Zbardhet ngjarja e plotë/ Masakra, vrasje e katërfishtë, i dyshuar djali i deputetes, Kostandin Xhuvani

Alma Çuka

 Masakra në një lokal nate në Tiranë, katër të vrarë nga e njëjta pistoletë

 kostandin xhuvani lokali i vrasjes ante grande e rregulluarI dyshuari kryesor për vrasjet, djali i deputetes socialiste, Luiza Xhuvani. Të arrestuar edhe dy persona të tjerë. Policia sekuestron armën e krimit. Një tjetër armë gjendet në mjediset e lokalit. Të dyshuarit merren në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda

 Masakër me katër të vrarë në mes të Tiranës. Ngjarja ndodhi në lokalin e natës “Ante Grand” në Rrugën e Elbasanit, në orën 04:20 minuta, shumë pranë shkollës së mesme të gjuhëve të huaja. Katër viktima, mes tyre dhe një shtetas italian, i cili mbeti i vdekur pasi ndodhej në lokal në shoqërinë e miqve të tij në atë moment. Tashmë duket se gjithçka është zbardhur. Protagonist i gjithë masakrës dyshohet të jetë djali i deputetes socialiste, Luiza Xhuvani, Kostandin Xhuvani, i skeduar tashmë në listat e policisë, si person me precedent penal, por në të gjitha herët ka arritur të dalë me dënime qesharake, ose, pse jo, edhe herë të tjera pa u kapur nga policia. Të vrarë nga dora e Kostandin Xhuvanit në këtë ngjarje tragjike mbeten shtetasit Edison Jaho, vjeç 36, lindur në Berat dhe banues në Tiranë; Enea Xhaji, vjeç 38, lindur në Berat dhe banues në Tiranë; Arbër Demiri, 19 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ky i fundit është djali i ish-prokurorit të Apelit, Skënder Demiri. Po ashtu, i vdekur ka mbetur edhe Paolo Azzolo, 60 vjeç, me shtetësi dhe kombësi italiane dhe që besohet se nuk kishte lidhje me ngjarjen. Prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, të cilët u ndodhën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet, konkludojnë se gjithçka ka nisur pas konsumimit të tepërt të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike.

 

Arrestimi i të dyshuarve

Kostandin Xhuvani, i dyshuari i vetëm i kësaj masakre, u ndalua nga inspektorët e policisë, ndërsa largohej nga lokali i natës “Ante Grand”, ku sapo kishte vrarë 4 veta. Ai ishte nisur drejt Qytetit Studenti, me pistoletë në dorë dhe në fillim kërcënoi policët që tentuan ta ndalonin. Policia i sekuestroi pistoletën e tij pa plumba, pasi të gjithë i kishte shkrepur në lokal. Policia në njoftimin e saj zyrtar shprehet se Kostandin Xhuvani, gjatë rrethimit, tentoi të largohej duke përdorur armën, por fatmirësisht, ajo ishte pa plumba. Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë, Albano Bllacaj dhe Erald Sina, janë kapur në një distancë pak më tutje sesa vendi ku u prangos Xhuvani. Policia dhe Prokuroria tashmë kanë në dosje faktin se Kostandin Xhuvani, Albano Bllacaj, Erald Sina dhe Arbër Demiri, 19-vjeçari që humbi jetën, ishin shokë të ngushtë dhe që nga ora 10 e mbrëmjes së hënë ndodheshin në shoqërinë e njëri-tjetrit në lokal, duke konsumuar pije alkoolike dhe drogë. Dyshimet e policisë pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve bëjnë autor të vetëm Kostandin Xhuvanin, i cili tashmë duhet të shpjegojë me hollësi shkaqet e konfliktit që mori jetën e katër personave.

