Anxhela Tato
Rrëfimi i Resmije Kumes, 12 vjet pa e parë djalin, iu mohua disa herë vizitat në burgun grek
Fqinjët e familjes Kume të indinjuar për krimin: “Të dënohej, por jo të masakrohej në atë mënyrë”
Me zërin që i dridhet dhe me lot në sy mamaja e Ilir Karelit kërkon drejtësi për vrasjen e dhunshme të birit të saj. 12 vjet pa e parë djalin po e pret të vdekur. Resmije Kume, nëna e Ilir Karelit mes lotëve tregon se ka shkuar disa herë për të takuar djalin ne Greqi, por nuk e kanë lejuar. “Asnjëherë nuk më kanë lejuar ta takoj. I vajti thika në eshtër që e bëri atë krim, t’i jepnin dënim po jo ta masakronin, unë jam e vdekur për vete. Ai bënte kërkesa për të më takuar, asnjëherë nuk e lejuan. Arsye tjetër nuk besoj të ketë pasur, vetëm për këtë e bëri”, – rrëfen nëna e tij. Më tej Resmije Kume kërkon që trupi i pajetë i të birit të kthehet në Shqipëri, që ajo të mund ta shohë për herë të fundit, si dhe të vihet në vend drejtësia për këtë ngjarje. “Frymë si japin dot më, s’ma sjellin dot çunin, por të vendosin drejtësi”. Resmije Kume ka treguar se djali i saj kërkonte drejtësi dhe jo vetëgjyqësi. Ndërsa vëllai i viktimës Shkëlqim Kume, ka treguar se kishte dy muaj që ai kishte shkëputur lidhjet telefonike me vëllain e tij. Me dhimbje të madhe e kanë përjetuar lajmin e vdekjes së Ilir Karelit edhe familjarët e tij. Halla e tij me lot në sy rrëfen, “E kanë keqtrajtuar në të gjitha mënyrat. Nga shteti ne kërkojmë drejtësi, të vihet në vend drejtësia. Të dënohej për vrasjen, të gjithë njerëzit kanë bërë krime dhe kanë marrë dënime. Ishte shumë i mirë, nënën e merrte 10 herë në botë, tërë dashurinë që kishte për të e ktheu në urrejtje. Po na dhemb zemra për këtë që ndodhi, ai e pati një arsye që e bëri”. Ajo shton: “E ëma është qyqe që kur e mori vesh lajmin. Edhe në zemër e kishte shkruar djali fjalën nënë”.
Rrëfimi i banorëve
Ilir Kareli njihej me emrin Kurdet Kume dhe jetonte vetëm me nënën dhe vëllain e tij. Babi i tij nuk është gjallë. Familja e tij banon në fshatin Zhupen të Komunës Qendër të Fierit, ndërsa nuk ka dashur të prononcohet për vdekjen e familjarit, Ilir Kareli, që në datë 25 mars vrau gardianin e burgut të Malandrinos në Greqi, ku ai vuante dënimin. Banorët e Zhupanit, fshati ku ka jetuar viktima kanë treguar se Kudret Kumen e njihnin si djalë që nuk kishte probleme. Sipas tyre, vrasjen e gardianit e ka kryer ngaqë nuk e lanë kurrë të takohej me nënën e tij. “Nëna kishte shkuar disa herë për ta takuar në burgun grek, por nuk e kishin lejuar”, – shprehen banorët. Ndërsa shprehin indinjatën e tyre, banorët shtojnë: “Kume duhet të dënohej sipas ligjit për krimin, jo të masakrohej në atë mënyrë”. Ilia Kareli i njohur si Kudret Kume ka gjetur vdekjen si pasojë e dhunës fizike. Rezultatet e autopsisë së trupit të 42-vjeçarit shqiptar tregojnë se vdekja e tij erdhi si pasojë e traumave nga goditjet. Rezultatet e autopsisë konfirmojnë se Kareli kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup. Sipas mjekëve që kanë firmosur rezultatet e ekspertizës, goditjet janë shkaktuar para më shumë se 24 orësh dhe jo me duar, por me mjete të tjera. Ndërkohë për tv SKAI mjeku ligjor ka deklaruar se veç thyerjeve e goditjeve të shumta, Kareli duhet të jetë torturuar. Në pëllëmbë kishte shenja tronditjeje, që po interpretohen në media si shenja të elektroshokut. Mediat greke shkruajnë se i dënuari Ilia Kareli është rrahur gjatë transferimit nga burgu i Malandrinos në Nigrita.
