Florenc Drizari
Subashi: Ligji për amnistinë, jo vetëm të zgjerohet edhe pak, por të kemi parasysh disa momente të rëndësishme si “parimi i proporcionalitetit”
Zgjerohet sërish numri i përfituesve nga amnistia. Deputetët e pozitës dhe të opozitës në Komisionin e Ligjeve miratuan në tërësi projektligjin “Për dhënie amnistie”. Ndryshimet e reja që u kaluan dje tek Ligjet bëjnë të mundur të përfitojnë nga nisma edhe personat e dënuar me burgim të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë vuajtur efektivisht 9/10 e dënimi të dhënë, pavarësisht ndalimeve të parashikuara në nenin 4. Në këtë afat nuk llogariten uljet e dënimit, faljet ose çdo përfitim tjetër sipas ligjit. Në nenin katër të këtij projektligji përfshihen dënime më të rënda që i kalojnë tre vitet burgim që parashikon amnistia.
Sipas ndryshimeve të mëparshme, rreth 350 të dënuar pritet të dalin nga burgu pas miratimit të projektligjit “Për dhënie amnistie”, por që me ndryshimet e reja, ky numër pritet të jetë edhe më i lartë. Projektligji i amnistisë u ndryshua nga varianti i parë i qeverisë, duke zgjeruar kategoritë që përfitojnë dhe kohën e vuajtjes së dënimit.
Në nenin 3 të nismës, përfitojnë nga amnistia: a) personat e dënuar me burgim deri në 3 vjet me gjobë apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Përfitues do të jenë dhe ata persona të dënuar femra që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4.
Gjithashtu, do të përfitojnë dhe personat e dënuar meshkujt që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4. Nga nisma e re e miratuar me konsensus nga të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve, përfitojnë edhe personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4.
Anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, dhanë pëlqimin e tyre që të përfitojnë nga nisma e re dhe personat e dënuar me burgim të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë vuajtur efektivisht 9/10 e dënimi të dhënë, pavarësisht ndalimeve të parashikuara në nenin 4. Në këtë afat nuk llogariten uljet e dënimit, faljet ose çdo përfitim tjetër sipas ligjit.
Relatoi i këtij drafti në Komisionin e Ligjeve, deputeti socialit Armando Subashi, sqaroi dhe ndryshimet e propozuara me konsensus nga të gjithë anëtarët. “Nga pikëpamja proceduriale mund të jetë propozimi im, por nga pikëpamja e asaj ç’ka është paraqitur, besoj që pasqyron të gjithë shqetësimet që ngritën kolegët në seancën e kaluar, me idenë që ligji për amnistinë, jo vetëm të zgjerohet edhe pak, por të kemi parasysh disa moment të rëndësishme si ‘parimi i proporcionalitetit’ dhe aq më tepër t’i kushtohet një kujdes më i veçantë, qoftë të dënuarave gra në raport me moshën e tyre, qoftë të dënuarve burra në raport me moshën e tyre, qoftë të dënuarve të mitur”, – deklaroi Subashi.
Projektligji “Për dhënie amnistie” pritet të votohet në seancën e ardhshme plenare.
Majko: Nuk do ta votoj një amnisti pa opozitën
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, gjatë debateve të djeshme në Komision, vuri theksin se mes pozitës dhe opozitës duhet një konsensus i gjerë për këtë projektligj. Nëse nuk do të ketë një marrëveshje, Majko tha se nuk do ta votonte një ligj të tillë. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga deputetë të opozitës se zgjerimi i amnistisë do çonte deri për “lirimin e terroristëve”, Majko tha se një shqetësim i tillë nuk ekziston.
“Amnistia nuk është e Partisë Socialiste por e Kuvendit. Nëse opozita ka shqetësime që lidhen me sigurinë kombëtare apo rendin publik, të shprehet qartë. Nuk do ta votoj një amnisti që nuk ka votën e opozitës. Amnistia nuk ka kuptim pa bashkëpunimin e palëve. Pata mirëkuptimin e kolegëve të mi dhe të opozitës. Sot, amnistia në Komisionin e Ligjeve kaloi me votat e të gjithëve”, – ka sqaruar më pas deputeti Majko. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në tërësi projektligjin “Për dhënie amnistie”. Drafti i qeverisë mori edhe votat e opozitës.
Noka: Qeveria po e bën amnistinë për shpërblime politike pas fushatës
Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, edhe pse u shpreh dakord në parim dhe projektligjin për dhënie amnistie, ai ngriti dyshimet e tij se qeveria e ka paraqitur draftin si një formë shpërblimi pas fushatës elektorale të 23 qershorit.
“Të gjithë jemi dakord në parim për amnistinë, por momenti na bën të dyshojmë se mos po përdoret për shpërblime politike sepse e keni pas fushatës, por kam përshtypjen se po përdoret”, – deklaroi Noka gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Sigurisë, ku u miratuan projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve” si dhe projektligji “Për dhënie amnistie”. Mbledhja djeshme vijoi u shoqërua me debate për shqyrtimin e projektligjin “Për dhënie amnistie”. Deputeti i PS-së, z. Armando Subashi, ka shpjeguar ndryshimet në projektligj. “Ky projektligj synon përjashtimin nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit e të gjithë personave që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimi i humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik”, – tha Subashi. Për këtë projektligj pati diskutime të zgjatura mes deputetëve dhe në fund, anëtarët e komisionit kanë votuar pro në parim.
Neni 4 i projektligjit, ja kategoritë që nuk përfitojnë nga amnistia
• krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74 e 75 të Kodit Penal;
• krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, dhe 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81 të Kodit Penal dhe vrasje e mbetur në tentativë, si dhe në nenin 77 të Kodit Penal Ushtarak;
• vepra penale, të kryera me dashje, kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafi i dytë i nenit 88, dhe 89/a të Kodit Penal;
• krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a,108 e 108/a të Kodit Penal;
• vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë i nenit 109/b, 109/c, paragrafi i dytë, i nenit 110, 110/a, 110/b, 110/c dhe 111 të Kodit Penal;
• vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114, në paragrafin e dytë dhe në paragrafin e tretë të nenit 117 të Kodit Penal;
• vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e tretë të nenit 124/b, nenet 128/a, 128/b e 130/a të Kodit Penal;
• vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, paragrafi i dytë i nenit 137/a, paragrafi i dytë i nenit 138, 138/a, 139, 140, 141, paragrafi i dytë i nenit 141/a, paragrafi i dytë i nenit 143, 143/a, 144/a, paragrafi i tretë i nenit 152, 175, në paragrafin e dytë dhe në paragrafin e tretë të nenit 180 të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 59 të Kodit Penal Ushtarak, e në nenin 186 të Kodit Penal;
• vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenin 206/b të Kodit Penal;
• krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225 të Kodit Penal;
• krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228 të Kodit Penal;
• vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, e 232/b, 233, 234, 234/a e 234/b të Kodit Penal;
• krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 250, 258, 259, 259/a, 260, 265, 266, 270, paragrafi i parë dhe i katërt i nenit 278, 278/a, paragrafi i dytë i nenit 279, paragrafi i dytë i nenit 282, 282/a, 283, 283/a, 283/b, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 286, 287, 287/a, 288, paragrafi i dytë i nenit 289, 290, si dhe paragrafët e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të nenit 298 të Kodit Penal dhe në nenin 70 të Kodit Penal Ushtarak;
• vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e të Kodit Penal;
• vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 325, 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 329, 330, 330/a, 331 dhe 332 të Kodit Penal;
• vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.