 

Vrasja e katër personave në pak minuta

Kostandin Xhuvani, sipas të dhënave të para të policisë dhe prokurorisë, ka qëlluar mbi dy viktimat, Edison Jaho dhe Enea Xhaji, dhe shkak mendohet të ketë qenë një konflikt i momentit. Dy viktimat kanë qenë të ulur në përballë tavolinës së Xhuvanit që ishte në shoqërinë e Arbër Demirit dhe Albano Bllacajt, kushërinj me njëri-tjetrin, dhe të Erald Sinës. Ata kanë qenë duke konsumuar alkool dhe drogë. Nga pyetja e dëshmitarëve rezulton se dy viktimat Jaho dhe Xhaji i janë afruar tavolinës së tyre dhe kanë kërkuar të konsumojnë drogë së bashku. Këtu ka filluar edhe konflikti, fillimisht me grushte. Më pas, Kostandin Xhuvani ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi ta, duke i lënë të vdekur në shkallët e brendshme të lokalit. Por plumbat në këtë moment nuk kanë kursyer as shokun e tyre Arbër Demiri, i cili mendohet se është ngritur për të normalizuar situatën dhe për të mos e lënë të degjenerojë në vrasje. Menjëherë autorët e masakrës janë ngritur duke marrë me vete dhe shokun e tyre Arbër Demiri për ta dërguar në spital. Arbër Demiri, 19 vjeç, humbi jetën në makinë, sipas policisë. Dy shokët e tij tentuan ta dërgonin në spital, por ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve, që mori nga pistoleta e Kostandin Xhuvanit. Në shkallët e lokalit, policia gjeti trupat e dy viktimave të tjera, Edison Jaho dhe Enea Xhaji. Viktima tjetër është italiani Paolo Azzolo, 60 vjeç. Shtetasi italian ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës. Policia tha se ai u vra rastësisht nga të njëjtët plumba që vranë Jahon dhe Xhajin, por që shpuan tejpërtej trupat e tyre.

 

Pyetja e dëshmitarëve 

Policia ka shoqëruar dhe ka marrë në pyetje 9 dëshmitarë, që ndodheshin në lokal, mes tyre pronarin, kamerierët dhe pjesëtarët e grupit muzikor. Në polici është shoqëruar edhe bashkëshorti i këngëtares popullore Maja, që ka parë gjithë skenën e krimit. Ai ka qenë i ulur në të njëjtën tavolinë me italianin, me të cilin janë bashkëpronarë në një biznes. Në polici është shoqëruar edhe pronari i lokalit, i cili ka dhënë versionin e tij, duke hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë. Po kështu, edhe persona të tjerë që kanë qenë shumë pranë vendit të ngjarjes dhe janë munduar të shuajnë konfliktin e nisur mes autorëve të krimit dhe viktimave.

 

Provat në vendin e ngjarjes

Brenda në lokal, policia gjeti 6 gëzhojat dhe një pistoletë tjetër me 7 plumba. Ajo mendohet të ketë qenë e viktimës Demiri, i cili, sipas policisë, nuk ka shkrepur armën. Demiri, sipas dëshmive të dhëna në polici, është munduar të shuajë konfliktin e nisur dhe të ndalojë Xhuvanin të shkrepte armën, por ra pre e plumbave të tij. Ndërkohë, kushëriri i tij, Albano Bllacaj, nuk mundi ta dërgonte në spital, megjithëse e kishin hipur në makinë, për shkak se Demiri humbi jetën sapo e nxorën nga mjediset e lokalit. Në cilësinë e provës, policia dhe prokuroria kanë pistoletat e sekuestruara, njëra brenda mjediseve të lokalit dhe tjetra në duart e Kostandin Xhuvanit. Janë shoqëruar gjithashtu rreth 20 persona në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të llojit pistoletë, 6 gëzhoja fishekësh luftarak si dhe dy automjete të markës “Mercedes-Benz”, njëri prej të cilëve me targa TR 0250 N.

 

I dyshuari i vetëm, djali i deputetes, Kostandin Xhuvani

Të gjitha provat e grumbulluara deri në këto momente për vrasjen e katër personave të çojnë vetëm tek një emër, Kostandin Xhuvani, njeri me precedentë të mëparshëm penalë. Pistoleta që mbante në dorë në momentin e rrethimit nga policia ishte bosh. Të gjithë plumbat ishin zbrazur mbi katër personat dhe rezistenca që bëri tregoi se në atë moment Xhuvani ka qenë i vetëdijshëm për atë që kishte bërë dhe për atë që e priste. Emri i tij u artikulua edhe nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes. Pronari i lokalit të natës dëshmoi pak orë pas krimit se i vetmi që derdhi plumbat ishte Kostandin Xhuvani. Ai gjithashtu i tregoi policisë edhe për debatet e para që çuan në konflikt fizik dhe degjeneruan në masakër me katër të vrarë.

