Gëzim Saliu
OSBE, Rauning: Të plotësohen vendet vakante në KQZ, të shpolitizohet administrata
Mazhoranca tërhiqet nga qëndrimi i saj për ndryshimin e formulës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, pjesëmarrës në konferencën “Kodi Zgjedhor: Propozime për Përmirësim”, ku merrnin pjesë përfaqësues të KQZ-së, PD-së, si edhe kreu i OSBE-së, la të hapur dje mundësinë që mos ketë riformatim të institucionit kryesor të administrimit të zgjedhjeve. Ai theksoi se mazhoranca e sotme, do të ketë një tjetër qasje për institucionet, duke u siguruar atyre besueshmëri, ndërsa kritikoi lëvizjet e bëra para zgjedhjeve të 23 qershorit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me ndryshimin e shumicës qeverisëse. “Ata atë cilët emërohen anëtarë të KQZ-së, e marrin këtë detyrë dhe qëndrojnë në këtë detyrë për aq kohë sa ligji ka përcaktuar që duhet të jenë në atë detyrë. Nuk mund të lëvizin duke reflektuar ndryshimet e shumicave politike”, – u shpreh Celibashi.
PD për reformën zgjedhore
Ndërkohë, përfaqësuesi i opozitës në konferencën e djeshme, Oerd Bylykbashi, deklaroi dje se procesi për reformimin e Kodit Zgjedhore është i vonuar, duke nënvizuar nga ana tjetër se PD është e gatshme të përfshihet në këtë reformë me kushtin që ti ofrohet konsensus i vërtetë. Ndërkaq, ai bëri të ditur se për opozitën reforma territoriale nuk e pengon nisjen e procesit të reformës zgjedhore, ndërsa e cilësoi si zgjidhje të vetme për procesin një Komision Qendror të stabilizuar sipas kornizës ligjore të paracaktuar. “Ndërkohë që zhvillohet një reformë tjetër, siç është reforma territoriale-administrative, e cila ka një impakt të drejtpërdrejtë në procesin përgatitor zgjedhor, mirë që nuk zhvillohen në të njëjtën kohë, por kjo reformë nuk ka nisur. Opozita është e gatshme në çdo moment të hyjë në një proces konsensual, por me konsensus të mirëfilltë”, – tha Bylykbashi.
OSBE
Për OSBE-në me rëndësi parësore është plotësimi i vendeve vakante në KQZ dhe dhënia fund e atmosferës së mos besimit mes palëve politike në ven që njollos proceset zgjedhore. “Me afrimin e zgjedhjeve vendore të 2015 është pikërisht tani koha për të marrë masat. Nevojitet shpolitizimi i të gjithë administratës zgjedhore. Organet e administratës zgjedhore duhet të jenë plotësisht të pavarura. Përgjegjësia për zgjedhjet bien kryesisht mbi partitë. Kuvendi Shqiptar duhet të marrë masa të menjëhershme për të plotësuar vendet vakante në KQZ. Përbërja e pjesshme e KQZ ka penguar ndjeshëm funksionimin e saj siç duhet duke përfshirë edhe administrimin e zgjedhjeve”, – pohoi ambasadori i OSBE-së. Po ashtu Raunig kërkoi që të zbatohen sanksionet ndaj partive që nuk plotësojnë kuotën gjinore, dhe zgjidhja sipas tij ishte mosregjistrimi i kandidatëve në KQZ. Në traditën e vendosur mes partive në procesin zgjedhor, ndryshimet e kodit elektoral duhet të bëhen një vit para mbajtjes së zgjedhjeve, por sipas opozitës kjo vonesë do të shkaktojë edhe probleme për administratën të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.




