Gëzim Saliu
Dy fazat e konkursit të pranimit në administratë, kriteret e përzgjedhjes
Zbardhen ndryshimet e radhës në ligjin “Për nëpunësin civil”, ku përcaktohen procedurat për rekrutimin e personave që dëshirojnë të punësohen në administratën shtetërore, periudhës së provës rritjes së tyre në detyrë, si edhe shkollimin që duhet të zotërojnë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendosën gjithashtu edhe kriteret e konkursit për pranimin në administratë si edhe procedura e zhvillimit në dy faza të ndara. “Pranimet në administratë do të bëhen në bazë të një konkursi, që do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me njohjen e aftësisë se kandidatit dhe faza e dytë me vlerësimin e tij. Pranimi për punësim në administratë do të bëhet në dy faza. Faza e parë që do të jetë ajo e provës do të zgjasë deri në 1 vit, në rast se prova për 6 muaj nuk rezulton e suksesshme dhe pastaj do të ndiqen të tjera proceduara për të punësuar kandidatin që ka aplikuar për t’u punësuar në administratën shtetërore”, – thuhej në vendimin e qeverisë.
Ndryshimet
Për rekrutimin në administratën shtetërore, qeveria sqaroi se çdo procedurë do të jetë e publikuar për të interesuarit në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe faqen zyrtare të DAP-it. “Departamenti i Administratës Publike organizon procedurën e pranimit për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore, ndërsa njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore organizojnë procedurën për institucionet respektive”. Sa i përket procesit të konkurrimit, i cili do të zhvillohet në dy faza, përcaktohet se në vlerësimin e kandidatëve do të përfshihen: a) jetëshkrimi i kandidatëve, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të eksperiencës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore; b) vlerësimi me shkrim; c) intervista e strukturuar me gojë. Një tjetër ndryshim në ligj ka të bëjë me periudhën e provës së nëpunësit, e cila, sipas ligjit, zgjat një vit nga data e aktit të emërimit. “Gjatë periudhës së provës nëpunësi është i detyruar të ndjekë: programin e detyrueshëm të trajnimit për periudhën e provës pranë ASPA-s (shkolla e administratës publike) si edhe udhëzimet e nëpunësit më të vjetër civil, nën kujdesin e të cilit ai është vendosur. Ndërkohë sa i përket procedurës së lëvizjes paralele, e cila bëhet për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese në çdo institucion të shërbimit civil, në vendim thuhet se kushtet që duhet të plotësojë kandidati janë: a) të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon; b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi; c) të ketë të paktën një vlerësim pozitiv; ç) të plotësojë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Po ashtu pjesë e vendimit ishin edhe procedurat për ngritjen në detyrë të nëpunësit civil, ku ky proces do të jetë i hapur për nëpunësit civilë të një kategorie më të ulët, në të njëjtin institucion apo institucione të tjera të shërbimit civil. Për të përfituar ngritjen në detyrë, nëpunësi civil duhet të plotësojë disa kushte që kërkojnë: a) të jetë nëpunës civil i konfirmuar; b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi; c) të ketë të paktën një vlerësim pozitiv; ç) të plotësojë kushtet e tjera të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për klasifikimin e pozicioneve në shërbimin civil; d) të përmbushë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
1-Rekrutimi
-DAP-i organizon procedurën e pranimit për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore, ndërsa njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore organizojnë procedurën për institucionet respektive
-DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, krijon Komitetin e Përhershëm të Pranimit (në vijim KPP), për pranimin për çdo grup të administrimit të përgjithshëm/të posaçëm. 2. Pranë institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes vendore krijohet një Komitet i Përhershëm i Pranimit për secilin institucion
2-Konkurrimi
-Konkurrimi zhvillohet në dy faza:
a) Verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim
b) Vlerësimi i kandidatëve
Në vlerësimin e kandidatëve përfshihen:
a) vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të eksperiencës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore
b) vlerësimi me shkrim
c) intervista e strukturuar me gojë
Kandidatët me pikë të barabarta renditen sipas këtyre kritereve:
a) Në rast se njëri prej kandidatëve përfshihet në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, atëherë ai përzgjidhet i pari në raport me kandidatin tjetër
b) Në rast se kandidatët janë të gjinive të ndryshme, atëherë renditja bëhet duke u renditur i pari kandidati që i përket gjinisë më pak të përfaqësuar në grupin për të cilin konkurrohet. Gjinia më pak e përfaqësuar përcaktohet nga njësia përgjegjëse
c) Në rast se nuk mund të aplikohet asnjëra nga alternativat e mësipërme, atëherë renditja e kandidatëve me pikë të barabarta bëhet nëpërmjet shortit.
3-Periudha e provës
-Nëpunësi, që emërohet për herë të parë në shërbimin civil, i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e aktit të emërimit.
–Gjatë periudhës së provës nëpunësi është i detyruar të ndjekë:
a) programin e detyrueshëm të trajnimit për periudhën e provës pranë ASPA-s
b) udhëzimet e nëpunësit më të vjetër civil, nën kujdesin e të cilit ai është vendosur
-Nëpunësi më i vjetër civil përzgjidhet nëpunësi, i cili ka vjetërsinë më të madhe në detyrë dhe që bën pjesë në të njëjtën njësi organizative ku është emëruar nëpunësi në periudhë prove.
