Vrasësi me pagesë/ Nis “gjuetia” për gjetjen e ndihmësit së Julian Sinanajt

Anxhela Tato

 

Prokuroria kërkon dëshminë e ndihmësit, dyshohet me precedentë penalë për plagosje dhe armëmbajtje

 Dëshmia e Julian Sinanajt: Nuk e di çfarë roli ka pasur në bandë, ai më furnizonte me automjete

 

gjykata e krimeve te rendaPolicia dhe Prokuroria vihen në kërkim të shtetasit të dyshuar si ndihmësi i Julian Sinanajt, si dhe si vrasësi i dytë me pagesë i bandës. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se tashmë ka nisur “gjuetia” për ndihmësin, i cili është me origjinë nga Vlora dhe me precedent penale për tentativën e vrasjes së një efektivi policie si dhe armëmbajtje pa leje. Mësohet se emri i tij ka dalë në dëshminë e njeriut bombë, i cili e ka përmendur me statusin e ndihmësit të tij, që iu caktua nga kushërinjtë Mëhillaj. Vrasësi 31-vjeçar ka rrëfyer se dy kushërinjtë Mëhillaj i ka afruar djalin vlonjat, duke i thënë se ky person do ta ndihmonte për realizimin e atentateve, duke i siguruar mjete materiale siç ishin automjete dhe motorët në kryerjen e krimeve, por kontaktet me ndihmësin Sinanaj i ka pasur të pakta dhe shumë rrallë është takuar me të, pasi preferonte që të vepronte i vetëm në detyrat që i caktoheshin. Gjatë dëshmisë para prokurorëve Julian Sinanaj ka treguar se një herë kushërinjtë Mëhillaj i kanë kërkuar që të përgatiste ekzekutimin e ndihmësit, pasi ky person shfaqte rrezikshmëri të lartë për ta. Por Sinanaj ka thënë se nuk ishte në dijeni dhe as është interesuar për arsyen pse Mëhillajt donin ta hiqnin qafe. Për njeriun bombë e rëndësishme ishte të merrte të gjitha masat dhe të ishte gati për të vrarë ndihmësin e tij, por më tej ai shton se plani ndryshoi dhe u përmbys, pasi Mëhillajt i thanë që të mos i bënte asgjë ndihmësit. Juliani sqaron se në asnjë moment nuk është interesuar të dije se pse ky ndryshim strategjie nga ana e kushërinjve Mëhillaj, të cilëve ia kishte frikën për shkak të rrezikshmërisë që paraqisnin dhe njohjeve që kishin. Ndërkohë që për njeriun bombë është i paqartë pozicioni që ka mbajtur ndihmësi në bandën e vrasësve me pagesë. Juliani ka rrëfyer se nuk e di realisht se çfarë roli mund të ketë pasur djali vlonjat. E njëjta dëshmi është dhënë edhe nga vetë i penduari N. Gj., i cili e ka përkufizuar vlonjatin si ndihmës së Sinanajt, për të cilin u kërkua ekzekutimi.

 

Prokuroria

 Dyshimet e shumta dhe dëshmia e Sinanajt kanë bërë që nga ana e organit të akuzës të kërkohet për t’u marrë në pyetje vlonjati, por është hasur vështirë për lokalizimin e tij dhe momentalisht nuk ka asnjë gjurmë. Prokuroria ka kërkuar ndihmën e bluve të Vlorës që të zbulojnë se ku ndodhet ndihmësi dhe ta shoqërojnë në Tiranë për t’u marrë në pyetje. Sipas organit të akuzës, ka dyshime që vlonjati të jetë person i përfshirë në këtë dosje, si dhe të jetë në dijeni të krimeve. Për Prokurorinë, për sa kohë ka qenë ndihmësi i Sinanajt, ai duhet të ketë pasur dijeni për krimet që kryheshin dhe e ka mbajtur të fshehtë duke shkelur ligjin dhe duke kryer një vepër penale. Pra, sipas ekspertëve, nga këto detaje kyçe ngrihet dyshimi se për ngjarjet e tjera të bujshme kemi një vrasës të dytë. Pas atentateve në trekëndëshin Vlorë-Tiranë-Durrës qëndron një grup i mirëfilltë i organizuar dhe me skemë të qartë organizimi në veprim. Bosi i madh që e përcjell tek i besuari i tij më i afërt dhe ky që e kalon tek ushtarët besnikë që bëjnë ndërmjetësin dhe njëkohësisht mbajnë nën vëzhgim lëvizjet e ekzekutorëve, kurse ekzekutorët kanë edhe ndihmësit e tyre për logjistikën. Për momentin janë zbërthyer grupet e ekzekutorëve, mbështetësi, ndërmjetësit dhe deri diku gjysmëporositësi. Por, mbeten të panjohur kreu i “Kubesë” dhe i besuari i tij. Burime nga grupi hetimor thanë se nga faktet e grumbulluara dhe dëshmitë, rezulton se grupi ka më shumë se një vrasës. Pra, ka një grup ushtarësh të rekrutuar që rriten si “killer”-a dhe paguhen mirë, por që kanë edhe njohje nga armët dhe lëndët plasëse.

