Për “mort” në PS, nuk bëhen homazhe në PD

Për “mort” në PS, nuk bëhen homazhe në PD

Nga Basir Collaku

Kur në qeverisjen e Edi Ramës ka rënë morti i të pandehurve, Balluku në vjedhje është dera e hapur për te shefi, duket se ai ka nevojë të zhvendosë homazhet matanë gardhit të vakisë së tij. PD është jo parti rreshti. Po të numërosh partitë e reja të krijuara nga ish-funksionarë të PD, më pas shumica të rikthyer pas peligrinazhit të përkohëshëm, duket se mëson shumë për lindjen, jetën, formën dhe përmbajtjen e kësaj partie. E lindur si opozitare e të shkuarës, por pa i shpëtuar zgjatimit dëmtues e disa herë diktues, të kësaj kohe, rrotull dhe brenda saj. Me Edi Ramën KM, si përfaqësues-themeluesi i Shqipërisë Narco-shtet, PD u përball me të keqen dhe mëkatin. Kandidatët fitues në politikë u bënë ata me këmbë mbi drogë, krim, korrupsion. Me një qeveri në burg PD duhej të kishte një rezultat fitues. Ndërkombëtarët thanë se Krimi ndikoi në zgjedhje. Pra Rama.
Po zhvillimet në PD?!
Basha pati mbështetjen ekstreme të Berishës e të demokratëve. Nuk i mjaftoi. Sepse flirtoi me mëkatin dhe vende vende me kundërshtarin. Ndodhi siç nuk duhej. Pasojat e zallamahisë së brendëshme morën tre vite dhe disa humbje therëse elektorale. U prodhua një 8 janar dështues, pikë ku ndarjet e nxehta, i bashkuan vetëm interesat e ftohta, e jo idealet. Berisha anoi nga fjalëmbajtja e kodeve mes palëve për bashkim dhe toleroi me tepri e me kosto të hidhur në përfaqësim. Ndryshimet në PD, idetë, njerëzit, përballjet, vota, kanë vluar por nuk kanë përcaktuar. Ka opozitarë e ofiqarë në PD ndër mote, e të rinj, me sukses befasues ekonomik. Rrezatim ky, jo nga magjia e tregut, por nga syshkeljet me dovletin. Sot në PD ka zemëratë ndaj Ramës e banditëve të tij. Ka depresion shprese. Ka pakënaqësi në rritje ndaj lidershipit. Ka të votuar jashtë mandateve dhe të pavotuar brenda tyre. Duhen emra me besueshmëri e kontribut. Mos zeqinizojmë PD. Kufizimi i mandateve nuk është herezi por shëndet. Në shkurt zgjedhjet janë afat statutor. Minifushatat e brendshme, kafeteritë lëvizëse, janë një normalitet dhe ngjarje. Nuk mbyllen as sy as veshë. Kërkuesit e dinë se utopia nuk udhëton me ta. Por duhet që në PD, të bindur e të pabindur, kushdo flet për hatër e interes të demokratëve, kjo ka doza hipo-ironie se ngjan me refrenin në emër të popullit, të jetë transparent me veten në çdo sekond e minut politik. Grupet e interesit janë ushtrim ndikimi. Ka grupe kriminale e biznese gri, që po ikin nga Rama se nuk duan të shemben me shembjen e tij të padiskutueshme dhe varrosëse. Ata po kërkojnë shtëpi të re. Edhe me leje të Ramës mbase. Kujdesi nuk bën dëm kurrë. Shkujdesja po. Nëse politikanë të vjetër e të rinj keni futur një dorë në xhepat e tyre, nuk keni kokërr takati t’u vini dorën tjetër në fyt për t’i ndëshkuar nesër ligjërisht. Shenjat nuk janë lajme entuziaste aq sa teknologjia mediatike i sheqeros..Përtej oqeanikëve nga gatuhet moti në gadishullin tonë, 2026-a, do të ketë reshje të shumta politike, majtas dhe djathtas…

Share it :