Anxhela Tato
Interpoli: Klodian Gjozi, i rrezikshëm, i dënuar në Greqi për vrasje, trafik droge dhe grabitje me armë
Motori i sekuestruar, u denoncua i vjedhur në rajonin e policisë së Selanikut në janar të këtij viti
Interpoli Grek zbulon skedën kriminale të Klodian Gjozit, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Nën hetim nga ana e Prokurorisë si një ndër autorët kryesorë të vrasjes së bankierit Artan Santo, rezulton të ketë qenë i dënuar në shtetin helen së bashku me vëllain e tij për vjedhje me armë, trafik droge dhe vrasje. Nga informacioni i marrë nga autoritetet ligjzbatuese greke rezulton se shtetasi Klodian Gjozi ka vuajtur dënimin në burgjet greke për veprën penale të vrasjes që nga data 21.6.2004 deri më 13.4.2011. Gjithashtu ky shtetas është ndaluar përsëri nga ana e policisë helene më 30.6.2011 për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, së bashku me vëllain e tij Arjan Gjozi (shitje kokaine në zonat e Pagratit dhe Vironas në Athinë) dhe të dy janë liruar nga burgu më datë 25.5.2012. Vëllezërit Klodian dhe Arjan Gjozi konsiderohen shumë të rrezikshëm nga ana e policisë greke për veprën penale të vjedhjes me armë. Gjithashtu, shtetasi Arjan Gjozi para shumë vitesh përdorte identitetin Dilaver Gjozi. I dyshuari Klodian Gjozi është person me precedentë penale dhe me një CV të pasur krimesh të rënda, i dënuar dhe i liruar nga burgjet greke.
Motori
Për sa i përket motorit që është gjetur në servisin e vëllezërve Gjozi, figuron të jetë i vjedhur. “Po ashtu lidhur me motorin 650 cc Suzuki, bllokuar këtyre shtetasve më datë 26 qershor nga ana e Policisë së Shtetit, sipas Interpol Athina, Greqi, rezulton të jetë denoncuar i vjedhur më datë 16.1.2014, në rajonin e Selanikut me pronar shtetasin grek D. G.”, – thuhet në njoftimin e policisë. Ndërsa pritet ende konfirmimi nëse motori është i njëjti me atë që u përdor ditën e ngjarjes nga vrasësit me pagesë. Në veshjet dhe duart e dy kushërinjve Gjozi janë gjetur gjurmë baruti, të cilët janë dërguar për ekspertizë në Greqi. Kjo analizë do të shërbejë për të vërtetuar nëse kushërinjtë kanë qëlluar me armë zjarri. Klodian dhe Saimir Gjozi u shoqëruan për verifikime në Bubq të Fushë-Krujës, po atë ditë që ndodhi ekzekutimi në zemrën e Tiranës në zonën e ish-Bllokut (26 qershor), duke qenë persona me precedentë penalë për krime te rënda dhe duke shtuar faktin se kishin një motor “Suzuki” të ngjashëm me atë që u përdor në vrasjen e Santos. Pas kësaj, dy vëllezërve u janë marrë kampione në duart e tyre, me qëllim që të shikohet nëse kanë qëlluar me armë apo jo. Ata janë lënë në burg për 15 ditë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi u janë gjetur armë pa leje në banesë dhe kampionet e marra nga duart e tyre janë dërguar në Laboratorin Shkencor të Policisë, ku pas ekspertimeve dje është dalë në përfundimin se në duart e tyre ka shenja baruti.
Dyshimi
Sipas burimeve, gjetjen e këtyre sendeve të paligjshme Prokuroria dhe Policia e ka shfrytëzuar për të ekzaminuar në detaje dy të dyshuarit, që mendohet se mund të jenë autorë të mundshëm të vrasjes së bankierit Santo, edhe pse kjo nuk pranohet nga të arrestuarit. Ky dyshim, sipas hetuesve, u ngrit, pasi Klodian Gjozi disponon një motor të ngjashëm, por me disa ndryshime të vogla, motor ky që është dërguar për ekzaminim krahasues me fotot dhe videot e publikuara në media nga policia. Në përfundim të seancës, vendimi i izolimit të tyre u cilësua nga avokati si veprim i kundërligjshëm nga ana e Gjykatës. Në dalje të procesit avokati Sami Dema tha se “ata u lanë për 15 ditë në burg. Dyshohen për vrasjen e Santos, por ata nuk kanë lidhje. Ata janë dy persona të rëndomtë, njeri prej të cilëve s’ka dalë asnjëherë nga fshati i tij, s’e njeh fare Tiranën”. Sipas avokatit, shkak për arrestimin e klientëve të tij është bërë fakti që Klodian Gjozi ka një motor të përafërt me atë që është përdorur nga dy vrasësit në krim. “Ata kishin një motor dhe klienti im ka një motor që faktikisht nuk ngjan aspak me atë që është përdorur”, – deklaroi avokati Dema.
Tiranë/ Pranga maniakut seksual, puthi dhe ngacmoi 2 të mitur
Kapet në flagrancë pedofili 48-vjeçar, i cili tentoi të abuzonte seksualisht me dy të mitur. Nga ana e forcave të policisë të komisariatit nr. 3 është vënë në pranga Agron Gega. Nga të dhënat e para të bluve mësohet se 48-vjeçari është gjetur në hyrje të një pallati duke puthur një fëmijë. Denoncimi është bërë nga prindërit e një prej të miturve, i cili pësonte ngacmime seksuale nga 48-vjeçari. Në moshë të vogël dhe i frikësuar për çfarë po ndodhte fëmija nuk ka mundur dot t’ia mbaj të fshehtë prindërve, duke iu rrëfyer për gjestet dhe veprimet që bënte me të i prangosuri. Të alarmuar menjëherë prindërit kanë shkuar pranë komisariatit, ku kanë kallëzuar penalisht autorin. Pas verifikimeve paraprake një patrullë e komisariatit numër 3 ka vajtur për në vendin e ngjarjes, ku ka zbuluar në flagrancë autorin. 48-vjeçarit i janë vënë pranga dhe i është hequr nga duart i mituri, me të cilin i arrestuari donte të kryente raport seksual. Fëmija është shoqëruar në polici, ku është marrë në pyetje në prani të psikologes. I mituri ka treguar çdo gjë që bënte me të autori, i cili përveç puthjeve e prekte në zona intime duke i thënë fjalë të pista. Në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore është marrë edhe i prangosuri 48-vjeçar Agron Gega. Për blutë ai ka pranuar autorësinë e krimit, duke mos mohuar as ngacmimet dhe as epshet e pështira seksuale. Mostra ka pohuar për policinë se e ngacmonte seksualisht fëmijën dhe kishte si qëllim marrëdhënien seksuale. Në ngarkim të të arrestuarit është ngritur akuza e “Ngacmimit seksual me të mitur”, ndërsa pritet që pas dy ditësh të dalë para gjykatës, ku do të njihet me masën e sigurisë.




