Gëzim Saliu
Tri amendamente të LSI-së në Kuvend: 20% nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë në fondet e Ministrisë së Shëndetësisë. Kontroll bazë shëndetësor deri në moshën 65 vjeç
Lëvizja Socialiste për Integrim deklarohet kundër aplikimit të progresivitetit në taksim për biznesin fason. Pjesë e tri amendamenteve të dorëzuara nga Kuvend për projektbuxhetin, ky propozim i LSI-së, që bie në kundërshtim me paketën fiskale të propozuar nga qeveria “Rama”, mbështetet në kërkesën për të ruajtur tatimin mbi të ardhurat mbi këtë biznes në masën 10%. “Propozimi ynë që, për sa i takon biznesit fason, tatimi mbi të ardhurat lidhur me këtë biznes të vazhdonte të qëndronte në masën 10%, për disa arsye themelore. Së pari, ky biznes ka qenë vërtet një motor punësimi për shoqërinë shqiptare dhe ka përballuar një peshë punësimi të rëndësishme, duke qenë edhe një mbështetje sociale shumë e rëndësishme për mijëra punonjës shqiptarë, të cilët punësojnë këto biznese e që vijnë nga shtresa të varfra të popullatës. Së dyti, sepse nëpërmjet këtij biznesi ka një komunikim të rëndësishëm me biznesin ndërkombëtar, që ka gjetur partneritetin e tij në Shqipëri dhe si e tillë Shqipëri shihet qartë si një vend ku mund të transferohen biznese të huaja të rëndësishme e të funksionojnë në Shqipëri. Së treti, nuk duhet të harrojmë që nëpërmjet një tatimi të tillë për specifikën, që ka biznesi fason, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend tërheqës për bizneset e huaja, të cilat kësisoj do të preferonin ta zhvillonin atë më mirë në Shqipëri sesa në vendet fqinje në Ballkan”, – bëri të ditur dje kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, duke shtuar se ruajtja e të njëjtit nivel taksimi do të shërbente si një stimul zhvillimi për biznesin fason, i cila ka qenë, sipas forcës së drejtuar nga Ilir Meta, një mundësi punësimi e pandërprerë edhe në momentet më të vështira ekonomike të Shqipërisë.
Amendamentet
Pjesë e amendamenteve të LSI-së, të dorëzuara në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës, është edhe shtimi i buxhetit për sistemin shëndetësor, me një pjesë të të ardhurave që vijnë nga akciza e duhanit. “Në mënyrë konkrete grupi parlamentar i LSI-së ka propozuar që së paku 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si një fond shtesë në fondet e Ministrisë së Shëndetësisë. Shtimi i këtyre fondeve në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë do të ishte shumë i rëndësishëm, jo vetëm për organizimin e fushatave të promocionit për luftën kundër duhanit, jo vetëm për të zbatuar mirë ligjin për duhanin në ambientet publike, por edhe për të reflektuar për shtesa të caktuara të barnave në mënyrë të veçantë për sëmundjet respiratore, pra të rrugëve të frymëmarrjes, që shkaktar kryesor kanë pirjen e duhanit”, – tha Vasili. Po ashtu, një tjetër amendament i LSI-së është ai që ka të bëjë me rritjen e moshës për kontrollin bazë shëndetësor falas për të gjithë shqiptarët nga 40-60 vjeç që është në paketë, në 40-65 vjeç. “Ne kemi propozuar gjithashtu një ndryshim tjetër që ka lidhje përsëri me shëndetësinë, që ka të bëjë me “check-up”-in, pra kontrollin nga mosha 40 deri në 60 vjeç, siç është propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, propozim që ne e mbështesim në tërësinë e tij, por është shumë e rëndësishme që ky “check-up” të zgjerohet deri në moshën 65 vjeç për disa arsye të rëndësishme që janë arsye të karakterit edhe shkencor, por edhe fiziologjik, sepse, siç mund ta gjykoni edhe ju lehtësisht mbulohet një fashë aktive”, – pohoi kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Amendamentet e LSI-së
