Zhdukja e portofolit/ “Në portofol gjetëm kartën e identitetit të Olldashit”

Anxhela Tato

 

Dëshmia e 2 policëve që mbërritën të parët në vendngjarje, gjetën portofolin e viktimës

Prokuroria, portofoli është grabitur, nuk humbi gjatë rrokullisjes së automjetit

 

 

makina-e-olldashitPortofoli i ish-deputetit Sokol Olldashi është identifikuar në aksident nga punonjës policie. Njëri prej tyre në dëshminë e dhënë para prokurorëve të çështjes ka rrëfyer se natën e ngjarjes ka parë portofolin, ku ka nxjerrë edhe kartën e identitetit që e ka ndihmuar të identifikojë viktimën. Efektivi i policisë është shprehur se natën e ngjarjes kur kanë gjetur makinën e përmbysur, personi ishte shumë i dëmtuar dhe vështirë të identifikohej. “Hapëm portofolin dhe pamë kartën e identitetit për ta identifikuar. Më pas nuk e di se çfarë ka ndodhur me portofolin. Për prokurorinë kjo dëshmi pohon edhe një herë tjetër faktin se portofoli është grabitur natën e aksidentit tragjik. Sipas organit të akuzës bie poshtë aludimi se portofoli mund të kishte humbur gjatë rrokullisjeve të makinës, pasi është gjetur nga dy punonjësit e policisë që kanë mbërritur të parët në vendin e ngjarjes. Nga ana e organit të akuzës është kërkuar zbardhja e gjithë procedurave të kryera atë natë duke nisur nga njoftimi në sallën operative për të vijuar me procesverbalet e këqyrjes së vendit të ngjarjes, dëshmitë, çka kanë parë punonjësit. Burime bëjnë me dije se gjithë pesha e dyshimeve bie mbi banorët e zonës, të cilët kanë shkuar të parët tek makina e përmbysur. Ndërsa nga dëshmitë e efektivëve të policisë, nuk ka figuruar asnjëri të ketë gisht në këtë episod të turpshëm. “Portofoli nuk u gjet mes provave të fiksuara në vendngjarjen, e aksidentit fatal ku humbi jetën deputeti, dhe ky ishte i vetmi send që nuk është marrë në dorëzim nga të afërmit  e tij. Ky i fundit nuk është fiksuar në procesverbalet e prokurorisë dhe policisë së Tiranës, pasi sipas burimeve nuk është gjetur në vendngjarje, por as brenda ambienteve të makinës Benz-Mercedes me targë AA 003 HN. Dyshimet flasin se portofoli mund të jetë vjedhur nga persona që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, duke përfshirë këtu dhe banorë të zonës. Ndërkohë në makinën e Olldashit u gjet  telefoni, ora, dy libra të grupit “Bitëlls”, një libër ekonomik, 20 pako duhan të bluar, qindra filtra cigaresh si dhe dy Lap-Top”, – thotë një burim nga organi i akuzës.

 

Kallëzimi

Pas aksidentit, pasi i janë dorëzuar familjes sendet personale të deputetit Sokol Olldashi, ka pasur një paqartësi nisur me provat e gjetura në vendin e ngjarjes. Këtu ka nisur një kërkesë llogarie ndaj ekspertëve, oficerëve, mjekëve e të gjithë personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, për shkak se familja pretendon se nuk u është kthyer portofoli i të ndjerit. Burime nga grupi hetimor thanë se në vendin e ngjarjes, brenda, por edhe jashtë makinës nuk është gjetur asnjë portofol. Ndërsa u  verifikuan me imtësi edhe rrobat që kishte veshur Olldashi në momentin e aksidentit, një pulovër me ngjyrë jeshile dhe një palë pantallona kadife, në xhepat e të cilave nuk është gjetur portofol.  Një përfaqësues i familjes Olldashi është paraqitur fillimisht në polici dhe prokurori, duke kërkuar portofolin personal të të ndjerit Olldashi, por që në fakt pas verifikimeve të kryera është konstatuar se ky send nuk është shkruar në listën e provave të gjetura në vendin e aksidentit. Pavarësisht kësaj nga ana e prokurorisë së Tiranës iu është dhënë garanci përfaqësuesit të familjes Olldashi që do të bënin një rikontroll tjetër të provave, me shpresën e gjetjes së portofolit, në të cilin ish-deputeti i PD Sokol Olldashi, kishte një sasi lekësh dhe disa karta elektronike bankomati. Por edhe pas verifikimeve nuk pati asnjë zhurmë nga portofoli, i cili u zhduk në mënyrë të mistershme.

