Gëzim Saliu
“Projekt ringritjeje me një opozite të mbështetur mbi fakte dhe argumente që sot dëgjohet dhe përqafohet nga qytetarë e votues”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tregohet i prerë dhe i drejtpërdrejtë në mesazhin dërguar demokratëve për procesin e zgjedhjeve brenda strukturave blu, duke theksuar se i vetmi pushtet që do të diktojë këtë garë do të jetë ai i votës. Pjesëmarrës në analizën dhe zgjedhjet e zhvilluara në grupseksionin nr.2 në qytetin e Fierit, kreu i demokratëve theksoi dje se askush nuk mund të ndikojë apo të urdhërojë për votimin e anëtarësisë, duke nënvizuar se PD do të mbetet e lirë, ashtu siç edhe ka lindur. “Pushteti në PD i përket votës. Këtë ju kam premtuar kur kam kandiduar, ua kam përsëritur pasi më keni zgjedhur, këtë ju përsëris edhe sot. Zgjedhja nuk është në dorën time, zgjedhja është në dorën tuaj, gjithsecilit prej jush. Ju do të zgjidhni me votë, ju do të përcaktoni me votë njerëzit dhe njerëzit do të marrin përgjegjësitë për shkak të votës suaj. Askush nuk ka tagër t’u thotë se për kë të votojnë e për kë të mos votojnë; askush nuk ka tagër t’ju bëjë suflerin. Partia do të mbetet e lirë, ashtu siç ka lindur dhe është synimi im madhor, objektivi im numër një, në krye të PD, ta zgjeroj e konsolidoj këtë liri për anëtarësinë e PD”, – u shpreh Basha.
Situata tek PD-ja
Për kryedemokratin, projekti i ri i PD-së po kthen besimin, jo vetëm tek demokratët, por edhe tek të gjithë shqiptarët, të cilët, sipas Bashës, janë mashtruar dhe zhgënjyer nga mazhoranca e majtë. “Kjo parti e ka një projekt sot, ka një projekt ringritjeje përmes hapjes, bashkimit, ribashkimit, fillimit të ri. Po të mos ishte kjo, nuk do të kishim pasur këtë vërshim anëtarësie që ne kemi pasur sot e kësaj dite, nga jugu në veri dhe që jemi dëshmitarë se po ndodh në Tiranë. Ka një projekt ringritjeje, përmes një opozite të mbështetur mbi fakte dhe argumente që sot dëgjohet, respektohet, pse jo edhe përqafohet nga qytetarë e votues që ndoshta dje as nuk mund t’u shkonte mendja t’i kthenin sytë nga PD-ja”, – pohoi kreu i PD-së. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se ky angazhim i PD-së do të rikthejë shpresën dhe besimin tek qytetarët e tek çdo demokrat, ku ndërkohë pritet që Basha të marrë pjesë në të gjitha konferencat zgjedhore të demokratëve në rrethe. Pavarësisht nga aksioni opozitar, PD ka vazhduar këto kohë procesin e zgjedhjeve dhe analizës brenda strukturave të saj, ku përkatësisht dje Mati ka përcaktuar kryetarin e ri të degës e ndërkohë që sot zgjidhet ai i degës së Sarandës dhe nesër votohet në degën e Lushnjës. Më pas pritet dega e Lezhës e deri në fund tek Tirana, e cila si dega më e madhe ende nuk ka mbyllur procesin e anëtarësimeve të reja. Parashikohet që në mes të korrikut, forca më e madhe e opozitës të ketë përfunduar procesin e zgjedhjeve në bazë, për t’u bërë gati për zgjedhjen e drejtuesve në qendër. Në përfundim të këtij procesi pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime në statusin e selisë blu. Më tej do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.
Basha merr pjesë në pelegrinazhin në Kishën e Shna Ndout në Laç
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i është bashkuar dy ditë më parë pelegrinazhit të mijëra qytetarëve të cilët morën pjesë në Kishën e Shna Ndout në Laç. Pas pjesëmarrjes në këtë festë, Basha theksoi se 12 qershori është një ditë e veçantë për të gjithë besimtarët katolikë. Dy ditë më parë te Kisha e Shen Ndout në Laç u mblodhën me qindra mijëra njerëz nga të katër anët e vendit, madje dhe përtej kufijve pikërisht për të “prekur” nga afër gjurmët e shenjtit. Pelegrinët që vizitojnë këtë kishë i përkasin të gjitha shtresave, duke përfshirë këtu, politikanë, ateistë, besimtarë e kështu me radhë. Të gjitha ata janë të mirëpritur në këtë Kishë, edhe pse vijnë me idenë se është një vend i mrekullive apo që ka fuqi që mund t’i ndihmojë dhe t’i mbrojë.
Zgjedhjet në PD/ Kadilli: Zgjedhim kryetarin e bëjmë analizën. Gjana: Anëtarësia në Tiranë është rritur me 40 %
Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin zgjedhor në degët e mëdha, ku pritet të zgjidhen krerët e rinj pwr ccdo qytet. I deleguari i selisë blu në qytetin e Lushnjes, Fatbardh Kadilli, tha dje se kuvendet e degëve krahas zgjedhjeve të strukturave drejtuese do të angazhohen dhe në një analizë të hollë të shakaqeve të humbjes së Partisë Demorkatike në 23 qershor. “Pas analizës, raportimit, që janë arsyet kryesore për të cilat mblidhen, kemi dhe zgjedhjet e kryesisë dhe kryetarit. Pothuajse është kryer pjesa dërmuese e të gjithë zgjerdhjeve në seksione dhe grupseksione”, u shpreh ai. Ndërkaq edhe pse pjesa kryesore e degëve është gati për zgjedhjen e strukturave drejtuese, Tirana si dega më e madhe është ende në proccesin e anëtarësimeve, të cilin e mbyll këtë javë. I deleguari për Tiranën, Jemin Gjana deklaroi se pas mbylljes së kësaj faze do të jetë një udhëzim i kryetarit të Partisë Demokratike, që do të hap procesin e zgjedhjeve.“Do dalë sigurisht udhëzimi për zgjedhje, i cili në princip besoj se dhe për Tiranën do jetë i njëjti me zgjedhjet që janë kryer në seksione dhe grupseksione nëpër rrethe. Nuk mund të jem tani për tani se si do të organizohet dega e Tiranës, do vazhdojë të mbetet një degë partie siç ka qenë apo do ketë një organizim tjetër. Sigurisht do të ketë dhe një udhëzim të ri”, theksoi ai për oranews. Nga ana tjetër, Gjana u shpreh optimist për fazën e parë, atë të antarësimeve, ku sipas tij ka tejkalim të numrit egzistues të anëtarëve. “ Ka një femonen të dytë gjithashtu që përveçse është tejkalur numri, ka një numër të madh anëtarësimesh të të rinjve. Në disa raste numri i atyre që anëtarësohen për herë të parë është 30 -40”