 

Mblidhet grupi i prokurorëve

I menjëhershëm ishte veprimi i grupit të prokurorëve. Në orët e pasdites, grupi i prokurorëve u mblodh në ambientet e Prokurorisë së Tiranës për të analizuar ngjarjen e rëndë dhe provat e grumbulluara deri në ato momente. Për akuzën, arrestimi i autorëve të krimit dhe gjetja e armëve në vendin e ngjarjes, ka lehtësuar procedurat dhe zbardhjen e plotë të masakrës në një kohë sa më të shkurtër. Edhe dy personat e tjerë të dyshuar si autor të masakrës nuk mund të qëndrojnë pas në këtë ngjarje. Albano Bllacaj dhe Erald Sina, u arrestuan nga policia teksa po tentonin të largoheshin nga vendngjarja. Pas marrjes në pyetje dhe ballafaqimit të provave, pritet të dalin dhe akuzat zyrtare nga organi i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit.

 

Kush është Kostandin Xhuvani. Lidhja e tij me krimin

Konstandin Xhuvani, djali 25-vjeçar i deputetes socialiste, Luiza Xhuvani, dhe i regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani, etiketohet nga policia si një prej autorëve protagonistë të vrasjes të mëngjesit të së hënës. Por kjo nuk është hera e parë që Kostandin Xhuvani gjendet në dosjet e policisë. Në vitin 2011 ai kreu një vrasje, ku viktimë mbeti një i ri. Në datën 12 shkurt 2011, rreth orës 07:30 të mëngjesit, në rrugën “Ali Visha”, në shtëpinë e Albi Zelës, Kostandin Xhuvani qëlloi me pistoletë për një sherr banal mbi Alfred Musabelliun dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Gjykata e Tiranës do ta dënonte vetëm me dy vite burg Kostandinin, i cili kishte kryer vrasje. Në vendimin e Gjykatës, i cili mban datën 14 nëntor 2011, ka edhe një çudi tjetër: dënohet me 14 muaj dhe Albi Zela, mbi të cilin rëndonte vetëm akuza e “moskallëzimit të krimit. Para arrestimit, ai qëndroi i fshehur për 3 muaj me radhë dhe u dorëzua nga familja në polici vetëm pas negociatave të vazhdueshme të policisë me familjen. Dënimi i tij me vetëm 2 vjet u konsiderua si skandaloz.

 

Inspektimi

Pak ditë pas vendimit të gjykatës, më 23 nëntor të vitit 2011, ministri i Drejtësisë së kohës, Eduard Halimi, urdhëroi një inspektim të dosjes së Kostandin Xhuvanit në prokurori dhe gjykatë. Por rezultatet e inspektimit nuk u publikuan asnjëherë. Por historitë që e lidhin emrin e 25-vjeçarit me ngjare të rënda kriminale nuk përfundojnë këtu. Pas kryerjes së dënimit, Kostandin Xhuvani lirohet dhe sipas disa dëshmitarëve ai u vendos në Lazarat. Emri i tij është përfolur shumë nga kundërshtarët politikë të së ëmës. Madje një pjesë e tyre e kanë quajtur skandal dënimin e tij me vetëm dy vite burg dhe e kanë llogaritur atë si një nga rastet tipike të pandëshkueshmërisë në këtë vend. Po nga të njëjtët politikanë emri i tij u përdor edhe gjatë aksioneve të policisë në Lazarat. Ishte vetë policia e shtetit ajo që emrin e tij e publikoi në listën e personave të shpallur në kërkim, pasi dyshohej se po qëllonin me armë ndaj policisë. Mjaft nga ata që e panë emrin në atë listë u arrestuan, por jo Kostandin Xhuvani. Opozita e përmendi këtë fakt edhe në parlament. Por me një lëvizje spektakolare të dy ditëve më pas deputetja Luiza Xhuvani e solli atë në Tiranë përpara kamerave të vendosura në hyrje të Parlamentit për të treguar se ato që thoshin kundërshtarët e saj qenë të pavërteta. Tani kur Kostandin Xhuvani akuzohet për një vrasje tjetër të rëndë, pa tjetër duhet të rishikohet dhe procesi i tij i mëparshëm, që e la atë të lirë për një vrasje.

 

Share it :