Xhixho: Demokracia në Shqipëri kërkon veprime, jo vetëm premtime

Xhixho: Demokracia në Shqipëri kërkon veprime, jo vetëm premtime

Zv. presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një tryezë të nivelit të lartë të organizuar nga Westminster Foundation for Democracy për forcimin e qeverisjes demokratike dhe ndryshimeve transformuese, theksoi rëndësinë e veprimeve konkrete për ripërtëritjen e demokracisë në Shqipëri.

Ajo nënvizoi se demokracia nuk mund të matet vetëm me zgjedhje, por edhe me kapacitetin për të kërkuar llogari, për të ndërtuar institucione të pavarura dhe për të vendosur qytetarin mbi çdo interes tjetër.

Sipas Xhixhos, parlamenti shqiptar po përballet me mungesë të llogaridhënies, ligje të ndërtuara me porosi dhe një rrezik të vazhdueshëm për shtetin e së drejtës, duke dëmtuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Ajo theksoi dobësimin e kontrollit parlamentar, rolin e reduktuar të opozitës dhe politikat ekonomike që favorizojnë pakicën, duke nënvizuar se për të garantuar një demokraci të vërtetë, Shqipëria ka nevojë për transparencë reale, përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete që vendosin qytetarin në qendër të vendimmarrjes.

Mesazhi i plotë:

KONTROLLI PARLAMENTAR

Demokracia është një sistem balancash. Kontrolli parlamentar ndaj ekzekutivit nuk është formalitet, është garanci për llogaridhënie dhe transparencë.

Megjithatë, ky mekanizëm po dobësohet. Prej muajsh është refuzuar ngritja e një Komisioni Hetimor për fondet IPARD, rreth 120 milionë euro që duhet të mbështesnin fermerët shqiptarë. Sot, këto fonde janë bllokuar për shkak të abuzimeve dhe mungesës së transparencës, duke i vendosur fermerët tanë në disavantazh krahasuar me rajonin.

Kjo nuk është një çështje proceduriale. Është një çështje që prek drejtpërdrejt jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.

ROLI I OPOZITËS DHE FUNKSIONIMI I KUVENDIT

Një demokraci funksionale kërkon opozitë të fortë. Dobësimi i saj është dobësim i vetë demokracisë.

Heqja e drejtimit të Komisionit të Integrimit ne shtator 2025 nga opozita dhe kalimi i tij tek mazhoranca është një hap pas për përfshirjen politike.

Integrimi europian nuk është projekt i një partie, është projekt kombëtar që kërkon bashkëpunim dhe konsensus.

Në të njëjtën kohë, mungesa e komisioneve hetimore dhe shmangia e interpelancave minojnë transparencën.

Kur qeveria nuk jep llogari, demokracia humbet kuptimin e saj.

POLITIKA EKONOMIKE DHE BARAZIA

Po aq shqetësuese është mënyra si hartohen ligjet. Ligje të posaçme, të ndërtuara për interesa të ngushta, deformojnë tregun dhe thellojnë pabarazinë.

Në vend që të ndërtojmë një ekonomi të drejtë, rrezikojmë të forcojmë një sistem që favorizon pakicën në kurriz të shumicës.

Ndërkohë, refuzohen nisma konkrete që do të lehtësonin jetën e qytetarëve, si ulja e TVSH-së për produktet bazë, lehtësimi i barrës së taksave mbi naftën apo për sigurinë ushqimore të cilat nuk kalojnë në konsultim publik por rrëzohen vetëm sepse i sjellin deputët e opozitës.

Qytetarët kanë nevojë për politika që ndihen në përditshmëri, jo vetëm në statistika.

INTEGRIMI EUROPIAN

Integrimi europian është testi më i madh i demokracisë sonë.

Sepse Europa nuk është vetëm një destinacion. Europa është një sistem vlerash, sundimi i ligjit, barazia para ligjit dhe institucione të pavarura.

DREJTËSIA DHE LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT

Besimi te drejtësia ndërtohet kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë.

Raste që perceptohen si ndërhyrje politike në drejtësi dëmtojnë këtë besim dhe krijojnë bindjen se pushteti përdoret si mburojë, jo si përgjegjësi. Kur drejtësia pengohet me mburojë politike duke dhënë mesazhin te qytetarët se nuk ka barazi para ligjit.

Kjo nuk është vetëm një çështje politike, është një test për seriozitetin e shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe në rrugën drejt integrimit europian.

Treguesit ndërkombëtarë e konfirmojnë këtë shqetësim. Rënia në indeksin e perceptimit të korrupsionit me 11 pikë nuk është thjesht statistikë, është sinjal për më pak besim, më pak investime dhe më pak mundësi për qytetarët. Ndërkohë raporti fundit V-Dem e përkufizoi Shqipërinë si ” autokraci elektorale”.

Drejtësia nuk mund të jetë selektive. Ajo ose funksionon për të gjithë, ose nuk funksionon për askënd.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë premtime. Ka nevojë për përgjegjësi.

Forcimi i qeverisjes demokratike kërkon veprime konkrete:
rikthimin e kontrollit parlamentar, garantimin e rolit të opozitës, transparencë reale dhe politika që vendosin qytetarin në qendër.

Besimi nuk rikthehet me fjalë, rikthehet me veprime.

Dhe koha për veprim është tani.

Share it :