Vettingu politik, autoriteti moral dhe PD
Nga Basir Collaku
Hy në politikë, bëj biznes, pastaj qëndro aty për ta mbrojtur, duke qenë nën kontrollin e biznesit, jo të politikëbërjes, përfaqësimit për të cilën, votuesit e subjektit kanë mundësuar mandatimin. Në qeverisjen e katërt të Edi Ramës, kur degradimi i pushtetit, inkriminimi, korrupsioni, rrethimi nga mafia e kokainës, bataku, braktisja ndërkombëtare e lufta kundër drejtësisë e kanë vënë në cep të ringut, ndaj ai ka dalë të blejë bombula oksigjeni artificial brenda dhe jashtë vendit. Pas 11 majit, ku raporti sanksionoi se partia dhe shtetit ishin një dhe zgjedhjet u ndikuan nga krimi i organizuar, zhvillimet u bënë radikale. Amerikanët kolauduan ndryshe qëndrimin, ndaj dhe Struktura e Posaçme ndryshoi ritmin. Belinda Balluku, zëvëndësja e Ramës, u mor e pandehur, AKSHI, nën komandën e një tjetër të pandehuri në kërkim Ergys Agasi, me akuzë zyrtare nga SPAK, Organizatë Kriminale e në sfond, po shkohet te kryeministri për ta marrë në hetim. Opozita është në përballje. Protestat po bëhen më shpesh. Aktorët opozitarë janë në përpjekje për të lënë mënjanë minikrizat e për tu bashkuar ndaj kryetelashit të shqiptarëve, Edi Ramës. Ndërsa Rama duke dashur të thartojë besueshmërinë opozitare dhe amnistojë rebelimin ndaj tij të një numri në rritje qytetarësh, ka ndërtuar projektin e rekrutimit opozitar, në anekse të ndryshme pushteti. Përtej episodeve nëpër rrethe, Genc Deromemaj ish-anëtar kryesie dhe ish-kryetar i PD në Vlorë, në një pranim si drejtor Kadastre në Vlorë, e më pas i larguar dhe ish-deputeti i PD në disa mandate Dasnor Sula, nga sot kryeinspektor i qeverisë së Edi Ramës. Ervin Salianji duhet të përcjellë dukshmëri nëse ka mbështetës, jo nëpër salla, por në infrastrukturë, ku mund të rrotullohen biznese, duke shfrytëzuar interesa ndryshe nga pjesëmarrësit në takime. Pushteti i madh dhe autoritar, deri në kriminal, siç e ka ndërtuar Edi Rama, ka tendenca të forta korruptimi, shtërngimi, shantazhi, blerjeje, kompromentimi. Ai sulmon imunitetin dhe integritetin.
-Vetting!
Jo si modeli shpikur i drejtësisë, sigurisht. Opozita, PD, në momentet e vështira, mbështetjen, ringritjen, focimin e ka gjetur gjithnjë te idealistët, qëndrestarët, intelektualët e patriotët, të cilët më pas janë gjendur nga rastësia e brrylave, të mënjanuar në një qoshe ku i kapte si për ironi të karakterit, sirena e alarmit politik të radhës. Bizneset, qofshin të bardha, gri apo të zeza, po qëndrojnë gjithnjë e më afër partive politike. Paguajnë fushata. Transparenca e bën normale. Përzgjedhin kandidatë. Konflikti i interesit e bën jo normale. Diktojnë nisma ligjore favorizuese. E bën korrupsion. Kur shtohen të “preferuarit” e biznesve, të të tre ngjyrave, ndërtuesit e karrierës në këtë udhë, janë gjithnjë të kontrolluar. Janë ylberistë politikë në kohë përplasjesh. PD duhet të jetë me filtër të dukshëm. Të përqendrohet tek ajo palcë kurrizi shpëtuese. Fuqia e madhe korruptuese e Ramës, nuk duhet të thërmojë moralin opozitar. Potencialet opozitare të PD, të së djathtës me inegritet të pacënuar, ka plot. Berisha, kohë më parë fliste për ndërtimin e Komisionit të së Vërtetës, duke iu referuar denoncimeve të shumta ndaj krimit qeveritar. Po. Një komision i tillë do të shërbente shumë të ishte brenda PD, për të bërë një vetting të përzgjedhjes së përfaqësimit. Idealistë profesionistë, intelektualë e patriotë, opozita, PD dhe ky vend, ka jo pak. Janë cilësi të cilat nuk e çojnë të mandatuarin e PD drejt tregut të tenderave me kundërshtarin. Nuk e çojnë të zgjedhurin e PD drejt biznesit me lejen e kundërshtarit, nuk e çojnë të mandatzgjedhurin e PD drejt xhepit të pushtetit. Nuk e çojnë te thasët e lejeve të ndërtimit, çinvestimeve strategjike, apo koncensionet. E mbajnë në anën e interesit moral të subjektit, e interesit publik të qytetarit partiak edhe jo. Ndalojnë një hemorragji keqbërëse. Janë mesazh besimi. Pakësojnë dyshimet. Nuk është aq vonë sa mos të ndodhë.




