Votimi i fshehtë/ Me 72 pro dhe 1 kundër, mazhoranca shkarkon Çefën dhe Lelçajn si anëtarë të KLD-së

Gëzim Saliu

 PD: U shkel Kushtetuta, kapet drejtësia për interesat e grupeve kriminale dhe korrupsionit

 Subashi: Nishani, tallje me studentët e Magjistraturës, i çon letër vetes së vet

cefa dhe lelcaj Kuvendi miratoi dje shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Lulzim Lelçaj dhe Elvis Çefa, ku ky i fundit mbante njëkohësisht edhe detyrën e nënkryetarit të këtij institucioni. Përmes një votimit të fshehtë nga deputetët e mazhorancës në Kuvend, dy anëtarët e KLD-së u shkarkuan me 72 vota pro dhe 1 kundër. Në nisje të votimit, Kryeparlamentari Meta kërkoi ndihmën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, lidhur me formën e votimit. “Rregullorja e ka parashikuar me votim të fshehtë, praktika është me votim të hapur. Ne e votojmë sipas rregullores me votim të fshehtë”, – u shpreh kreu i Ligjeve. Por pavarësisht nga unanimiteti që kishin në deklarata deputetët e mazhorancës për të shkarkuar dy anëtarët e KLD-së, një votë kundër mes radhëve nuk mungoi në votimin e djeshëm, gjë kjo që u favorizua edhe nga fakti se votimi ishte i fshehtë.

 

Shkeljet

Kreu i komisionit hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së Çefa dhe Lelçaj, Armando Subashi, tha dje në Kuvend se ky institucion ka të drejtë të hetojë anëtarët e KLD-së dhe këtë të drejtë ia njeh Kushtetuta, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se Parlamenti po cenon pavarësinë e KLD-së. “Përderisa ka të drejtë të hetojë që nga Presidenti edhe tek gjykatësit, KLSH dhe prokurorin, nga kjo pikëpamje asnjë lloj pengese për të kontrolluar veprimtarinë edhe të anëtarëve të KLD-së”, – tha Subashi. Më tej, deputeti socialist bëri të ditur disa nga shkeljet e miratuara në raportin përfundimtar të komisionit, që lidhen me promovimin e anëtarëve të KLD-së në funksione të tjera apo gjykata më të larta. “Presidenti, tallje me studentët e Magjistraturës, i dërgon shkresë KLD-së ku thotë se i ka ardhur letra e një grupi juristësh që parashtrojnë kërkesën për t’u emëruar gjyqtarë. Kërkoj nga ju të shqyrtohet kërkesa. Imagjinoni se çfarë lloj talljeje, ku kreu i KLDs-ë i çon letër vetes së vet, ku kërkon të zgjidhet problemi i studentëve të Magjistraturës. Situata është e qartë, mjafton kjo për të kuptuar qasjen e Presidentit dhe KLD”. Po ashtu Subashi tha se ka shkelje edhe me gjykatat administrative si edhe me rastin e Gjin Gjonit.

 

PD

Ndërkaq, në një reagim nga selia blu përmes deputetit Eduard Halimi, Partia Demokratike e cilësoi si shkelje të Kushtetutës dhe kapje të drejtësisë për interesat e grupeve kriminale dhe korrupsionit shkarkimin në Parlament të dy anëtarëve të KLD-së. “Edi Rama dhe Ilir Meta po bëjnë shkarkimet e paligjshme në drejtësi dhe emërimet e militantëve të tyre me deputetë me të kaluar kriminale, që vetëm pak ditë më parë morën në mbrojtje një kriminel të kërkuar nga policia, duke e strehuar në makinën e tyre”, – theksoi Halimi. Në këtë kontekst, deputeti i PD-së pohoi se akti i djeshëm shkatërroi përfundimisht çdo shpresë për një reformë drejtësie gjithëpërfshirëse dhe konsensuale që kishte në bazë të saj luftën ndaj korrupsionit. “Partia Demokratike i bën thirrje sot gjithë faktorit ndërkombëtar të hapë sytë para asaj që po ndodh në Parlament, ku njerëzit e krimit vendosin të shkarkojnë anëtarët e KLD-së, njerëzit që qeveritë e tyre kërkojnë t’i ekstradojnë, dënojnë sot anëtarët e KLD-së dhe kërkojnë të marrin kontrollin, kërkojnë të marrin KLD-në, Shkollën e Magjistraturës dhe gjithë sistemin e drejtësisë. Këmbanat e alarmit duhet të zgjojnë gjithkënd sa më shpejt. Kush mendon se me forcën e kartonit dhe krimit në Parlament do të shkatërrojë institucionet e pavarura dhe do ta kthejë vendin në një çiflig për krimin dhe korrupsionin, i ka bërë llogaritë gabim”, – përfundoi Halimi.