Ministria e Jashtme
“Ngushëllime familjes për humbjen tragjike, të zbardhet ngjarja”
Ministria e Punëve të Jashtme kërkoi dje zbardhje të plotë të ngjarjes së vdekjes së shtetasit shqiptar Ilir Kareli në burgun e Nigrita të Serresit në Greqi. Duke shprehur ngushëllimet për humbjen tragjike të jetëve të gardianit të burgut të Malandrinos në Greqi, Jorgos Cironis dhe të shtetasit shqiptar Ilia Kareli që vuante dënimin në këtë burg, MPJ thekson me anë të një njoftimi për shtyp se, “Pas marrjes së njoftimit në rrugë zyrtare, MPJ ka kërkuar përmes Ambasadës tonë në Athinë dhe Konsullatës në Selanik që të ndjekin nga afër dhe në rrugë institucionale situatën”. “Nga informacionet paraprake zyrtare të autoriteteve greke pritet zbardhja e raportit mjeko-ligjor, i cili do të mundësonte zbardhjen e plotë të çështjes”, – thekson MPJ. Ndërsa dënon sulmet ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit, sikundër çdo akt dhune ndaj shtetasve shqiptarë që kryejnë dënimin në burgjet e Greqisë. “Inkurajojmë dhe kërkojmë nga autoritetet greke zbardhjen e plote të ngjarjes, çka do të mundësonte vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve”, – thekon MPJ në njoftim. Mëngjesin e djeshëm është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Nigrita të Serresit, i burgosuri shqiptar Ilir Kareli, i cili tri ditë më parë kishte vrarë gardianin 46-vjeçar të burgut të Malandrinos, Jorgo Cironi, baba i dy fëmijëve. Dje Avokati i Popullit, Igli Totozani, nëpërmjet një letre i kërkoi Ministrisë së Jashtme Shqiptare të ndjekë nga afër këtë ngjarje. Gjithashtu, Totozani një letër të ngjashme i ka dërguar edhe Ambasadorit të Greqisë.
Greqi
Hetimet, analizë toksikologjike dhe histologjie për të përcaktuar shkakun e vdekjes
Në Greqi vazhdojnë hetimet mbi vdekjen e të burgosurit shqiptar, Ilir Kareli, mbrëmjen e të enjtes në burgun e Nigritas. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, vdekja ka ardhur si pasojë e plagëve të shumta, që ai kishte marrë dhe qe i kane shkaktuar fraktura, përfshirë një thyerje të dërrasës së kraharorit. Pikërisht kjo e fundit ka shkaktuar komplikacione në zemër, që kanë çuar përfundimisht në vdekjen e të burgosurit. Për të saktësuar përfundimisht shkaqet e vdekjes, do të duhet të kryhen edhe analiza histologjike dhe toksikologjike, rezultatet e të cilave do të dalin pas rreth një muaji. Ndërkaq, agjencia greke zyrtare e lajmeve, ANA-MPA, ka cituar kryesindikalistin e gardianëve të burgut të Nigritas, sipas të cilit Kareli ishte goditur para mbërritjes në atë burg. “I burgosuri kishte shenja goditjesh, kur erdhi në burg. E fotografuam dhe këto fotografi tashmë janë në duart e autoriteteve”, – ka thënë gardiani dhe ka shtuar se kur u pyet nëse donte ta çonin për trajtim mjekësor Kareli nuk pranoi. E vetmja gjë që thoshte vazhdimisht ishte: “Për të gjitha e ka fajin prokurori, duan litar”, – shtoi gardiani. Duket se Kareli e kishte fjalën te refuzimi nga ana e prokurorisë, për t’i dhënë Karelit lejen e shumëkërkuar me qëllim që të shkonte e të takonte nënë e tij të sëmurë. Refuzim që u bë shkak për një tragjedi të dyfishtë. Humbjen e dy jetëve njerëzore, të gardianit grek dhe të burgosurit. Kjo e fundit, një vdekje që ka krijuar shumë pikëpyetje edhe në opinionin grek. Gjithë hamendjet pajtohen se Karelin e kanë torturuar gardianët që të hakmerreshin për vrasjen e shokut të tyre. Por fjalën e fundit pritet ta thonë konkluzionet e hetimit.




