Vllaznia humb pjesët Njëra prej skuadrave më me traditë në vendin tonë po rrezikon shumë, pasi po has shumë vështirësi në merkato

Altin Vorpsi

vllazniaLojtarë që u mbaron kontrata dhe lojtarë që janë lajmëruar për të zgjatur bashkëpunimin, edhe pse ende nuk janë paguar. Tek Vllaznia ka nga të gjitha. Njëra prej skuadrave më me traditë në vendin tonë po rrezikon shumë, pasi po has shumë vështirësi në merkato. Drejtuesit e këtij klubi jo vetëm që nuk kanë nisur të shohin për lojtarë të rinj, por me shumë vështirësi po tentojnë të ruajnë lojtarët.

 

Duhen, por nuk kontaktohen

Një nga ata që duhen, por nuk janë kontaktuar ende është Amarlido Belisha. Kapiteni i kuqebluve ende nuk ka marrë një ofertë zyrtare nga klubi verior. Pavarësisht kësaj, ai nga ana e drejtuesve në këtë periudhë ka qenë i vlerësuar dhe në planet e tyre për sezonin e ri. Vetë lojtari është në pritje të një oferte nga Vllaznia, por në aspektin tjetër nuk mohon as faktin se po pret dhe po shikon me kujdes edhe ofertat që po mbërrijnë nga ekipe të tjera të Superiores. Afërsisht e njëjta histori është edhe për dy lojtarët që kanë mbajtur mbi shpinë Vllazninë. Flasim për Vujadinoviçin dhe Dragoin. Mësohet se drejtuesit e klubit u kanë paraqitur ofertën e tyre këtyre futbollistëve, por më pas kontaktet me ta nuk kanë qenë ato që pritej. Nga ana tjetër, vetë ata mbeten në pritje të marrjes së rrogave të fundit dhe vetëm më pas do të rishikojnë se çfarë do të bëjnë me ofertën kuqeblu.

 

Lamtumira

Ndriçim Shtubina dhe Kastriot Rexha janë dy nga lojtarët që, momentalisht, nga grupi i mbetur u ka përfunduar kontratat. Shtubina e ka shprehur një fakt të tillë se po pret oferta të tjera, të cilat po i shqyrton me kujdes. Kjo edhe për vetë faktin se nga sa mësohet, drejtuesit e klubit ende nuk i kanë bërë një ofertë zyrtare këtij lojtari. Megjithatë, drejtuesit akoma nuk e kanë theksuar faktin se një lojtar i tillë, për më tepër shkodran, nuk do të jetë në përbërje të skuadrës së tyre.

 

 

 

Mersin 2013

Daniel Godelli, 2 medalje ari në Lojërat Mesdhetare

Mbërrijnë dy medaljet e para për kuqezinjtë tanë, që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, në Turqi. Si zakonisht, sporti ynë elitar, prej nga vijnë edhe rezultatet maksimale, është peshëngritja. Në pedanë, në disiplinën për meshkuj, 65 kg, janë ngjitur Daniel Godelli dhe Briken Çalja. I pari ka marrë medalje të artë, ndërsa i dyti medalje të bronztë, duke e ngrohur së tepërmi atmosferën në kampin kuqezi, që deri dje kishte dështuar në garimet e tjera të këtij eventi. Daniel Godelli thyen rekordin e Lojrave Mesdhetare në stilin e shkëputjes dhe merr 2 medalje ari në peshën 69 kg. Sportisti nga Peqini ka ngritur 151 kg në stilin e shkëputjes duke thyer me vetëm 1 kg rekordin e këtyre lojërave. Në stilin e shtytjes Godelli ka ngritur 174 kg duke zënë vendin e parë e duke marrë edhe në këtë stil medaljen e arit. Gjithsesi, në këtë stil Godelli ka ngritur 6 kg më pak se disa muaj më parë ku ai u shpall kampion Evrope në aktivitetin që u zhvillua në Tiranë. Në peshën 69 kg për meshkuj ka konkurruar edhe Briken Çalja, i cili është renditur ne vendin e tretë duke sjellë në Shqipëri dy medalje bronzi.

 

Mersin 2013

Përjashtohen tetë peshëngritës turq

Televizioni shtetëror turk “TRT” njoftoi përjashtimin e tetë peshëngritësve vendas nga lojërat mesdhetare pasi dështuan në testet antidoping. Sipas televizionit, tashmë peshëngritësit rrezikojnë nga 6 muaj deri në 2 vjet pezullim në bazë të substancave të palejuara që kanë konsumuar. Ndërkohë, presidenti i federatës turke të peshëngritjes, Tamer Taspinar e pranon se 3 nga 8 sportistët e përjashtuar, kishin pritshmëri për të fituar medalje. Kjo është një goditje e madhe për Turqinë që i kishte mbështetur shpresat më të mëdha për medalje pikërisht në këtë sport. Rastet me doping janë një hap pas për Turqinë që nëpërmjet organizimit të lojërave mesdhetare shpreson të fitojë sa më shumë mbështetje në garën për organizimin e olimpiadës së vitit 2020, për të cilën Stambolli konkurron me Tokion dhe Madridin

 

SHBA

Majami derdh 100 mijë dollarë shampanjë

Majami ka festuar në mënyrë të jashtëzakonshme titullin e dytë kampion radhazi në NBA. Pjesa më e madhe e lojtarëve përfunduan pas ndeshjes në lokalin e famshëm “Story Nightclub & LIV”, ku nuk i kursyen vetes asgjë, duke shpenzuar 100 mijë dollarë vetëm në shampanjë Dom Perinjon apo pije të tjera. Një faturë e tillë është lehtësisht e përballueshme nga miliarderi Arison, pronari i Majami Hit, por ashtu si një vit më parë, askush nuk ka futur dorën në xhep për ta paguar atë, në ndryshim nga Dallas Maveriks që paguan 90 mijë dollarë për pijet e konsumuar në vitin 2011 në të njëjtin lokal.

David Grutman, pronari i lokalit, është një tifoz i çmendur i Majamit dhe bëri të qartë se kjo skuadër nuk kishte pse të paguante për sa kohë që fitonte. “Ajo faturë nuk do të përfundojë kurrë në duart e skuadrës”, – tha ai, duke treguar se skuadra e Majamit kishte konsumuar 100 shishe me shampanjë Dom Perinjon, me vlerën 8500 dollarë secila si dhe tre shishe prej tre litrash shampanjë të quajtura Zherobams, me vlerën 5 mijë dollarë secila. Ndërkohë, Mark Kuban, në këtë lokal pagoi 90 mijë dollarë për shishen e shampanjës prej 15 litrash të markës Arno Brinjak, të njohur ndryshe edhe si “Asi Maç”. Pronari i Dallas Maveriks nuk u tremb nga çmimi, aq sa la një bakshish prej 22% për kamerierin që i shërbeu ekipit të tij dy vite më parë.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :