Vrasja e Gjepalit Rihapet dosja e vrasjes së fierakut në Zvicër në 1993

Anxhela Tato

 

Shoqërohen 30 persona në polici, merren në pyetje shokët e qelisë të viktimës

 Dyshime se një tjetër automjet ka spiunuar lëvizjet me makinë të Gjepalit tek autorët e krimit

 

astrit gjepaliAtentati mafioz ndaj ish-kapos së bandës “Gjepali” ka rikthyer edhe një herë në vëmendje të policisë dosjet e ngjarjeve famëkeqe të viteve 1997. Dyshimet se krimi mund të jetë për hakmarrje ka bërë që policia të kërkojë vënien në dispozicion të dosjeve voluminoze të Prokurorisë në lidhjet me episodet kriminale, ku ka qenë i përfshirë viktima Astrit Gjepali dhe banda e tij. Në qendër të vëmendjes së uniformave blu dhe grupit hetimor të kësaj ngjarjeje është vënë krimi i ndodhur në Zvicër, ku viktima dyshohet se është përfshirë në një vrasje. Ndonëse nga gjykata nuk ka asnjë vendim dënimi të formës së prerë për mungesë provash, dyshohet se Gjepali është autori i vrasjes së shtetasit fierak Ylli Majaci, ngjarje e ndodhur në 23 mars të vitit 1993 në Zvicër. Sipas informacioneve të rezervuara, midis Gjepalit dhe të afërmve të viktimës në Zvicër ka ekzistuar një konflikt i pambyllur, për të cilin viktima ka qenë në dijeni. Dyshohet se vrasja e të burgosurit pranë Rrogozhinës, kohën kur po kthehej në qelitë e paraburgimit, është pasojë e hakmarrjes. Ndërkohë që nga ana e forcave të policisë janë marrë në pyetje rreth 30 persona, të cilët janë shoqëruar në komisariat me dyshimin se mund të kenë dijeni për krimin. Të shoqëruarit janë nga Fieri, Lushnja, Durrësi e Shijaku, kryesisht familjarë të viktimave si dhe persona të dyshuar se mund të kenë lidhje me vrasjen. Mes të shoqëruarve ka pasur edhe persona me precedentë penalë, por të gjithë janë lënë të lirë duke mos ngritur dyshime për blutë. Efektivë policie janë paraqitur edhe në burgun e Peqinit, ku kanë pyetur shokët e qelisë së Gjepalit nëse ishin në dijeni të ndonjë problemi ose konflikti që ai mund të kishte në qeli. “Nuk e dimë fare që ai ka bërë pesë vrasje. Astriti ishte djali i mirë dhe ne shkonim shumë mirë me të, nuk kishte problem dhe hasmëri me askënd këtu. Në lidhje me akuzat e tij ne nuk dimë asgjë dhe as këtë pjesën që dyshohet hasmëria”, – pjesë nga rrëfimet e të shokëve të qelisë.

 

Hetimet

 

Burime policore bëjnë të ditur se në funksion të hetimit janë sekuestruar për llogari të Prokurorisë së Kavajës edhe pamje filmike të kamerave të sigurisë së subjekteve, që ndodhen pranë vendbanimit të Astrit Gjepalit, në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit, si dhe përgjatë rrugës që ka përshkuar automjeti. Grupi i hetimit synon që nga pamjet të vëzhgohen mjetet që mund ta kenë shoqëruar në distancë makinën me të cilën Gjepali po udhëtonte drejt vendit të vuajtjes së dënimit në përfundim të lejes 7-ditore. Dyshohet se autorët e atentatit janë mbështetur dhe nga një tjetër automjet që ka ndjekur lëvizjet e “Benzit” me të cilin udhëtonte Gjepali me dy kunetërit, Halil Ficin, që mbeti i vrarë dhe Ilirian Sulkën që u plagos. Nga të dhënat e policisë mësohet se autorët e kanë ndjekur nga Durrësi viktimën duke qenë në dijeni të itinerarit të lëvizjeve. Ndërsa kanë qenë në pritje të momentin kur makina do të kalonte në aksin rrugor që lidh Durrësin me Rrogozhinën. Në këto momente automjeti i Gjepalit ka ulur shpejtësinë, ndërsa makina e vrasësve i ka prerë rrugën duke hapur zjarr. Nga autorët e krimit e vetmja e dhënë është identikiti fillestar i ndërtuar nga të plagosurit e mbijetuar. Dyshohet se tre autorët ishin veshur me rroba të errëta dhe ishin me gjatësi mesatare, ata mbanin maska ngjyrë gri. Por momentalisht nuk ka asnjë gjurmë që mund të çojë në identifikimin e tyre. Vetëm një orë pas krimit automjeti i autorëve u gjet i karbonizuar dhe brenda tij ndodheshin edhe dy armë kallashnikov, duke mos lënë asnjë mundësi për zbulim gjurmësh gishtash.

 

 

Media italian

Halit Fici, superbos i drogës, u arrestua dhe u lirua

 Media italian e ka cilësuar njërën nga viktimat Halit Ficin si superbos i drogës. Bëhet fjalë për një artikull të botuar në një të përditshme italiane ku diskutohej problematika e lirimit të trafikantëve të drogës, të cilët mund të bredhin të lirë në Shqipëri duke vijuar pazaret e tyre. Në këtë grup përfshihet edhe emri i kunatit të Astrit Gjepalit, Halit Ficit. “Gjatë operacioneve të quajtura, Relay 2 dhe Relay 3, kundër trafikut të drogës së bosëve shqiptarë, A. Shabani, E. Prifti, Halit Fici, S. Jusufi në Itali. Por superbosët janë të lirë. Në të njëjtën procedure të zakonshme janë përfshirë dhe 16 të pandehur të tjerë, ndërsa 24 kanë zgjedhur gjykimin e shkurtuar”, – citohet në artikullin e datës 15 shkurt të vitit 2009 nga gazeta “La Gazzeta del Mezzogiorno”. Në zemër të disa prej hetimeve më të mëdha të Drejtorisë së Hetimeve Antimafia, Bari (DIA), i kryer midis 1997 dhe 2008, e ndjekur nga urdhrat e arrestimit të lëshuar nga prokurorë të ndryshëm, të dyshuarit të dënuar me burgim të përhershëm janë ende “shpendët e egër dhe që jetojnë në liri të plotë në Shqipëri, midis Durrësit dhe Vlorës, të paprekshëm dhe të qetë”, – shkruante gazeta italiane në 2009, në artikullin me autor Luca Natile. Më tej thuhet: “Por si ta, me sa duket, janë gjithsesi mbi 148 shqiptarë, të gjithë të kërkuar nga drejtësia italiane. Të dhënat nuk janë ato të mëparshmet të muajit nëntor, por janë përditësuar. Këta janë njerëz të dënuar për krime të formave të ndryshme dhe hetohen për to, krime këto të kryera në Itali”.

 

 

Ministri Tahiri

“Hetimi i ngjarjes, i vështirë, shkak e kaluara kriminale e viktimës”

 Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi nga Durrësi se për shkak të hetimeve nuk mund të japi detaje lidhur me vrasjen e një dite më parë. Ai u shpreh se ngjarja është e rëndë edhe për shkak të së kaluarës kriminale të viktimave. Tahiri theksoi se hetimet po vazhdojnë me intensitet për kapjen e autorëve. “Hetimi vazhdon dhe unë s’mund t’ju them detaje më shumë. Analiza sot është për të gjithë punën e policisë në harkun kohor të vitit të kaluar, pra shkon shumë më tepër. Sigurisht që ishte një ngjarje e rëndë për shkaqet që ju i dini, për shkak edhe të karrierës së theksuar kriminale të personave të përfshirë. Jemi në hetim. Do shohim”, – deklaroi Tahiri.

Share it :