Vrasja e dyfishtë në Tapizë / Gjykata e Lartë: Pranuam rekursin e Prokurorisë për Gjinin, ishte në pritje të gjykimit

Sonila Mesareja

Reagimi i ministrit Tahiri, letër Presidentit: Nxisni KLD-në të kontrollojë vendimet e gjykatave

 

vrasjeDy ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në urën e Tapizës, ku ka mbetur i vrarë një i dyshuar si vrasës me pagesë dhe shoku i tij, kanë reaguar Gjykata e Lartë dhe më pas Ministria e Brendshme. Në njoftimin e saj të shkurtër, Gjykata e Lartë njoftonte se kishte pranuar rekursin e Prokurorisë për vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila liroi Gjin Nikën, dhe se ishte në pritje të gjykimit të kësaj çështjeje. Ndërkohë që për të njëjtën çështje, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri i drejtohet me një shkresë presidentit të Republikës, në cilësinë e kreut të KLD-së, z.Bujar Nishani. Përmes kësaj shkrese, ministri Tahiri për herë të dytë shpreh shqetësimin e tij për pasojat që shkaktojnë disa vendime të gjykatave, “të cilat në mos absurde, mbartin me vete një shkallë të lartë papërgjegjshmërie”. Ndërkohë që zhvillime ka pasur edhe nga policia e Durrësit, nga ku bëhet me dije se për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë janë shoqëruar edhe 6 persona të tjerë për të dhënë shpjegime.

Hetimi

Policia e Durrësit vijon hetimet intensive për vrasjen e dyfishtë në Tapizë të Fushë Krujës. Pas shoqërimit të 21 personave dy ditë më parë, edhe dje janë shoqëruar 6 persona të tjerë, të cilët kanë dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen dhe për personat e ekzekutuar. Ndërkohë, grupi hetimor i është drejtuar me një shkresë kompanive të telefonisë celulare për të marrë transkiptet e telefonateve të fundit të bëra nga telefonat personalë të Gjinit e Xhungës. Përmes këtyre tabulateve do të zbulohen telefonatat më të fundit dhe personin që nxorri në pritë Nik Gjinin. Gjithashtu, në pyetje do të merren edhe miq dhe të afërm të dy viktimave, për të mësuar më tepër rreth lëvizjeve të fundit apo konflikteve që kanë pasur kohët e fundit Gjini e Xhunga. Hetimet janë përqëndruar në disa pista, ndërsa policia nuk ka asnjë dyshim që objektiv i atentatit ka qenë personi me precedentë të rrezikshëm penalë, Nik Gjini, i dyshuar si vrasës me pagesë dhe i akuzuar të paktën për dy vrasje dhe një tentativë vrasje për konfliktet në biznesin e kromit në Bulqizë.

Reagimet

Pas denoncimit të ardhur për lirimin e Gjin Nikës nga Gjykata e Apelit, duke i ndryshuar masaën e sigurisë, ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp edhe Gjykata e Lartë, e cila është shprehur se “çështja me nr. 61004-00438-00-2014 në ngarkim të shtetasit Gjini Nika, Kërkesë për Vleftësimin Arrestimi dhe Caktim Masë Sigurie (Neni 258 K.Pr.P., Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur në Dhomë Këshillimi, pranimin e rekursit të Prokurorisë dhe çështja ishte në pritje për gjykim”. Ndërkohë që, po dje ka reaguar edhe Ministria e Brendshme përmes ministrit Sajmir Tahiri, i cili për një javë i drejtohet për të dytën herë Presidencës, konkretisht kreut të saj, nën cilësinë e kryetarit të KLD-së. Tahiri i shpreh presidentit Nishani shqetësim për pasojat që po krijojnë disa vendime të gjykatave. Reagimi i ministrit ka ardhur pas ngjarjes së tre ditëve më parë, ku u ekzekutuan dy shtetas, njëri prej të cilëve me precedentë të rëndë kriminalë dhe i liruar nga burgu me një vendim gjyqësor të pak kohëve  më parë. Duke theksuar se vendime të tilla vështirësojnë punën policisë dhe kërcënojne rendin dhe sigurinë publike, kreu i Ministrisë së Brendshme i kërkon Nishanit të nxisë KLD-në që të shqyrtojë vendimin e gjyqtarëve Edmon Gogo, Gramoz Levanaj dhe Fatmira Hajdari. “Gjykata e Apelit Tiranë, me trupë gjykuese Edmond Gogo, Fatmira Hajdari dhe Gramoz Levanaj, me vendim nr.215, datë 25.02.2014, ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” për të pandehurin Gjin Nika, i datëlindjes 28.04.1978, nga Bulqiza, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78/1-22 dhe 278/2 të Kodit Penal”, shkruan Ministri Tahiri në letrën për Presidentin. Sipas tij megjithëse Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, Gjykata e Apelit nuk i mori parasysh dëshmitë e shtetasve të dëmtuar nga Gjin Nika, por mori vendim për ta liruar nga burgu këtë shtetas. “Shtetasi Gjin Nika, së bashku me një shtetas tjetër, u vranë në një atentat mafioz para tre ditësh, duke e shndërruar vendimin e Gjykatës së Apelit, që e la të lirë, në parathënien e një atentati që shkaktoi dy të vrarë, gjë që nuk do të ndodhte në rast se vendimi i Gjykatës së Apelit do e linte në burg”, shprehet ministri i Punëve të Brendshme.

Lirimi

Arrestimi Gjin Nikës i ekzekutuar në urën e Tapizës së bashku me mikun e tij Fabio (Ersild)  Xhunga, mbrëmjen e 3 prillit, u bë më 21 janar të këtij viti nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj shtetasit Gentjan Kacaj më 8 prill 2013 në Tiranë, si dhe vrasjes së datës 17 janar të këtij viti në Tiranë të shtetasit Hasan Talja. Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së parë e rrethit gjyqësor Tiranë kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”. Por vendimi për masën e sigurisë dhënë nga Shkalla e Parë e Gjyqësorit, u anulua nga apeli qe nga masa e arrestit me burg e ndryshoi në detyrim paraqitje. Për gjykatën e Apelit ky ndryshim i masës së sigurisë bëhet pasi nuk qëndron akuza e ngritur ndaj Gjin Nikës bëhet për faktin se nuk ka prova që e fajësojnë.

Reagimi

PD: Sulmon gjykatat për dështimin e tij masiv me rendin

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me letrën që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka dërguar Presidentit Nishani për çështjen e lirimit të Gjin Nikës nga Gjykata e Apelit. Në reagimin e PD-së thuhet se ministri Tahiri ka zgjedhur të sulmojë gjykatat për dështimin e tij me rendin. “Ministri më i dështuar i qeverisë së mashtrimeve dhe dështimeve është njëkohësisht edhe më qesharaku dhe absurdi. Përsëri Sajmir Komiku ka zgjedhur të sulmojë gjykatat e vendit për dështimin e tij masiv dhe epokal me rendin. Ministri i Brendshëm duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e përditshme në luftën kundër krimit. Tahiri të zbardhë lidhjen e dyshuar me ndonjë kryebandit të vendit dhe disa ekzekutime mafioze për të cilat nuk është përgjigjur akoma publikisht. Ministri i dështuar të ndalë emërimet e narkotrafikantëve dhe personave me precedentë kriminalë në strukturat e Policisë së Shtetit”- thuhet në reagimin e PD-së.

 

 

 

 

 

Share it :