 

Votimi

Miratimi i raportit përfundimtar të komisionit hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së – 73 vota pro

Shkarkimi i anëtarit të KLD-së Elvis Çefa – 72 vota pro dhe 1 kundër (Votimi i fshehtë)

Shkarkimi i anëtarit të KLD-së Lulzim Lelçaj – 72 vota pro dhe 1 kundër(Votim i fshehtë)

 

 Vjedhja e energjisë/ Rama: Administrativet, si gjykata 5-mijëlekëshe. Si do funksionojë heqja e fashës për pensionistët

Kryeministri Rama, teksa paralajmëroi dje nga seanca parlamentare nisjen e aksionit kundër ndaljes së vjedhjes së energjisë elektrike, lëshoi një mesazh të fortë për gjykatat që trajtojnë raste të tilla. Sipas kreut të qeverisë, Gjykata Administrative po kthehet në një zgjatim të korporatës fitimprurëse, që sot, theksoi Rama, është sistemi gjyqësor. “Sepse po bëhet një gjykatë 5-mijëlekëshash. Një gjykatë 5-mijëlekëshash që i trajton shkeljet si vjedhja e energjisë si të kishte përballë thjesht dhe vetëm mundësinë për të futur 5 mijë lekëshin në xhep, duke i lënë vetëm 2 mijë lekë e 3 mijë lekë të vjetra atij që policia është angazhuar për të shkuar ta ndalojë, prokuroria është angazhuar për ta nxjerrë para gjyqit dhe gjykata, thjesht dhe vetëm, i mat thellësinë e xhepit. Si mundet që për një hajdut, i cili kapet duke futur dorën në xhepin e tjetrit në autobus të ketë burg dhe për një hajdut, i cili kapet duke futur telin e paligjshëm në sistemin elektroenergjetik dhe është pjesë e vjedhjes më të madhe që bëhet në këtë vend për vit, 150 milionë euro vidhen çdo vit dhe çdonjëri që vjedh sadopak është pjesë e kësaj bande, të mund të ndjehet i lirë?! Ku, në cilin vend të botës një kompani mund të detyrohet me gjykatë që të vazhdojë të japë produkte për mallrat që prodhon, pa marrë lekë?”, – pohoi Rama. Nga ana tjetër, kryeministri deklaroi se qeveria nuk do të rrisë çmimin e energjisë, si instrument reforme. “Ne, padyshim, do ta heqim fashën si një mburojë që sot e përdorin, jo familjet në nevojë, por e përdorin hajdutët. Vetëm heqja e fashës do të sjellë një reduktim shumë të konsiderueshëm të vjedhjes së energjisë. Por ama, ne nuk do të heqim fashën duke ua lënë barrën pensionistëve, as nuk do t’ua lëmë barrën familjeve që nuk mund të paguajnë dot më shumë për energjinë, por duke e marrë ne përsipër. Jo me fjalë, por duke e paguar ne atë pjesë që vjen si detyrim nga heqja e fashës”, – deklaroi kreu i qeverisë.

 

 Kreu i AMA-s/ Mazhoranca e vendosur, zgjidhet të enjten e ardhshme: Në Kuvend 4 kandidatë

Pavarësisht nga pretendimet e opozitës se procedurat e mazhorancës janë në kundërshtim me ligjin, mazhoranca shprehet e vendosur për të zgjedhur kryetarin e Autoritetit të Mediave Audiovizive edhe pa praninë e opozitës. Nënkryetari i Komisionit të Mediave, Alfred Peza, bëri të qartë se mazhoranca do t’i shkojë deri në fund procesit të përzgjedhjes së kreut të AMA-s, me ose pa pjesëmarrjen e të djathtëve, ku nuk mungoi edhe ftesa ndaj këtyre të fundit për tu bërë pjesë e komisionit e ushtruar të drejtën e tyre të përzgjedhjes së katër kandidatëve finalë. “Kemi nisur procedurat për zgjedhjen e kreut të AMA-s. I bëjmë sërish thirrje opozitës të vijë në komision, nesër në 09: 30 për të vijuar me zgjedhjen e kreut të AMA. Do të zgjidhen 4 finalistët nga 7 kandidatë dhe në fillim të javës do i jepet opozitës kushtet që të eliminojnë 2. Ndërkohë që të 4 do të kenë dëgjesë publike. Do të kenë në dispozicion 15 minuta kohë për të treguar se çfarë do të bëjnë nëse zgjidhen dhe 15 minuta të tjerë në dispozicion të anëtarëve të komisionit për të bërë pyetje për secilin nga kandidatët. Të enjten e ardhshme edhe nëse opozita nuk vjen ne do i çojmë në seancë dhe të enjten do të jetë dhe kreu i ri i AMA-s”, – tha Peza.

 

 

Share it :