Viti i ri akademik/ Zyrtarizohen kuotat e pranimit në universitete, 12 mijë studentë më pak

maturante Kuotat e pranimit të studentëve në universitete për vitin e ri akademik 2014-2015 tashmë janë zyrtare. Qendra e Botimeve Zyrtare ka botuar dje, në “Fletoren zyrtare” vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit lidhur me kuotat dhe tarifat e reja për të gjitha degët e universiteteve.

Në total, janë 19.726 kuota për të gjitha universitetet dhe fakultetet publike në Tiranë dhe në rrethe, duke i reduktuar gati 12 mijë më pak se vitin e kaluar. Vitin e kaluar ishin 31 mijë kuota, sot universitetet do të pranojnë 11 268 studentë më pak.

Sa u takon tarifave janë shtrenjtuar. Për disa degë rritja është 10 mijë lekë të reja: nga 15 mijë lekë, studentët këtë vit pritet të paguajnë 25 mijë lekë, ndërsa për degët e tjera janë rritur me nga 5 mijë lekë.

 

Kuotat e pranimit
a) Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë 19,166
b) Kuota për program të dytë studimi 200
c) Kuota për transferim studimesh 300
ç) Kuota për shtetasit e huaj 60

Këtu përfshihen dhe:
d) Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 600
e) Kuotat për të verbrit 15
f) Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20
g) Kuotat për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë 15
j) Kuotat për jetimët 15

“Në kuotat e propozuara janë marrë parasysh këta faktorë: (i) kërkesat e vetë universiteteve bazuar në kapacitetet e tyre pritëse (ii) analiza e programeve me performancë të ulët nga viti akademik 2013-14 (iii) analiza e programeve me numër të ulët të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2013-2014 si edhe (iv) gjetjet paraprake të inspektimeve të kryera në IAL në kuadër të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë (VKL)”, – thuhet në njoftimin e MAS.

 

Tarifat

Tarifat e studimit që rrjedhin nga implementimi i këtij projektvendimi, do të kenë një efektet financiar prej rreth 512 milionë lekë për IAL-të, çka krahasuar me vitin e kaluar akademik, parashikon një rritje prej 75.2 milionë lekë më shumë për IAL-të të ardhura këto nga rritja e tarifës mesatare vjetore të studimit.

“Këto të ardhura do të rrisin mundësinë e IAL-ve publike, për rritjen e kapaciteteve mësimdhënëse dhe kërkimore shkencore, pajisjen me laboratorë kërkimorë, dhe për investimin e individëve në arsimin e lartë publik”, – thuhet në njoftimin e MAS.

Në këtë projektvendim, MAS thotë se ka miratuar një rritje të moderuar të tarifave, por në një nivel më të ulët se kërkesat e vetë IAL-ve për rritje të tarifave të studimit.

 

Zyrtarizohen pranimet në universitete/ PD: Kuotat e reja, Rama akt armiqësor ndaj 12 mijë të rinjve

Për opozitën, kuotat e reja të pranimit në universitetet publike përbëjnë një akt armiqësor të kreut të qeverisë ndaj 12 mijë të rinjve shqiptarë. Deputeti demokrat Helidon Bushati tha se me firmën e tij, Rama ka vendosur që 12 mijë të rinj të mos zgjedhin të ardhmen që ata duan. “Të mos zgjedhin auditorin, leksionet, dijen. Shkurtimi drastik i kuotave është arbitrar dhe shkon kundër aspiratave të rinisë shqiptare për edukim dhe kundër nevojave që ka vendi ynë. Edi Rama ka detyruar kështu 12 mijë të rinj të bëjnë zgjedhje të tjera të imponuara, duke i bërë ata vulnerabël ndaj jetës vegjetative, bareve e lokaleve apo, edhe më keq, duke i shtyrë drejt veseve si bixhozi, apo edhe drejt rrugës e potencialisht krimit”, – theksoi ai. Më tej, Bushati u shpreh se shkurtimi i kuotave të pranimit në universitete është një nga goditjet e Kryeministrit ndaj arsimit: “Dhe vjen në kohën kur prej një viti ai nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturën mësimore, nuk ka mbajtur premtimin për rritjen e fondit të ekselencës, apo për çuarjen në 5 për qind të buxhetit për arsimin. Me kuotat e reja, Edi Rama u ka ndaluar ëndrrat për të ardhmen 12 mijë të rinjve e të rejave dhe ky është një akt armiqësor ndaj këtij brezi, krejt e kundërta e propagandës boshe që Kryeministri dhe të tijtë bëjnë për rininë”.

 

Share it :