Anxhela Tato
Hetimet 2 mujore shkatërrojnë rrjetin e shpërndarësve të heroinës dhe kanabisit
Sekuestrohen 200 doza heroinë dhe 300 doza kanabis, dokumentohen 6 raste
Shkatërrohet rrjeti i trafikut të kanabisit dhe heroinës, ndërsa në pranga kanë përfunduar pesë persona. Një aksion i përbashkët mes bluve dhe antidrogës së Durrësit ka arritur që të sekuestrojë një sasi prej rreth 200 doza heroinë dhe 300 doza kanabis, të cilat dyshohet se qarkullonin dhe shiteshin nëpër oborret e gjimnazeve. Operacioni policor i koduar “Weekend 2”, ka bërë të mundur që në pranga të bien Nevruz Liço, 21 vjeç; Haxhi Ruçi, 21 vjeç; Ajgi Hysaj, 19 vjeç; Tiger Kërtoçi 20 vjeç si dhe Olsi Hajrrulla 22 vjeç, që të gjithë me banim në Durrës. Mësohet se të rinjtë janë shpërndarës së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit. Gjithashtu nga hetimet e policisë rezulton se të rinjtë janë autorë të dyshuar të gjashtë rasteve të hedhjes nga jashtë rrethimit të lëndës narkotike brenda qendrës së paraburgimit I.E.V.P. në Durrës. Operacioni për kapjen e të rinjve kishte dy muaj që kishte nisur në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit Durrës, ndërsa për identifikimin e tyre janë përdorur edhe përgjime filmike. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “Prodhim, shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Policia
Nga ana e uniformave blu janë duke vijuar hetimet për arrestimin e personave të tjerë të dyshuar si pjesëmarrës në këtë rrjet shpërndarje droge. Ndërsa janë marrë në pyetje efektivë të burgjeve në lidhje me porositës e lëndës narkotike, për të gjetur lidhjet me grupin e të arrestuarve. Paralelisht blutë po vijojnë nga puna për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rastet në të cilat është përfshirë ky rrjet, si dhe prejardhjen e drogës. Është shumë interesante për prokurorinë zbulimi i mekanizmit së porosisë nga të dënuarit për drogë, e cila hidhej në ambientet e burgjeve. “Antidroga e Durrësit shkatërron një rrjet shpërndarësish të heroinës. Në kuadër të një hetimi dy mujor zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës u finalizua operacionin “Weekend 2”, – pjesë e njoftimit të policisë. Përgjatë hetimit u arrit të dokumentohet me prova ligjore se shtetasit në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin tregtonin lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kanabis sativa në zona të ndryshme të qytetit Durrës. Në momentin e ndalimit personave në fjalë iu gjetën e sekuestruan 200 doza heroinë, 300 doza kanabis, një granate dore luftarake dhe një sasi fishekësh luftarake.
