Xhixho: Mungesa e fondeve për analiza është skandal, kërkohet interpelancë me Ministren e Shëndetësisë
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho denoncon ne një mesazh në facebook, mungesën e fondeve për analiza pas datës 20 të çdo muaji dhe thekson se qytetarët meritojnë llogaridhënie nga Ministria e Shëndetësisë, jo propagandë.
“Deklarata e Ministres së Shëndetësisë se pas datës 20 të çdo muaji qytetarët nuk mund të kryejnë analiza për shkak të mungesës së fondeve është skandaloze dhe shumë e rëndë.
Po flasim për një qeveri që nuk i kursen paratë për luks dhe projektet e klientëve të saj: për rrugët e florinjta, 3.8 miliardë euro; për inceneratorin inekzistent, 450 milionë euro; për “Kopshtin Eden” estetik të kryeministrit, 4.2 milionë euro apo vetëm 33 mijë euro. Para ka, por asnjëherë për shëndetin e qytetarëve.
Sikur këto para të ishin investuar në shëndetësi, sot nuk do të dëgjonim deklarata të turpshme se në QSUT nuk bëhen analiza pas datës 20.
Me pak fjalë, nëse një qytetar sëmuret sot me datë 28 mars, nuk mund të kryejë asnjë ekzaminim, asnjë analizë pranë QSUT.
Si mund të pranohet kaq hapur që sistemi shëndetësor nuk funksionon çdo ditë për ata që kanë nevojë?
Shëndeti nuk është luks, por shërbim jetik dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Ky shtet ka rënë, sepse çdo shërbim ia ka kaluar privatit dhe ka hequr dorë nga përgjegjësia ndaj qytetarëve.
Që në dhjetor e kam ngritur këtë shqetësim përpara Ministres dhe përgjigjja ka qenë: “do ta zgjidhim”. Kam kërkuar interpelancë, por Kuvendi funksionon si drejtori e qeverisë dhe nuk vijnë të përballen.
Kërkoj me urgjencë që interpelanca që kam kërkuar me Ministren e Shëndetësisë të futet në seancë. Duhet llogaridhënie dhe boll më me propagandë!”, u shpreh Xhixho.




