paralajmëron një përplasje që pritet të marrë formë më të qartë në janar. Konflikti mes drejtësisë dhe politikës nuk është më nën rrogoz.
2026, viti i provës
2026 mund të vijojë të jetë vit postimesh, por në thelb do të jetë vit testi.
Test nëse nis realisht mbyllja e kapitujve.
Test nëse SPAK dhe GJKKO do të mbrohen e mbështeten, apo do të sulmohen në emër të “stabilitetit” dhe do t’u tregohen kufijtë nga pushteti ekzekutiv.
Test nëse do të hiqet dorë nga mbajtja në detyrë e personave nën akuzë penale.
Test nëse presioni qytetar do të mbetet virtual, apo do të dalë realisht në rrugë.
2026 është viti i provës për premtimin e madh, mbylljen e kapitujve brenda dy vitesh dhe bashkimit me familjen e BE më 2030.
Në këtë kontekst, BE nuk duhet parë si një klub përfitimi, as si një bankomat ku shkon për fonde. BE është, para së gjithash, një familje vlerash. Fjala kyçe nuk është “grant”, por rule of law. Jo vetëm ligje të shkruara bukur, me Inteligjence Artificiale, por zbatim real, pa përjashtime dhe pa imunitete politike. Konkurrencë e ndershme, jo treg i kapur. Media të pavarura, jo zgjatim i zyrave të shtypit. Institucione që kontrollojnë pushtetin, jo që i shërbejnë atij. Nëse BE shihet vetëm si bankë, integrimi do të jetë gjithmonë teknik dhe i rremë. Nëse shihet si standard, procesi bëhet i dhimbshëm, por real. Dhe pikërisht 2026 është testi nëse Shqipëria do ta kalojë, ose do ta humbasë provën e saj më të madhe.
Historia e Shqipërisë është një përsëritje e lodhshme e dyerve të hapura nga jashtë dhe të mbyllura nga brenda. Në 2026-ën do të kuptojmë nëse do të hyjmë në Europë si qytetarë me vlera, apo si pengje të një karrigeje që nuk pranon as ligjin, as kohën.




