Vrasja te liqeni / Viktima konflikt me rojen, nuk i dha 5000 lekëshin e pagës

Anxhela Tato

Dëshmitë kontradiktore, roja mohon të ketë qenë në punë natën e ngjarjes, por familjarët e kundërshtojnë

Përjashtohet pista e grabitjes me dhunë, sendet me vlerë nuk ishin marrë dhe viktimës nuk i mungonte gjë

 

vrasja lutfi peti liqeniMosmarrëveshja për 5000 lekë të reja me rojen dyshohet se është pista ku momentalisht janë përqendruar hetimet e policisë. Dëshmia kontradiktore e rojes dhe familjarëve të tij ka nxitur blutë drejt kësaj piste. Nga grupi hetimor mësohet se Peti, kishte punësuar një person, për ruajtjen e bagëtive natën, por mbrëmjen e së enjtes ai nuk ishte paraqitur në punë për shkak të një konflikti për para, duke bërë që 52-vjeçari ta zëvendësonte vete. Por, mëngjesin e së premtes, familjarët e kanë gjetur viktimën të rrëzuar pranë kasolles dhe sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, vdekja i ka ardhur nga goditja me sende të forta pas kokës. Kjo goditje, i ka sjelle vdekjen Lutfi Petit. Gjatë marrjes në pyetje, familjarët e rojës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, kanë shpjeguar se i afërmi i tyre ka qenë në punë. Ndërsa vete roja ka pretenduar se ka qenë në shtëpi. Kjo dëshmi kontradiktore mes te dyshuarit dhe familjarëve të tij, si dhe konflikti për 5 mijë lekë te reja, bën hetuesit të mendojnë se mund të jetë ai autori i vrasjes. Ndërkohë është përjashtuar pista e goditjes për grabitje, pasi viktimës nuk i mungonte asgjë dhe sendet me vlerë në kasolle nuk ishin marrë. Por, pavarësisht këtyre të dhënave, prokuroria po heton edhe për konfliktet e mundshme të viktimës për çështje pronash, pasi rezulton, se ai është pronar i sipërfaqeve të mëdha toke në Sauk.

Hetimet

Lutfi Peti i shoqëruar disa herë në policie për konflikte në familje. Viktima, i cili u gjet i vrarë mëngjesin e së enjtes tek Liqeni i Thatë, është person i njohur për forcat e policisë. Burime bëjnë me dije se viktima është shoqëruar disa herë në komisariat për shkak të problemeve që kishte me familjarë të tij. Bëhet fjalë për konfliktet e pronësisë që kishte me vëllezërit. Në zonën ku u gjet i vdekur ndodhet një lokal, i cila ishte në bashkëpronësi të vëllezërve Peti. Përveç lokalit vëllezërit kishin në pronësi edhe truallin e tokës, i cili u dha nga viktima një firme për ndërtim. Dyshohet se pikërisht ky mund të jetë edhe shkaku i vrasjes së 52-vjeçarit. Konfliktet e pronësisë është pista ku është përqendruar policia, nisur kjo edhe nga precedentët e mëparshëm të viktimës. Ndërsa pritet edhe rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore, e cila do të hedh dritë për arsyet që viktima ka gjetur vdekjes. Policia njoftoi paraditen e së enjtes se një person i pajetë është gjetur në një automjet, rreth orës 07:00 tek kodrat e Liqenit Artificial, në Tiranë. Kanë qenë banorë të zonës, të cilët kanë sinjalizuar forcat e policisë mbi një automjet brenda të cilit ndodhej një person i pajetë. Viktima më pas u identifikua si shtetasi Lutfi Peti, 52 vjeç, i cili ushtronte një aktivitet privat pranë Liqenit Artificial. Peti njihej për biznesin e tij të luleve dhe e ushtronte në zonën pranë Farit, aty ku u gjet dhe trupi i pajetë. Viktima kishte prona dhe një pjesë të truallit e kishte dhënë për ndërtimin e një pallati. Dyshohet se ky mund të jetë një nga shkaqet e konfliktit të 52-vjeçarit.

 

Rinas

Tentoi të largohej me pasaportë të vjedhur, pranga kosovares

Në aeroportin e “Rinasit” është arrestuar dje pasdite një shtetase kosovare që po tentonte të largohej nga Shqipëria me pasaportë të vjedhur kanadeze. Sipas policisë, shtetasja kosovare Shkendije Nuhiu u kap në aeroport ndërsa tentonte të kalonte kufirin me pasaportë të vjedhur kanadeze që kishte ngjashmëri me atë. Destinacioni i saj ishte kryeqyteti turk, Stamboll dhe më pas do vijonte udhëtimin drejt Greqisë.

 

Tiranë

Dhunonte gruan, urdhër-mbrojtje për 40-vjeçaren

Dhunonte bashkëshorten lëshohet urdhër-mbrojte ndaj 40-vjeçares. Nga ana e forcave të policisë bëhet me dije se ditën e djeshme është plotësuar kërkesa për urdhër-mbrojtje të menjëhershëm ndaj shtetases me inicialet E.Z., 40 vjeç, banuese në Qesarekë. Uniformat blu bëjnë me dije se bashkëshorti i saj, 44-vjeçari Gentjan.Z ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike. Materialet për këtë çështje i kanë kaluar Gjykatës së Tiranës.

 

Pasaportat

Afati i fundit i tërheqjes muaji shtator, do të kthehen në të pavlefshme

Brenda muajit shtator të gjithë shtetasit duhet të tërheqin dokumentet e identitetit në përfaqësitë konsullore në të kundërt do të kthehen në të pavlefshme. Në një njoftim për shtyp Ministria e Brendshme i bën thirrje të gjithë personave që kanë aplikuar për dokumente identiteti se duhet të paraqiten për t’i marrë deri në fund të muajit shtator, në të kundërt dokumentet do të asgjësohen. “Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë aplikuar për dokumente identiteti në vitin 2011 dhe 2012, por që ende nuk i kanë tërhequr këto dokumente, se afati i fundit për t’i tërhequr ato është muaji Qershor 2014 dhe muaji Shtator 2014. Në të kundërt, këto dokumente do të asgjësohen”, – thuhet në njoftimin për shtyp. Kjo, në zbatim të kontratës koncensionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e Kartave të Identitetit dhe të Pasaportave Elektronike”, ku është përcaktuar kërkesa që një dokument i pa tërhequr brenda një viti të bëhet i pavlefshëm. Bazuar në këtë kërkesë, dokumentet do të nxirren jashtë përdorimit (duke i dëmtuar dokumentet e identitetit) të prodhuara nga vitin 2011 dhe në vitin 2012, të cilat janë të pa tërhequra në përfaqësitë konsullore të Shqipërisë në këto shtete: Greqi (Athinë dhe Selanik), Itali (Romë dhe Milano) dhe ShBA (Nju Jork). Dokumentet e lëshuara në vitin 2011 do të nxirren jashtë përdorimit në fund të muajit Qershor 2014, në Qendrën e Personalizimit, në kompaninë Aleat sh.p.k.  Ndërsa dokumentet e lëshuara në vitin 2012 do të nxirren jashtë përdorimit në fund të muajit Shtator 2014, pranë kompanisë Aleat sh.p.k. në Tiranë. Numri i Pasaportave Biometrike të pa tërhequra nga shtetasit përgjatë viteve 2011, 2012 dhe 2013, është 2477 copë. Ndërsa numri i letërnjoftimeve elektronike (kartave ID) të pa tërhequra nga shtetasit përgjatë viteve 2011, 2012 dhe 2013, është 3271 copë.

 

Share it :