Tatimi mbi të ardhurat për biznesin fason të vazhdojë të qëndrojë në masën 10% (në paketën fiskale është përcaktuar që tatimfitimi mbi kompanitë e fasonit të rritet nga 10 në 15 për qind)
20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si një fond shtesë në fondet e Ministrisë së Shëndetësisë
Kontroll bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët nga 40-65 vjeç (qeveria ka parashikuar që kontrolli bazë shëndetësor të jetë vetëm për shqiptarët nga 40-60 vjeç)
Propozimet e LSI-së
Përplasje me qeverinë për 10% e fasonit: Jemi kundër
Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar dje në Komisionin e Ekonomisë që tatimfitimi për biznesin fason të mbetet në dhjetë për qind, gjë që nuk është pranuar nga qeveria. “Në qëndrimin tonë, për momentin ne jemi kundër përjashtimeve. Do të hartojmë në një kohë jo të gjatë, një sërë incentivash që lidhen me bizneset”, – tha Ervin Mete, zëvendësministër i Financave. Po ashtu, qeveria nuk ka pranuar as propozimin e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, deputetit socialist Erjon Braçe që taksimi për manifakturën të jetë zero, sepse kjo, sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Financave, do kishte efekte të mëdha financiare për buxhetin. “Për manifakturën të jenë zero, me kusht të jetë investimi brenda territorit shqiptar. Nëse ju e keni të vështirë këtë gjë, ta diskutoni tani, qoftë brenda jush, qoftë me FMN-në, do të preferoja që më mirë të diskutoni për një moment të dytë këtë propozim”, – tha Braçe. Ndërkohë, Mete iu përgjigj duke pohuar: “Për momentin nuk mund ta mbështesim një propozim të tillë, edhe për faktin se ka një efekt të konsiderueshëm në buxhet”. Një tjetër propozim ka qenë ai i deputetit të PD-së, Dashamir Shehi, i cili kërkoi që tatimfitimi për to të shkojë në 7.5 për qind njëlloj sa biznesi i vogël, por zëvendësministri i Financave ka kërkuar kohë për ta shqyrtuar masën, për të cilën do të ketë një vendim përfundimtar ditën e sotme. Sipas paketës fiskale, të propozuar nga qeveria, tatimfitimi mbi kompanitë e fasonit rritet nga 10 në 15 për qind.
Në Kuvend
Pijet energjike me akcizë, votohet nen për nen nga mazhoranca paketa fiskale
Pijet energjike, nga 1 janari 2014, nuk do të jenë më pjesë e kategorisë “Pije freskuese”, por do të konsiderohen si produkte luksi, duke u taksuar me akcizë. Kjo e fundit është përcaktuar që të jetë 50 lekë për litër dhe, sipas deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, kjo taksë nuk rrit ndjeshëm koston e tyre. “Problemi i parë është ajo që unë ju kam kërkuar edhe këtu në Komision, futjen nën regjimin e akcizës për pijet energjike, pra pijeve joalkoolike që përmbajnë substanca stimuluese dhe shkaktojnë stimulim fizik dhe mendor, zakonisht përmbajnë kafeinë, taorin, vitamina, aromatizues. Për propozimin e parë niveli i akcizës për pijet energjike, propozimi im është 50 lekë për litër”, – tha Braçe në diskutimin në Komisionin e Ekonomisë. “Jemi dakord me propozimin, pra 50 lekë për litër, kjo është jona, në fakt ka në nevojë që të bëjmë edhe një saktësim, termin pije energjike”, – u shpreh zv.ministri i Financave, Ervin Mete. Po ashtu, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, mazhoranca ka votuar 1 për 1 nenet e paketës fiskale, në një kohë që opozita ka protestuar, pasi ka votuar kundër çdo neni. Sa i takon ligjit për pagesën e kontributit shoqëror dhe shëndetësor në fshat e qytet, opozita ka pretenduar se tarifat e reja u shtojnë barrën fermerëve. Deputeti i PD-së, Shrefedin Shehu, kërkoi që të specifikohet se sa do të paguajnë sigurime shëndetësore fshatarët. “Ia keni fut kot. Specifikoni sa do të paguajnë fshatarët sigurime”, – u shpreh Shehu, ndërkohë që deputeti i PS-së, Ervin Koçi, tha: “Ligji përcakton qartë se sa paguan fshati”.