Dhuna në protestë/ Policia pezullon 4 efektivët, shkelën procedurën me veorime jokorrekte
Artan Didi mbledh vartësit, analizë për tubimin për Ilia Karelin
Pezullohen 4 efektivë të policisë së Tiranës për veprime jokorrekte dhe shkelje të procedurave standarde të veprimit për menaxhimin e tubimeve. Bëhet fjalë për efektivët e policisë që morën pjesë në veprimet për shpërndarjen e protestuesve, të cilët digjnin flamuj grek, përdorën fyerje dhe sharje në drejtim të Ambasadës Greke në Tiranë, dhe bllokuan për disa orë rrugën duke tentuar t’i afroheshin ambasadës. Lajmi konfirmohet nga zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Alaura Totraku. Një prej efektivëve të policisë, mësohet se është pezulluar për shkak të incidentit me gazetarin Armand Bajrami, të cilit iu mor celulari dhe ju dorëzua vetëm pasi iu fshinë videot dhe fotot e kryera në protestë. Ndërsa 3 të tjerët për veprimet gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e turmës. Sipas Totrakut, urdhrat e pezullimit për oficerët e policisë deri në hetimin e plotë të rasteve, është marrë pas një analize për ngjarjet e protestës së zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Protesta për vrasjen në burgjet greke të Ilia Karelit me emrin e vërtetë Kudret Kume, degjeneroi në përplasje me policinë gjatë veprimeve të policisë për shpërndarjen e trumës së protestuesve. Nga burimet pranë organizatorëve të protestës u mësua për 6 të rinj të lënduar gjatë përballjes me policinë. Zyrtarisht policia pranoi se ishin shoqëruar 14 protestues, ndërsa numri i deklaruar nga organizatorët ishte më i madh. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi zhvilloi një analizë të plotë për tubimin e zhvilluar dje në Tiranë si dhe tё veprimeve tё kryera nga strukturat policore. Nga analiza rezultoi se veprime të disa punonjësve të policisë kanë qenë jo korrekte dhe nё shkelje të procedurave standarde të veprimit për menaxhimin e tubimeve. Për kёtё arsye u mor masa e pezullimit paraprak nga detyra për katër punonjës policie, pasi kanë vepruar nё kundërshtim me procedurat standarde të miratuara pёr menaxhimin e tubimeve. Rasti i bёrё publik nga gazetari Armand Bajrami po shqyrtohet me seriozitet dhe po merren masat pёrkatёse pёr veprimet jo etike, jo prefesionale dhe nё kundёrshtim me ligjin tё punonjёsve tё policisё.
Kukës/ Plagosja e rojës së repartit ushtarak, Ministria e Brendshme: U shemb godina
Në repartin 2210 nuk ka ndodhur shpërthim siç u njoftua fillimisht por është shembur një nga depot e këtij reparti. Është Ministria e Mbrojtjes që me anë të një njoftimi për mediat, ka bërë të ditur se, roja i repartit Kastriot Shahu nuk është plagosur nga ndonjë shpërthim, por sepse është shembur ish-depoja që përdorej për veshmbathje. Sipas ministrisë, “rreth orës 08.30, të datës 13.04.2014, Pr. II, Kastriot Shahu me detyrë roje në Detashmetin e Mbrojtjes Rajonale Kukës, strukturë në vartësi të BrMR, në zbatim të planizimit të shërbimit ditor është paraqitur për të marrë shërbimin në objektin e këtij reparti. Objekti është brenda planit të përhapje dhe ruhet me vëzhgim”. Ministria ka sqaruar se, “në momenti e kontrollit të objektit nga Pr. II, Kastriot Shahu është vënë re se në një nga objektet (ish-depo e veshmbathjes) dera e jashtme rezultonte e hapur. Gjatë kontrollit për verifikimin e këti fakti roja është futur në objekt”. “Në këtë moment nga personeli i shërbimit të Vendrojes Nr. II, i cili ndodhej në afërsi të këtij objekti është dëgjuar një zhurmë dhe është vërejtur pluhur. Nga personeli i shërbimit sipas linjës së drejtimit është shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vërejtur se Objekti (ish-depo e veshmbathjes ) ishte shembur dhe roja ndodhej nën rrënoja”, bën të ditur Ministria e Mbrojtjes në komunikim e saj për median.
Itali/ Sekuestrohet 20 kg kokainë, pranga shqiptarit
Një shqiptar dhe një holandez po transportonin 20 kilogramë kokainë të pastër kur janë vënë në pranga nga Guardia di Financa e Vareses. Bëhet e ditur se, droga me vlerë mbi 1 milionë euro po vinte nga Holanda dhe do të sillej në Varese për tu shitur. Operacioni i policisë është bërë gjatë mbrëmjes së djeshme dhe dy të arrestuarit, shqiptari 29-vjeçar dhe shoqëruesi i tij 60-vjeçari që ishte dhe korrieri i drogës janë kapur në momentin kur ishin duke udhëtuar me një fugon ku ndodhej edhe lënda narkotike. Media italiane shkruan se, është goditur një rrjet i trafikut të lëndëve narkotike nga Holanda në drejtim të Italisë.




