Zbardhet axhenda/ Füle, sot në Tiranë: Dialog i Nivelit të Lartë për integrimin, negociata për ngërçin PS-PD

Gëzim Saliu

 

Reagimi i PD-së, Bregu: Rama nuk do opozitën për dialogun me BE-në, sot bëjmë me dije shkeljet

 

stefan fyle Ditën e sotme zhvillohet në Tiranë takimi i dytë në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku do të marrë pjesë edhe komisioneri për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë Evropiane, Stefan Füle. “Komisioni Evropian dhe komisioneri personalisht mbeten shumë të angazhuar për të vazhduar punën me Shqipërinë në rrugën e saj për në BE, duke përfshirë edhe Dialogun e Nivelit të Lartë, i cili ishte nisur me sukses vitin e kaluar për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit evropian”, – thuhej në njoftimin e zyrës së shtypit të BE-së. Dialogu i Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian pritet të nisë në orën 10:45 dhe do të zgjasë deri në orën 13:30, në hotel “Sheraton”, ku më pas pritet një konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe komisionerit Stefan Füle. Nga tryeza e parë e Dialogut të Nivelit të Lartë të mbajtur në muajin nëntor, u arritën disa përfundime të përbashkëta lidhur me 5 rekomandimet që BE i ka bërë Shqipërisë, para se ajo të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. “Në këtë raund do të shqyrtohet se çfarë është bërë në prioritete kyçe të integrimit në Shqipëri që prej raundit të parë që u zhvillua në nëntor dhe të shihet se çfarë mund të bëhet deri në qershor”, – bëri të ditur për “Abc news” zëdhënësi i eurokomisionerit, Peter Stano. Po ashtu pritet që vizitën e tij, komisioneri Füle të shfrytëzojë edhe për të negociuar me palët lidhur me përplasjet e shfaqura së fundmi mes tyre për ligjin e nëpunësit civil si edhe reformën administrative territoriale.

 

PD

Për takimin e sotëm të Dialogut të Nivelit të Lartë mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila ka akuzuar mazhorancën qeverisëse dhe Kryeministrin Rama për mungesën e përfshirjes së opozitës në diskutime. “Në takimin e parë të zhvilluar në fund të tetorit, kam kërkuar në emër të opozitës shqiptare një përfaqësim në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë, në të njëjtin format dhe me të njëjtat standarde që ka gëzuar opozita e djeshme, sot mazhorancë, në takimet për planin e veprimit për 12 prioritetet, pra përfaqësimin e opozitës parlamentare në nivel kryetarësh e nënkryetaresh të komisioneve parlamentare. Ia kam paraqitur zyrtarisht këtë kërkesë Kryeministrit të vendit, por përgjigjja ka qenë refuzimi për t’i ofruar opozitës sot, atë standard që vetë zoti Rama e ka gëzuar dje kur ishte në opozitë”, – tha deputetja e PD-së, Majlinda Bregu. Sipas kryetares së Komisionit Parlamentar të Integrimit, qeveria nuk e ndien nevojën që procesi i shqyrtimit të prioriteteve dhe procesit të integrimit të jetë gjithëpërfshirës. “Në këto kushte, ky Dialog i Nivelit të Lartë, nuk është dialog i nivelit gjithëpërfshirës. Pavarësisht nga ky qëndrim i mazhorancës qeverisëse, në përputhje me angazhimin tonë se si opozitë do të mbështesim pa kushte procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, në respekt të arritjeve që ky proces ka njohur gjatë qeverisjes sonë, por mbi të gjitha, në respekt të aspiratës së palëkundur të qytetarëve shqiptarë për ta parë Shqipërinë si gjithë Evropa, opozita do të jetë nesër e pranishme në Dialogun e Nivelit të Lartë”, – theksoi ligjvënësja demokrate. Në këtë kontekst, Bregu i bëri thirrje mazhorancës që të respektojë standardin e përfaqësimit në nivel kryetarë e nënkryetarë komisionesh parlamentare të opozitës, standard të cilin sipas saj, PD-ja në mazhorancë ia ka ofruar pa kushte opozitës së kaluar. “Ftoj Kryeministrin e vendit t’i bashkohet kërkesës sonë për një Dialog të Nivelit të Lartë, publik e me praninë e medias. Do të jemi nesër në takim për t’i bërë me dije edhe palës evropiane se shkelja e Kushtetutës, ligjit, mosrespektimi i vendimit të gjykatave, dhunimi i institucioneve të pavarura, shkatërrimi i administratës, shkallmimi i konsensusit politik, janë arsyet reale që po e dëmtojnë ecjen përpara në procesin e integrimit evropian”.

