Zgjedhjet në PD Demokratët ndryshojnë statutin, ja procedurat e votimit dhe afatet e zgjedhjes

Ina Jano

berisha propozonPD duhet që të ndryshojë statutin, për t’ju përgjigjur kërkesës së Berishës për zbatimin e parimit “një anëtar, një votë”

 

Që pas të mërkurës, ditës kur Kryeministri Berisha njoftoi largimin e tij të parevokueshëm nga të gjitha funksionet e tij në Partinë Demokratike, që ai e drejtoi për 22 vjet, gara për liderin e ri të kësaj force politike, është “patatja e nxehtë” e politikës shqiptare. Mesditen e së premtes kryesia e PD-së u mblodh për ti hapur rrugës nisjes së procedurave për zgjedhjen e liderit të ri. Në fjalën e tij të mbajtur, zoti Berisha u zotua se do të qëndrojë në krye të selisë blu derisa të jetë zgjedhur kryetari i  ri për të organizuar edhe zgjedhjet. Megjithatë si një force politike demokratike ai pati edhe disa propozime. Pas LSI-së në 2009 dhe PS-së në 2011, tashmë është radha e demokratëve që të zgjedhin kryetarin e tyre me anë të parimit, “një anëtar, një votë”, zgjedhje këto të cilat pritet që të përmbyllen deri në fund të korrikut ose maksimumi në fillim të gushtit, për të realizuar një opozitë të fortë që në javët e para të shtatorit për fillimin e sesionit të ri parlamentar.

Atmosfera

Në selinë blu, aktivitetet kanë qenë të pakta dhe po ashtu hyrjet e daljet, ndërsa e njëjta gjë mund të thuhet edhe për  ato të Kryeministrit i cili do të qëndrojë në detyrë deri në shtator, sapo të formohet qeveria e re e kryesuar nga socialisti Rama. Demokratët janë të pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, por më të shumtë në numër janë ata që nuk pranojnë që Berisha të mos jetë më në krye të demokratëve, ndërsa adhurimin ndaj liderit të tyre e kanë shprehur në mënyra nga më të ndryshmet, nga tatuazhet me portretin e Kryeministrit e deri tek komentet dhe mesazhet prekëse në faqen e tij në Facebook.

Procedurat

Kryetari i partisë më të madhe të djathtë në vend do të zgjidhet me parimin një anëtar një votë. Të gjithë kandidatët kanë afat deri të premten për të zyrtarizuar emrin dhe për të regjistruar pranë sekretariatit, të gjitha gjeneralitetet e tyre. Me propozim të liderit historik Berisha, për kreun e selisë blu mund të kandidojë çdo person që ka qenë i anëtarësuar në këtë forcë politike, pa qenë nevoja të jetë deputet apo anëtar i forumeve më të larta drejtuese të saj. Deri në tani, Partia Demokratike ka një anëtarësi prej 95 mijë personash, me të drejtë vote, që do të thirren në votim ditën kur do të zhvillohet gara. Po ashtu sipas vendimit të kryesisë së PD-së, mbledhur të premten, më 28 qershor është vendosur  që deri ditën e nesërme mund të behën anëtarësime të reja të cilët do të kenë të drejtën e votës për këto zgjedhje. Kryeministri Berisha deklaroi se dokumentacioni i kandidatëve për kryetar të PD duhet që të dorëzohet në kryesinë e demokratëve. Ajo që bëhet e ditur është dokumentacioni i kandidatëve për deputetë do të shkojë në zyrën e organizimit të PD. Nga ana tjetër zyra e organizimit do të përgatisë listën e anëtarësisë duke e printuar për secilin kandidat të ndarë sipas qarqeve, seksioneve dhe grup seksioneve si dhe do të japë kodin e databazës së listës së dixhitalizuar të anëtarësisë. Mësohet se do të ngrihen dhe komisionet e numërimit të votave, ku secili kandidat do të ketë përfaqësuesin e vet, për të shmangur të gjitha kontestimet e mundshme, për një proces që të djathtët presin që të jetë demokratik dhe një garë e ndershme.

Statuti

Pas vendimit të fundit të Kryesisë së PD-së, brenda ditës së premte në sekretariatin e demokratëve do të regjistrohen kandidatët që do të marrin pjesë në garë. Më pas do të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i vetmi forum që mund të ndryshojë Statutin e partisë, i cili do të amendojë nenin 35, pika 4, për t’i dhënë të drejtën anëtarësisë të zgjedhë kryetarin e ri.  Vendimin për thirrjen e Kuvendit e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e partisë, me propozim të kryetarit. Në nenin 35, pika 2 e Statutit të PD-së, thuhet se vetëm Kuvendi Kombëtar mund të miratojë ndryshimet në ligjin e funksionimit të kësaj partie. Kryesia e PD-së do të përcaktojë gjithashtu kohën se kur do të bëhet fushata elektorale si dhe datën e votimit.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :