Bozdo: E patolerueshme neglizhenca e qeverisë!
“Bllokimi i buxhetit bllokon edhe shpronësimet”
Bashkia e Tiranës ka arritur t’i japë një zgjidhje edhe për disa muaj çështjes së varrezave në Tiranë. Nëpërmjet një aksioni për prishjen e 16 bunkerëve të ndërtuar gjatë regjimit komunist, Bashkia ka arritur të lirojë dhjetëra metra katrorë. “Në mungesë të vendeve të reja, për të ofruar shërbimin në varrezën e Sharrës për qytetarët e Tiranës, kemi ndërmarrë një aksion të çrrënjosjes, prishjes të afërsisht 16 bunkerëve të vjetër të ushtrisë që janë brenda sipërfaqes së varrezave të Sharrës. Puna është në vijim. Deri tani kemi hapur një sipërfaqe afërsisht mbi 1000 metra katrorë. Puna do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe sipërfaqja e përgjithshme që do përftohet nga ky aksion, në pamundësi për t’u zgjeruar sipas planit rregullator të varrezave është afërsisht 2 mijë metra katrorë, çka do të mundësojë një funksionim, të themi normal të varrezës së Sharrës, edhe për afërsisht 2 muaj të tjerë”, – u shpreh nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, gjatë aksionit në Sharrë.
Buxheti i bllokuar
Nënkryetari i Bashkisë u ka kërkuar ndjesë qytetarëve për vështirësitë që kanë kaluar dhe ka përsëritur thirrjen për të zhbllokuar pjesën e buxhetit për shpronësimet që është bllokuar nga këshilltarët e majtë. “Nuk kemi pasur mundësi të ofrojmë shërbimin, veçse varr mbi varr, për të gjithë ata që normalisht kanë kërkuar shërbimin tonë në varrezën e Sharrës dhe të Tufinës. Ju e dini që Bashkia e Tiranës vazhdon të operojë në mungesë dhe në bllokim të buxhetit të saj dhe gjej rastin të përsëris se pa buxhet për ne është e pamundur të kemi sipërfaqe të reja dhe të ofrojmë një shërbim cilësor, me dinjitet, për familjet e qytetit të Tiranës. Ne do të shfrytëzojmë çdo hapësirë, çdo mundësi, në mënyrë që të zgjerojmë brenda kufijve ekzistues, sipërfaqen për të ofruar këtë lloj shërbimi. E them edhe një herë tjetër se jemi në kushtet ekstreme tonat, çka do të thotë që për këtë lloj shërbimi, shpresoj dhe besoj që thirrja ime edhe kësaj here, të gjejë vesh për tu dëgjuar nga ana e qeverisë. Një zhbllokim i buxhetit për Tiranën do të mundësonte një shërbim normal për qytetarët, në varrezat e Sharrës dhe Tufinës. Gjej rastin edhe një herë të kërkoj ndjesë për të gjithë vështirësitë që janë krijuar por e dini edhe ju që edhe Bashkia, në mungesë të buxhetit e ka të pamundur të operojë ndryshe, përveçse kaq”, – theksoi Bozdo.
Shpronësimet
Lidhur më çështjen e shpronësimeve procedura ka lidhje me bllokimin e buxhetit. “Bllokimi i buxhetit nuk mundëson bërjen e pagesave për pronarët, as hapjen e fondit për bërjen e pagesave për pronarët e për rrjedhojë na bllokon të zgjerohemi në sipërfaqe, sipas planeve rregulluese të dy varrezave. Ne kemi një projekt kompleks për të dy varrezat, Sharrën dhe Tufinën, 3.5 milionë euro në gjithësinë e saj, që rregullon në mënyrë shumë të përshtatshme. Përveç hapësirave të reja rregullon edhe rrugët e brendshme, varrezat murale, pra e sjell në një standard tjetër këtë lloj shërbimi por për sa kohë ne nuk kemi mundësi të paguajmë për shpronësimet apo të paguajmë edhe kompanitë që po bëjnë investimet për punën e tyre, ne gjendemi në këtë ditë që jemi dhe detyrohemi të gjejmë mënyra të tjera për të arritur aty ku duhet. Fakti është që tani jemi duke prishur bunkerët, në mënyrë që të fitojmë sipërfaqe shtesë”, – u shpreh nënkryetari i Bashkisë.
Gjuhë-Letërsia/ Matura, vetëm 3 nxënës marrin 50 pikë
Vetëm tre nxënës kanë arritur që në provimin e Gjuhë-Letërsisë të marrin 50 pikë të plota, ndërkohë që numri i atyre që janë vlerësuar me notën 10 këtë vit është 435, numër ky më i ulët krahasuar me një vit më parë. Por edhe numri i atyre që janë vlerësuar me notën katër është më i lartë se matura 2013. Zv.ministrja Nora Malaj tha se vihet re një trend në rritje i nxënësve që kanë arritur të vlerësohen me notën mesatare 7. “Me notën 4 janë, 2573 nxënës të cilët janë pakalues. Me notën 5, janë 6518 nxënës. Me notën 6 janë 8886, me notën 7 janë 12.048 nxënës”, – u shpreh Malaj. Sipas MAS janë konstatuar edhe teste të dyshuara për kopje në rrethe të ndryshme të vendit. Pavarësisht se të rinjtë nuk kanë të drejtë të ankimojnë, nëse do ata do të konstatojnë vlerësime që janë bërë gabim, Malaj u shpreh se pikët e tyre do të rishikohen.
Provimet/ Ja procedura si mund të tërheqin testin maturantët
Çdo maturant ka të drejtë të tërheqë testin e provimit, nëse ka ankesa ndaj notës që është vlerësuar. Në rregulloren e Maturës Shtetërore 2014, neni 28, pika 8 specifikohet: Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit te tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar KSHMSH-së. Afatet e kërkesës përcaktohen me udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë. Ministria e Arsimit ka publikuar një udhëzim ditën e djeshme, ku shpjegon procedurën.
– Kërkesa e maturantit për fotokopje te testeve Gjuhë shqipe e letërsi, Matematikë dorëzohet pranë shkollës ku ai ka aplikuar A1 ose A1Z, në periudhën 20 deri 25 qershor 2014.
– Kërkesa e maturantit për fotokopje te testeve të lëndëve me zgjedhje, dorëzohet pranë shkollës ku ai ka aplikuar me A1 ose A1Z, në periudhën 01 deri 05 korrik 2014.
– Drejtoritë e shkollave listën e kërkesave bashkë me faturat e pagesës, i dërgojnë në KSHMSH-të përkatëse, brenda datës 8 korrik 2014.
– KSHMSH-të pasi kanë marrë nga shkollat kërkesat për fotokopje i dërgojnë ato, me email dhe me shkresë zyrtare në AKP, brenda datës 10 korrik 2014.
– AKP dërgon në KSHMSH të çdo DAR/ZA-je, fotokopjet e testeve brenda datës 30 korrik 2014.