 

Ndryshimet në ligj/ Rregullat e reja: Si do të bëhet rekrutimi dhe pranimi i nëpunësve të lartë

 Procedura e pranimit për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore

Përcaktohen procedurat e emërimit, rekrutimit dhe përfundimit të marrëdhënies së punës për nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues. Në kuadër të ndryshimeve në ligjin e ri, duke përfshirë aktet nënligjore,qeveria ka vendosur dje që shkolla për krijimin e administratës publike të hapë procedurat, ku kandidatët që duan të aplikojnë, duhet të paraqesin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve një sërë dokumentesh. “a) Diplomën e shkollës së lartë; b) Jetëshkrimin (cv); c) Vërtetimi nga punëdhënësi aktual apo ai i mëparshëm, ku të përcaktohet vjetërsia në punë dhe fakti nëse ka apo jo masa disiplinore; ç) Dëshmi penaliteti; d) Deklaratë personale që nuk ka qenë anëtar i një partie politike për 3 (tre) vitet e fundit; dh) Vërtetim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme apo vendore të zhvilluara në 3 (tre) vitet e fundit, nën siglën e një partie politike”.

Procedura

Në procedurën e pranimit në kategorinë e nivelit të lartë drejtues për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore përcaktohet se ky proces bëhet me konkurrim të organizuar për një apo disa pozicione pune të lira dhe është i hapur vetëm për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese të shërbimit civil. Sipas ligjit, shpallja e procedurës të konkurrimit dhe të gjithë hapat e tjerë bëhen në Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, ku bëhen të ditura edhe të dhënat për pozicionin e punës, kriteret e përgjithshme, kërkesat specifike të pranimit si edhe datat për paraqitjen e aplikimit, zhvillimin e konkurrimit dhe shpalljen e rezultateve. “Aplikimi për konkursin kombëtar duhet të paraqitet brenda një periudhe të paktën 30-ditore nga shpallja për zhvillimin e konkurrimit. Kandidatët duhet të paraqesin pranë institucionit të pavarur/njësisë së qeverisjes vendore dokumentacionin, sipas kërkesave të përcaktuara në shpallje”. Ndërkohë, për emërimin e anëtarëve të nivelit të lartë drejtues në njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e pavarura pohohet: “Kandidatët e renditur të parët dhe mbi pragun minimal të 70 pikëve, në procedurën e pranimit në kategorinë e lartë drejtuese, organizuar nga institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore, emërohen në nivelin e lartë drejtues në pozicionin përkatës për të cilin është zhvilluar procedura e pranimit”.

 

 

Ligji i ri

Kush përfiton statusin e nëpunësit civil

Një tjetër vendim i marrë dje nga qeveria që lidhet me ligjin “Për nëpunësin civil” ishte edhe ai që përcaktonte se cilët përfitonin statusin e nëpunësit. Kështu sipas ligjit, statusi, të drejtat dhe detyrimet e titullarëve të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrit, të cilët nuk janë rekrutuar sipas procedurave të ligjit nr. 8549, datë 11.11.999, “Statusi i nëpunësit civil”, deri në përfundimin e procedurës së pranimit në TND, rregullohen sipas legjislacionit në bazë të të cilit ka lindur marrëdhënia e tyre e punës.  ““Nëpunës civilë”, sipas pikës 3, të nenit 67, janë të gjithë ata nëpunës që kryejnë funksione në shërbimin civil në momentin e fillimit të efekteve të ligjit nr. 152/2013 dhe që janë rekrutuar sipas procedurave konkurruese, përcaktuar nga ligji nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”. DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, apo njësia përgjegjëse, për institucionet e pavarura, bashkitë dhe qarqet, verifikon procedurën e rekrutimit dhe lëshon për çdo nëpunës aktin e deklarimit të statusit të punësimit, sipas ligjit nr. 152/2013, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”. Ndërsa punonjësit ekzistues që mbajnë një pozicion të konsideruar si pjesë të shërbimit civil, sipas ligjit nr. 152/2013, në institucionet e administratës shtetërore e në komunë dhe që janë të punësuar në të njëjtin vend pune për një periudhë më pak se një vit, janë nëpunës civilë në periudhë prove, e cila fillon nga data e fillimit të efekteve të ligjit. “Në rastin kur punonjësit nuk plotësojnë kriteret për të qenë nëpunës civilë, sipas ligjit nr. 152/2013 dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, DAP-i njofton njësinë e menaxhimit të burimeve njerëzore të institucionit përkatës, sipas afateve të përcaktuara në pikat 4 dhe 5, të kreut III, të këtij vendimi. Njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore vendos përfundimin e marrëdhënies së punësimit për këta punonjës”, – thuhej në vendim, ku përcaktohej se e njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e komunave, në të cilat do tyë jetë njësia përgjegjëse ajo që do të bëjë verifikimin.

 

Share it :