-Nëpunësi më i vjetër civil duhet të jetë i së njëjtës kategori ose i një kategorie më të lartë dhe caktohet nga eprori direkt i nëpunësit në periudhë prove
-Eprori direkt, në rast largimi apo pamundësie të ushtrimit të detyrës nga nëpunësi më i vjetër në detyrë, merr masa për zëvendësimin e tij me nëpunësin e dytë më të vjetër në detyrë brenda së njëjtës njësi organizative.
–Vendimi në përfundim të periudhës së provës merret bazuar në:
a) rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të detyrueshëm të trajnimit në ASPA
b) vlerësimin e rezultateve individuale në punë i cili bëhet sipas procedurave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për vlerësimin e arritjeve vjetore
-Eprori direkt është i detyruar të vendosë:
a) konfirmimin e nëpunësit civil, nëse ka përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm në ASPA dhe është vlerësuar të paktën “kënaqshëm”
b) zgjatjen një herë të vetme deri në 6 (gjashtë) muaj të periudhës së provës, në rast të mospërfundimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm në ASPA, pamundësisë së vlerësimit të plotë të nëpunësit, në rastet e mungesës në detyrë të nëpunësit për shkak të trajnimit afatgjatë, raportit mjekësor afatgjatë dhe në raste të tjera, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, të cilat rregullojnë mungesën në detyrë të nëpunësit
c) moskonfirmimin e nëpunësit civil
4-Lëvizja paralele
Procedura e lëvizjes paralele bëhet për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese në çdo institucion të shërbimit civil
Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati për këtë procedurë janë:
a) të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon
b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi
c) të ketë të paktën një vlerësim pozitiv
ç) të plotësojë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim
Shpallja për vendin e lirë përcakton:
a) pozicionin e punës që është vakant
b) përshkrimin e përgjithshëm i punës për atë pozicion
c) kushtet për lëvizjen paralele dhe kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë kandidatët
ç) dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyra e dorëzimit të tyre
d) afatin e dorëzimit të përcaktuar me datë të saktë kalendarike
dh) datën e daljes së rezultateve për fazën e verifikimit paraprak të kushteve minimale të procedurës së lëvizjes paralele dhe të përmbushjes së kritereve specifike të vendit të punës
e) datën, vendin dhe orën ku do të zhvillohet intervista
ë) fushën e njohurive, aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në intervistë
f) mënyrën e vlerësimit të kandidatëve
g) datën e daljes së rezultateve të konkurrimit
gj) mënyrën e njoftimit dhe komunikimit me kandidatët
Procedura e lëvizjes paralele përfshin dy faza:
a) Verifikimin e kandidatëve, të cilët përmbushin kushtet e lëvizjes paralele dhe kërkesat e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim
b) Vlerësimin e kandidatëve, ku përfshihen vlerësimi i jetëshkrimit, eksperienca, trajnimet, kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse, si dhe vlerësimet pozitive dhe intervista e strukturuar me gojë
Struktura e ndarjes së pikëve të vlerësimit të kandidatëve, është si më poshtë vijon: a) 40 pikë për dokumentacionin e dorëzuar, i ndarë: 10 pikë për jetëshkrimin, 10 pikë për eksperiencën, 5 pikë për trajnimet, 10 pikë për kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse, si dhe 5 pikë për vlerësimet pozitive; b) 60 pikë intervista me gojë. Nëpunësi civil i emëruar nuk i nënshtrohet periudhës së provës.
5-Ngritja në detyrë
-Në rastet kur një vend vakant në kategorinë e nivelit të mesëm apo të ulët drejtues nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, njësia përgjegjëse shpall procedurën e ngritjes në detyrë. Plotësimi i vendeve të lira me procedurën e ngritjes në detyrë është i hapur për nëpunësit civilë të një kategorie më të ulët, në të njëjtin institucion apo institucione të tjera të shërbimit civil dhe që plotësojnë minimalisht kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë nëpunës civil i konfirmuar
b) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi
c) Të ketë të paktën një vlerësim pozitiv
ç) Të plotësojë kushtet e tjera të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për klasifikimin e pozicioneve në shërbimin civil
d) Të përmbushë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Vlerësimi i kandidatëve për ngritjen në detyrë realizohet nga Komisioni i Ngritjes në Detyrë.
Vlerësimi
Totali i pikëve është 100, nga të cilat
a) 20 pikë për dokumentacionin e dorëzuar (eksperiencë, trajnime, kualifikime të lidhura me fushën përkatëse, si dhe 2 vlerësimet e fundit pozitive)
b) 40 pikë për intervistën e strukturuar me gojë
c) 40 pikë për vlerësimin me shkrim. Kandidati/kandidatët fitues është/janë ai/ata që renditet/en i pari/të parët nga kandidatët që kanë marrë të paktën 70 pikë (70% të pikëve)




