Sonila Mesareja
Pritet që Prokuroria të depozitojë rekurs për ndryshimet e masave në Apel, mes të cilave edhe lirimin e ish-guvernatorit Ardian Fullani
Elivar Golemi i kërkon Gjykatës së Lartë lirimin nga burgu, pas vendimit te Apelit për të mos e ndryshuar atë. Pas 23 ditësh në paraburgim, ish Inspektorja e Përgjithshme e Bankës, e cila akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, ka bërë rekurs përmes avokatit të saj në shkallën më të lartë të gjyqësorit. Me anë të kërkesës së dorëzuar në kryesekretarinë e kësaj gjykate, 37-vjeçarja Golemi kërkon shfuqizimin e masës së sigurisë së “arrestit me burg”. Golemi akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”. të kryer me mosveprim që ka sjelle edhe vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Para hetuesve ajo nuk ka pranuar të japë shpjegime për akuzën, duke pretenduar pafajësi. Ish-inspektorja e Përgjithshme jo vetëm që ka pretenduar se nuk ka kryer asnjë nga pesë shkeljet e pretenduara nga organi i akuzës, por ka ngritur pretendimin se Prokuroria është duke vepruar me dy standarde. Sipas saj, organi i akuzës duhej të arrestonte edhe ish-inspektoren e Përgjithshme para saj, e cila për vitet para se të merrte ajo detyrën në vitin 2011 nuk ka bërë asnjë auditim. Së shpejti pritet që në Gjykatën e Lartë të depozitohen rekurset e Prokurorisë për ndryshimet e masave të arrestit në Apel, një prej të cilave edhe ajo e ish-guvernatorit Ardian Fullani. Prokuroria do kundërshtojë ndryshimin e masës nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për Fullanin, por edhe për disa nga inventarizuesit.
Dëshmia në Apel
“Është hera e parë që më jepet mundësia të flas. Unë kundërshtoj arrestimin, sepse çdo veprim është bërë në mungesën time. Kam dorëzuar në Prokurori të gjithë punën e bërë nga inspektori, nuk e kuptoj akuzën që unë mund të prish provat. Ku mund të ndërhyj unë tek provat? Nuk ka rregullore që filan kohë apo periodicitet për të ushtruar audit. Unë me ligj kam detyrim të raportoj çdo tre muaj para Këshillit Mbikëqyrës dhe e kam bërë këtë gjë. Shpreh kundërshtinë time për akuzat dhe arrestimin tim. Çdo gjë është bërë në mungesën time. Nga viti 2008-2010 nuk ka pasur auditim në BSH, ndërsa unë e kam marrë detyrën në vitin 2011”, – ka deklaruar ajo për togat e zeza. Para treshes gjykuese, Golemi tha se Prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje për të sqaruar pozicionin e saj. Ajo ngriti dyshime se organi i akuzës ka vepruar me dy standarde, duke mos arrestuar edhe inspektoren e Përgjithshme të liruar nga detyra në vitin 2011, e cila në asnjë rast, nuk ka bërë auditim. Më tej, duke sqaruar veprimtarinë e saj si inspektore e BSH-së, Golemi tha se anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, në korrik i ka kërkuar ta takojë, sipas saj, pa praninë e administratorit. “Nuk jam takuar asnjëherë me Këshillin Mbikëqyrës pa praninë e administratorëve. Nuk e takova Meksin, pasi raportimin e bëra në prani të administratorëve”. Por, për prokurorin Nezir Gjoka, argumentet e inspektores Golemi nuk qëndrojnë dhe ajo duhet të qëndrojë në burg. “Golemi ka vepruar në shkelje të ligjit, pasi nuk ka bërë kontrolle periodike siç thotë ligji. Veç në 2011-ën nga Golemi nuk ka pasur asnjë kontroll. Inspektorja Golemi duhet të qëndrojë në burg. Golemi nuk ka raport as tek Këshilli Mbikëqyrës i Bankës. Kjo provë del edhe nga dëshmitë e anëtarëve Dhori Kule, Ardian Civici (tashmë i dorëhequr), Ermelinda Meksi, Elisabeta Gjoni (guvernatore në detyrë) dhe Ela Golemi.
Akuzat për Golemin
Prokuroria ka renditur para gjykatës gjithë shkeljet e Elivar Golemit gjatë ushtrimit të funksionit të saj dhe këtë pritet ta bëjë edhe para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Sipas akuzës, së pari, Golemi nuk ka ushtruar auditim sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të Kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e inspektorit të Përgjithshëm. Së dyti, ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte dhe rekomandime për llogaritë e regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë. Së treti, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim financiar periodik në departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja. Së katërti, në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhe të parave”.
Trafiku i drogës/ Krimet e Rënda shtyjnë edhe 3 muaj afatet për hetimin e italianit Riformato
Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi gjykatës të shtynte edhe për një afat 3-mujor hetimin për italianin Giorgo Riformato, i akuzuar për “trafik ndërkombëtar droge, në bashkëpunim”, mbetur në tentativë. Organi i akuzës ka kërkuar kohë për të përfunduar hetimet për aviatorin italian, duke e justifikuar me mungesë dokumentacioni për të cilin janë në pritje. Sipas akuzës, shkak për këtë shtyrje është bërë dokumentacioni i plotë dhe zyrtar që autoritetet italiane duhet të sjellin në Shqipëri për Riformaton, i cili rezulton të ketë precedent penalë edhe në vendin e tij. Kërkesa e Prokurorisë u pranua nga gjykata, e cila shtyu edhe për 3 muaj afatin hetimor për këtë shtetas dhe 2 të implikuarit e tjerë. Giorgo Riformato u vu në pranga më 10 Maj të këtij viti në plazhin e Divjakës ndërsa pranë tij u gjetën 460 kg marjuanë. Para gjykatës, Riformato ka thënë se në Shqipëri ka ardhur për turizëm dhe nuk ka lidhje me Saimir Bajrami. Ai pretendoi se për shkak të turbulencave është detyruar të ulet në plazhin e Divjakës. Edhe avokati mbajti të njëjtin qëndrim, duke theksuar pafajësinë e klientit të tij. Por, këtë pretendim e kundërshtoi prokurorja duke i kujtuar gjykatës dëshminë e Bajramit dhe pamjet filmike ku të dy së bashku janë fiksuar në hotelin ku ka fjetur për dy ditë piloti italian. Të arrestuar për këtë çështje janë edhe 2 persona të tjerë, ndërsa njëri prej të akuzuarve, Sajmir Bajrami ka rrëfyer gjithë skemën e trafikut të kësaj sasie droge. Në dëshminë e dhënë në prokurori shkruhet se i arrestuari i tha të vërtetën policëve, kur këta e pyetën se kush ishte. “Jam Saimir Bajrami dhe në makinën Mitsubishi që gjendet mbi karroatrec ka drogë. Avioni që u rrëzua erdhi për të transportuar drogën”, mësohet të këtë thënë Bajrami sapo ka hasur policët.




