Nga Nebil Çika
Sot shqiptarët përkujtojnë 25-vjetorin e 2 korrikut 1990, ditën kur mijëra qytetarë shqiptarë sfiduan diktaturën komuniste dhe izolimin 45-vjeçar të saj, duke hyrë në ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë. Kjo ditë kujtohet si shembja e “murit shqiptar” të komunizmit, i fundit i rrëzuar në Evropën komuniste. Sot, 25 vjet më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar nga ajo ditë që shikohet sot me vështrime e vlerësime nga më të ndryshmet. Diktatura komuniste ka rënë. Shqipëria de jure është një vend demokratik, anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE, ndërkohë që shqiptarët lëvizin pa viza në shumicën e vendeve të BE-së. E krahasuar me kërkesat e 2 korrikut 1990, kur ata vetëm donin të largoheshin, situata është si nata me ditën. Megjithatë, demokracia shqiptare ka ende shumë probleme të pazgjidhura. Përmbysja e komunizmit erdhi e ngadaltë dhe e sforcuar, për të mos thënë e planifikuar nga vetë diktuara. Sot, 25 vjet më vonë, ish-komunistët e konvertuar në “socialistë e progresistë” apo bijtë e tyre politikë e gjenetikë janë në pushtet. Institucionet shtetërore të mbushura me autorë të krimeve të komunizmit të asaj diktature e izolimi që shqiptarët çanë për herë të parë në 2 korrik 1990. Kryeministër është Edi Rama, djali i Kristaq Ramës, ish-drejtues i lartë komunist, autor i varjes së poetit të fundit antikomunist Havzi Nela, një vit para eksodit të ambasadave. Para pak ditësh ai mbajti një fjalim për lirinë, demokracinë dhe gjera të tjera si këto, pikërisht në sheshin që i ati vari në litar poetin 26 vjet më parë. Pa ia bërë syri tërr ai kërcënoi nga ai shesh shqiptarët se do t’i linte pa ujë, bukë e mjete të tjera jetese, po nuk e votuan. Por sikur të mos mjaftonte kjo histori, ky raport makabër gjenetik e politik i tij me Kukësin, mijëra kuksianë dhe shqiptarë të tjerë kanë nisur sërish një eksod. Edhe tani si atëherë synimi i tyre është Perëndimi, kryesisht Gjermania. Rikthimi i eksodit me përmasa biblike 25 vjet mbas të parit të këtij lloji është pa dyshim një dështim për demokracinë dhe trishtim i madh për shqiptarët. Edhe tani si atëherë kërkesa e arsyet janë njëlloj. Liri, demokraci dhe kushte normale jetese. Sot shteti nuk të vret, po të kalosh kufirin, por edhe po ndenje brenda kufirit, mundësitë për të mbijetuar janë të pakta. Burgjet, kampet e internimit dhe format e tjera të persekutimit janë zëvendësuar me mungesë sigurie, pushtet të krimit dhe oligarkisë dhe veçanërisht me kërcënimin më të madh, atë të mungesës së bukës së gojës për një pjesë të mirë të shqiptarëve. Votimet nga 99% pro qeverisë prej frikës dhe terrorit komunist në 1990 arrijnë pothuaj të njëjtat shifra me të njëjtat metoda, ndërkohë që vetëm mjetet dhe mënyrat kanë ndryshuar. Në këtë 25-vjetor të eksodit nga komunizmi, Shqipëria dhe ëndrra e saj demokratike ndodhet në pikiatë të vërtetë. Ashtu si 25 vjet më parë, shqiptarët kanë numrin më të madh të kërkesave për azil në Gjermani dhe vende të tjera perëndimore. Këto ditë Shqipërinë pritet ta vizitojë Kancelaria gjermane Merkel, një vizitë me rëndësi të veçantë për vendin dhe kohën në të cilën po zhvillohet. Ndërkohë që ajo vjen në Shqipëri, mijëra shqiptarë janë në rrugën e eksodit të dytë biblik brenda një çerek shekulli drejt vendit të saj. Përfundimi i zgjedhjeve lokale dhe marrja e pushtetit absolut nga ish-komunistët ka shtuar dëshpërimin dhe mungesën e shpresës tek shqiptarët. Mijëra kanë ikur dhe mijëra të tjerë po planifikojnë apo mendojnë të njëjtën gjë, përfshi edhe intelektualë e profesionistë të spikatur. Eksodi nuk është vetëm për arsye ekomomike apo mashtrim i trafikantëve, si po mundohet ta trajtojë qeveria. Shkaqet kryesore të tij janë pamundësia për të jetuar në një vend ku nuk ka asnjë siguri për të tashmen dhe veçanërisht asnjë shpresë për të ardhmen, një situatë në thelb aq e ngjashme me 2 korrikun e vitit 1990. Nga eksodi në eksod! Ky do të ishte përcaktimi më i saktë i situatës për këdo që kthen kokën prapa e ka guximin të shohë atë që shumë protagonistë e dëshmitarë të 2 korrikut 1990 nuk do ta kishin menduar e as do ta kishin besuar kurrë. 25 vjet eksod! Shumë e lodhshme dhe e trishtueshme për një popull e komb.