 

 

 

Ekspertiza

Ikonat e Gjergji Thimos të vjedhura në 4 kisha shqiptare

Ekspertiza e ikonave të Gjergji Thimos zbulon se objektet relike kishtare rezultojnë të grabitura nga katër kisha në vendin tonë. Ndërsa 21 prej tyre i përkasin trashëgimisë kulturore maqedonase, në pritje të kërkesës për kthimin e tyre në vendin e origjinës. Ndërsa policia ka bërë një gabim në numërim duke shënuar 477 në vend të 476. Ky është rezultati i ekspertizës së 11 ekspertëve ikonografë. Reliket fetare janë grabitur në Kishat e Shën Thanasit në Voskopojë, Kisha e Shën Thanasit të Karavastas në Lushnjë, Kisha e Shën Marisë në Bishtqethun të Lushnjës dhe Kishën e Manastirit në Spille. Në raportin e 11 ekspertëve që ekzaminuan objektet e sekuestruara në banesën e koleksionistit Gjergji Thimo dhe mikut të tij, Arben Spaho, janë renditur të gjitha veçoritë e tyre. Përveç këtyre kishave, ekspertët kanë konstatuar se 21 prej këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore janë grabitur në Kishat e Maqedonisë, nga ku pritet ardhja e kërkesës zyrtare për kthimin e tyre. Sipas raportit, 21 prej këtyre objekteve nuk janë pjesë të trashëgimisë kulturore edhe pse disa prej tyre janë objekte të vjetra rreth 100 vjeçare. Këto objekte, rezultojnë të çertifikuar nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore. Pjesa tjetër, prej 454 objektesh janë trashëgimi kulturore dhe sipas legjislacionit janë në pronësi të shteti shqiptar. Por gjatë vrojtimit të këtyre objekteve, rezulton se 15 baldakinët e ikonostasëve, të cilat janë pjesë druri unikal e të gdhendur në mënyrë artistike janë sharruar dhe gjymtuar. Datimi më i hershëm i këtyre objekteve i takon shekullit 16 dhe 17 që i përket ikonës “Krishti Pantokrat”, që është prej druri dhe tempera. Ekspertët, në raportin 34 faqesh kanë pikasur edhe një gabim, pasi në procesverbalet e sekuestrimit të policisë janë shënuar 477 objekt të sekuestruara, ndërsa në gjendje realisht ndodheshin 476 objekte.

Kallëzimi

Kallëzimi penal i Arben Spahos do të jetë një nga pikat kryesore, ku do të bazohet akuza e prokurorisë ndaj koleksionistit Gjergji Thimo. Sipas tij, Gjergji Thimo i kishte pranuar disa here që ikonat janë të vjedhura në Kishat e Përmetit, Gjirokastrës, Korçës e disa në Maqedoni. Shtetas shqiptar i vidhnin atje dhe sipas tij ia shisnin Gjergjit. Në kallëzimin e tij Arben Spaho pohon se bashkëshortja e Thimos ka studiuar për pikturë dhe ndërhynte në ikona, duke i ndryshuar autorësinë. Pasi fshihej autori i ikonës, ishte më e lehtë që objekti të shitej. Arben Spaho kërkonte prej kohësh një borxh ndaj Gjergji Thimos dhe ky i fundit e informonte vazhdimisht për shitjen e ikonave. Veç kësaj prokuroria bën me dije se në tre raste janë dorëzuar në Qendrën e Invetarizimit të trashëgimisë kulturore tre certifikata të falsifikuara dhe të plotësuar nga një profesor, i cili ndodhet në gjendje kome prej tre vitesh. Nga ana e tij, Thimo ka pretenduar para gjykatës se ishte i licencuar në veprimtarinë e tij dhe se në asnjë rast nuk ka shitur jashtë shtetit vepra arti.

 

Share it :