Pse Rama e hoqi maskën

Duke nisur kryqëzatën kushtetuese të konfliktit mes pushteteve dhe duke kundërshtuar pezullimin e Ballukut, Edi Rama kërkon një gjë të thjeshtë: na lini të vjedhim pa kontroll. Ai po reket të normalizojë faktin se një ministër i dyshuar si hajdut duhet të vijojë punën

Edi Rama është përfshirë në një kryqëzatë kundër drejtësisë për të mbrojtur zëvendsen e tij të pezulluar, Belinda Balluku, me justifikimin se masa ndaj saj është një konfilkt mes pushteteve të pavarura nga njëra-tjetra. Ai në fillim firmosi një ankimim në kushtetuese, ku pretendonte se “aktet brutale” të një prokurori dhe një gjykatësi po cënonin kompetencën e kryeministrit për të emëruar anëtarët e qeverisë, e gjithashtu po shkelnin, në mënyrë abuzive, në territoret e pushtetit ekzekutiv. Më pas, në dajle publike, ai u vu në ballë të frontit për mbrojtjen e ministres së akuzuar se ka avulluar 50 milionë euro, vetëm në tunelin e Llogarasë, duke predikuar se një anëtar i qeverisë është pothuajse i palëvizshëm. Gjatë një podkasti në fundjavë ai këmbënguli se një ministër nuk mund të pezullohet kurrësesi, duke përcaktuar vetëm tre forma se si ai mund të largohet nga detyra: ose me dorëheqje, ose me shkarkim nga kryeministri, ose me vendim të formës së prerë

Pra shikoni sa interesante. Sipas shefit të qeverisë edhe nëse jemi përpara një rasti abuzimi të pakundërshtueshëm, përpara një vjedhjeje uluritëse dhe ministri nuk ka vullnet të dorëhiqet, as kryeministri me urdhërin e të cilit anëtari i kabinetit mund të ketë vepruar, nuk do ta shkarkojë, ai duhet të qëndrojë në detyrë deri sa të shpallet i fajshëm edhe nga gjykata e shkallës së parë edhe më pas, nga ajo e apelit. Pra ai, teorikisht, duhet të vijojë të jetë ministër gjatë të gjithë mandatit, nëse marrim për bazë stërzgjatjen që drejtësia jonë i bën proceseve të tilla. Duke ndjekur këtë logjikë një anëtar kabineti riskon të shndërrohet në një “hajdut të paprekshëm”.

Po ti shkosh kësaj linje edhe argumentat që Edi Rama u kujtua të rreshtojë kohët e fundit në favor të Veliajt-, jo se i dhimsej ky i fundit që e kishte flakur me kohë, por ngaqë donte që Lalin ta përdorte si mburojë për Belën-, se ai duhet të rikthehej në zyrë, situata shkon drejt absurdit.

Pra, në optikën ramiste çdo politikan i zgjedhur në një detyrë të rëndësishme, që ka mbi shpinë dyshime të rënda për abuzim, mbetet në çdo rast i pacënueshëm. Ironikja është se kryeministri këtë e justifikon me parimin kushtetues të pavarësisë së pushteteve, por duke bërë sikur haron një tjetër parim po aq të rëndësishëm, atë të “Checks and balances”. Sistemi që ai përpiqet të mbrojë duke u ankuar se drejtësia po ndërhyn në punët e ekzekutivit, nuk mund të jetë i balancuar, pa ekuilibrin mes pushteteve, ku kjo e para është e dënuar të kontrollojë të dytin. Pra e thënë në mënyrë të vulgarizuar: vërtet prokurorët dhe gjykastësit nuk kanë të drejtë të përcaktojnë një anëtar qeverie, por ata janë të detyruar ta pengojnë atë kur e shohin se është nisur për të vjedhur

Në fakt realiteti është se, përtej iluzionit të debatit juridiko kushtetues për kompetencat fshihet thelbi i qëndrimit të kësaj qeverie për të vepruar pa kontroll. Edi Ramës nuk është se i dhimset Balluku, ai mund ta trajtojë atë si mish për top, ashtu sikurse ka bërë me Tahirin, Beqajn, Ahmetajn, Kokën apo Veliajn. Ajo që i intereson është vetëm një gjë, vijimi i punës së mekanizmit korruptiv që ka ngritur.

Prandaj, për të ruajtur këtë makineri që shtrihet nga blerja e votave deri tek ajo e lobistëve dhe zyrtarëve perendimorë, ai mbron parimin se drejtësia nuk mund të “pezullojë” apo ngrijë ata që punojnë për të mbajtur në lëvizje ingranazhet e saj. Kaq e thjeshtë është e gjithë fabula që, pas koklavitjes me argumenta kushtetues, reket të mbulojë dëshirën për të grabitur i patrazuar, madje edhe kur kapesh me presh në duar.

Çdo kamuflim i kësaj përplasjeje me merakun për ndarjen e pushteteve, me cënimin e kompetencave të kryeministrit apo imunitetit të një ministri shërben vetëm për të tjekaluar ngërçin e devizës së deri tanishme të kësaj mazhorance, se ajo s’do të bëhej kurrë mburojë për ata me të cilët kishte punë drejtësia. Shprehja e dikurshme e Edi Ramës për shokët e vet, që kur kapeshin nuk duhet të shkonin në zyrën e tij, por te ajo e avokatit, tashmë ka ndryshuar. Ai i e ka hequr maskën duke këkuan ta lënë të vjedhë i patrazuar, i bindur se po ia “pezulluan” këtë proces regjimi i tij shembet si kështjellë rëre.

©Lapsi.al

 

 

Share it :