Virusi AH1N1/ Viktima e parë nga gripi i derrit, humb jetën 30-vjeçarja shtatzënë

26 të prekur nga virusi AH1N1 në Shqipëri. 16.500 raste me virozën e gripit. Ja si paraqitet situata epidemiologjike në Shqipëri dhe Evropë

 

gripi Humb jetën viktima e parë e virusit AH1NI. 30-vjeçarja ka ndërruar jetë në spitalin e Sanatoriumit, pasi ishte prekur nga gripi i derrit. Fillimisht pacientja ishte shtruar për probleme me frymëmarrjen, pasi ishte shtatzënë në javën e 13-të. Më pas mjekët konstatuan se ajo vuante edhe nga sëmundja e diabetit. Pasi ka ndërruar jetë, mjekët kanë marrë përgjigjet e analizave, ku ka rezultuar se ajo ishte e prekur nga virusi A/H1 pdm09. “Pacientja I. M., 30 vjeç, u shtrua në datën 25 shkurt në pavijonin e terapisë intensive “Shefqet Ndroqi” me diagnozë: Sindromë e Insufiçencës Respiratore Akute (ARDS), Insufiçencë Multiorganore, Anemi dhe Pneumoni Bilaterale. Ndërkohë, 30 vjeçarja ishte shtatzënë 13-javëshe dhe kishte edhe simptoma të Nefropatisë Diabetike dhe Kardiopatisë së Dilatuar. Pacientja ishte diabetike e tipit I Insulinovartëse. Meqënëse pacientja ka patur shenja të shfaqjes së sindromës së insufiçencës akute respiratore dhe dyshime të prekjes nga gripi, janë marrë mostra nazofaringeale në mëngjesin e datës 25 shkurt, të cilat janë dërguar sipas procedurës standarde në laboratorin virologjik në Institutin e Shëndetit Publik për evidentim dhe tipizim të virusit të gripit. Në shërbimin e reanimacionit të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, pacientja ka marrë trajtim intensiv përfshirë edhe ventilim mekanik. Në paraditen e datës 27 shkurt pacientja ka ndërruar jetë. Në pasditen e datës 27 shkurt nga përgjigjet rezulton se pacientja ka qenë pozitive me virusin A/H1 pdm09”, – deklaroi Ministria e Shëndetësisë.

 

16.500 raste me virozën e gripit

Ministria e Shëndetësisë u shpreh dje se në vendin tonë janë rreth 16.500 raste me virozën e gripit. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu, deklaroi se kjo virozë gripale nuk ka vend për panik. Ai bën me dije se në Shqipëri janë 26 raste me virusin AH1N1 dhe se mënyra e parandalimit është vaksinimi. “Vaksinimi duhet bërë çdo vit. Të shmangen ambientet e mbyllura dhe të izoluara. Personat sapo të kenë simptoma, të paraqiten në spital”, – deklaroi Bregu. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik sqaroi se grup-mosha më e rrezikuar nga gripi stinor është mbi 65 vjeç. Sipas Bregut, ISHP ka marrë masa për trajnime me mjekët e familjes dhe ka shpërndarë tamiflu, me këshillim nga mjeku.

 

Situata epidemiologjike e gripit në Shqipëri

Prej javës së 3-të të muajit të tetorit 2013 deri më datën 27 shkurt 2014 janë dërguar në ISHP 433 mostra nga persona të dyshuar për grip. Numri i mostrave ka ardhur në rritje në muajin Shkurt, 245 (57%) e totalit të tyre, dhe po kështu, edhe pozitiviteti i tyre. Gjithsej, 57 (13%) mostra kanë rezultuar pozitive me viruset e Gripit. 31 (54%) prej mostrave pozitive kanë rezultuar me virusin A/H3 dhe 26 (46%) mostrave pozitive me virusin A/H1 pdm09.

 

Situata epidemiologjike e gripit në Evropë

Bazuar nga të dhënat e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën dhe ECDC-së (European Center for Disease Control), panorama e përhapjes dhe intensitetit të gripit në Evropë paraqitet e përzier ose mikse. Greqia dhe Finlanda raportojnë një aktivitet të gripit me intensitet të lartë, ndërkohë që 11 vende të tjera raportojnë një aktivitet me intensitet mesatar. Nga rastet e dyshuar për grip, vetëm 37% e tyre kanë rezultuar pozitiv (Java 7-të, 2014). 98% e rasteve pozitive për grip, janë pozitiv si për virusin sezonal dhe/ose për atë pandemik. Në dy vendet fqinjë, Itali dhe Greqi, është raportuar një bashkëmbizotërim i të dy viruseve. Duke filluar që nga Tetori 2013 e deri dje në Evropë raportohen 2531 raste të hospitalizuara të konfirmuara laboratorikisht pozitiv për virusin e gripit.

 

 

Nikolla: Të zbulojmë talente të reja

Puna arsimore duhet të bazohet edhe te zbulimi i talenteve. Ka qenë kjo deklarata e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë ceremonisë së zhvilluar për prezantimin e projekteve më të mira në konkursin e pestë kombëtar të “Mësuesit novator”. “Është shumë e rëndësishme që ne të fokusohemi në nevojat reale që ka sot tregu i punësimit. Prandaj, do të kemi në fokus zbulimin e talenteve të reja, qysh në arsimin e mesëm, duke fuqizuar aftësitë e tyre nëpërmjet incentivimit dhe trajnimit të kapaciteteve të tyre intelektuale. Por për këtë neve na duhen mësues kreativë dhe cilësorë, ndaj nuk është e mjaftueshme që ne të zbulojmë dhe të trajnojmë vetëm nxënësit, por duhet të trajnojmë edhe mësuesit me instrumentet dhe mekanizmat e duhur për t’u ardhur në ndihmë potencialeve të vendit tonë”, – u shpreh Nikolla. Ministrja foli edhe për teknologjinë që po zbatohet sot në shkollë, ku sipas saj, mësuesi ka më pak aftësi se nxënësit. “Është e pamundur të mos përmendet në këtë drejtim edhe aftësimi në përdorimin e teknologjisë së arsimtarëve. Fatkeqësisht, sot kemi një cilësi mjaft të ulët njohurish teknologjike – pa frikë pranojmë se nxënësi ka aftësi shumë më të mira informatike dhe përpunuese, sesa një pjesë e madhe e jona. Po punojmë që komponentin e trajnimit të mësuesve ta bëjmë real, dhe certifikimi i tyre të mos jetë vetëm për efekte page, por konkret dhe domosdoshmëri për zhvillimin e tyre profesional dhe për suksesin e projektit tonë”, – përfundoi ministrja e Arsimit.

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.