Xhixho takon kongresmenin Aderholt: Rama po përdor drejtësinë për të luftuar kundërshtarët

Xhixho takon kongresmenin Aderholt: Rama po përdor drejtësinë për të luftuar kundërshtarët

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho pati një takim në Kongresin Amerikan me kongresmenin Robert Aderholt, ku njofton se diskutoi forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë bisedës, Xhixho ngriti shqetësime lidhur me ndikimin e karteleve të drogës dhe krimit të organizuar në Shqipëri, duke theksuar se lufta kundër tyre duhet të mbetet prioritet në axhendën e sigurisë, me mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

Në një postim në facebook, Xhixho gjithashtu vuri theksin te,përdorimi i drejtësisë nga qeveria si një mjet për të goditur kundërshtarët politikë.

Në Kongresin Amerikan, u takova me kongresmenin Robert Aderholt, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë bisedës, shpreha shqetësimin për ndikimin e karteleve të drogës dhe krimit të organizuar në Shqipëri, si edhe theksova rëndësinë që ka përkushtimi i SHBA-së për ta vendosur luftën kundër tyre në krye të axhendës së sigurisë. Po ashtu, ngrita shqetësimin për përdorimin e drejtësisë nga qeveria si mjet për të luftuar kundërshtarët politikë.

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Europian, duhet të fokusohet në reforma reale që forcojnë sigurinë, demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet kyç dhe duhet të forcohet mbi bazën e prioriteteve të përbashkëta.

Share it :