 

Vetëvrasja e Mëhillajt

Prokuroria: Nuk është i sëmurë mendor, nuk ka kartelë mjekësore

 Asnjë dokument zyrtar apo shkresë që të vërtetojë se Andon Mëhillaj vuan nga çrregullime mendore. Ky është konstatimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sipas të cilës nuk disponohet asnjë provë që të pohojë pretendimin e avokatit për problemet mendore dhe gjendjen depresive të 38-vjeçarit. Burime zyrtare të organit të akuzës shprehen se deri tani nuk kanë arritur të gjejnë asnjë kartelë shëndetësore apo analizë psikiatrike, ku të thuhet se Andon Mëhillaj është me probleme të shëndetit mendor, por, sipas organit të akuzës, kjo nuk do të thotë që Mëhillaj nuk do t’i nënshtrohet një riekspertimi të dytë, si e vetmja zgjidhje për t’u dhënë fund diskutimeve të ditëve të fundit dhe përplasjes mes Prokurorisë dhe avokatit për gjendjen psikike të 38-vjeçarit, të dyshuar si sekser i bandës së vrasësve me pagesë. Ndërkohë, nga ana e avokatit mbrojtës është përgatitur dhe dorëzuar në Prokurori shkresa, ku kërkohet leje për të vizituar klientin e tij. Sipas mbrojtësit Lazër Sokoli, Andon Mëhillaj e ka shumë urgjente kurimin me ilaçe, pasi ai ka tentuar të vetëvritet, por lajmi i vetëvrasjes është mohuar nga tri institucione, të cila kanë kundërshtuar këtë ngjarje. Sipas burimeve nga policia Mëhillaj ka qenë gjithë kohës në mbikëqyrje nga oficerë të policisë, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet si dhe lidhur me faktin që akuzohet si sekser i një bande vrasësish me pagesë, çka mund ta ekspozojë nga rreziqeve dhe hakmarrjes, ndërsa Drejtoria e Burgjeve e mohon këtë episod, duke u shprehur se në asnjë moment nuk kanë pasur sinjalizime as nga Prokuroria dhe as nga policia që Mëhillaj preu damarët e dorës së djathtë.

 

 

Atentati paralajmërues

200 gr tritol makinës së biznesmenit italian, nuk ka të lënduar

Kthehet sërish terrori i atentateve me eksploziv. Kësaj here shënjestra e radhës ka qenë një automjet me targa italiane i parkuar në zonën e parkut të Liqenit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15 të mbrëmjes së djeshme, kur banorët të terrorizuar kanë njoftuar policinë pas një shpërthimi në afërsi të parkut Zoologjik. Menjëherë patrulla policie të komisariatit numër 2 kanë mbërritur në vendngjarje, duke nisur hetimet për identifikimin e pronarit të automjetit. Nga të dhënat e para mësohet se automjeti i përket një biznesmeni italian, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije nga ana e bluve. Makina ka targën italiane “GR 310749” dhe është e markës “Opel Astra”, ngjyrë jeshile. Mësohet se automjeti ka rreth një muaj që gjendet e parkuar në këtë zonë. Nga të dhënat paraprake të grupit hetimor bëhet me dije se lënda eksplozive, rreth 200 gramë C4, ishte vendosur në pjesën e shasisë së makinës. Sipas policisë kjo ngjarje është një shenjë paralajmërimi për pronarin e saj, duke qenë se automjeti ka rreth një muaj i parkuar në këtë zonë. Dyshime të para të bluve e lidhin këtë ngjarjen me ndonjë konflikt të mundshëm të biznesit që merret pronari i automjetit. Por këto të dhëna pritet që të verifikohen, ndërsa është kërkuar gjetja dhe marrja në pyetje e biznesmenit italian. Nga ana tjetër pjesë të lëndës eksplozive do të dërgohen në laboratorin shkencor, ku do t’i nënshtrohen ekspertizës. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka pasur persona të lënduar.

 

Çanta e studentit

Alarm fals për bombë tek Ambasada Amerikane, studenti e kishte harruar

Çanta me kavanoza reçeli, presh e byrek, e harruar nga një student, në krah të Ambasadës së SHBA-së alarmoi për gati 30 minuta Policinë e Tiranës. Telefonata e mbërritur në polici ngriti në këmbë të gjitha strukturat, të cilat brenda pak minutash ishin vendosur përballë Liceut Artistik, në rrugën “Jani Kukuzeli”, në krah të Ambasadës Amerikane. Alarmi u dha rreth orës 11:40 dhe në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie. Një pjesë e zonës u rrethua me shiritin e sigurisë dhe për disa minuta u bllokua lëvizja, ndërsa forca të shumta të policisë kryenin kontrollin, të pyetur brenda Ambasadës Amerikane, shërbimi i ruajtjes deklaroi se alarmi nuk ishte në territorin e tyre. Më pas, në orën 12:02, u bë verifikimi me qentë antieksplozivë, që zbuloi se në çantë nuk kishte ndonjë lëndë eksplozive, por gjithsesi kontrolli vazhdoi. Në vendin e ngjarjes shkoi edhe kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, që drejtonte operacionin. Po kështu, pjesëtarë të forcës së sigurisë së Ambasadës së SHBA-së ishin aty për të dhënë ndihmën e tyre.

 

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.