Sonja Caka
Prokuroria kërkoi dënimin me 35 vite burg për vrasjen e Artur Gjizës. Konflikti mes viktimës dhe autorit, për një borxh të marrë për udhëtimin drejt Greqisë
Vrasja e fqinjit për 100 euro borxh do i kushtojë 16 vite burg të jetës së tij Besim Ndreut, i njohur ndryshe edhe me emrin Xheku Ndreu. Prokuroia kërkoi dënimin me 35 vite burg për këtë të pandehur, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese” të fqinjit, me të cilin kishin një konflikt për një shumë të vogël parash, por që nuk po zgjidhej nga i pandehuri për shkak të pamundësisë ekonomike për t’i kthyer mbrapsht. Ardhja e të pandehurit nga Greqia jo vetëm nuk e zgjidhi situatën e krijuar mes dy familjeve, Gjiza dhe Ndreu, por solli edhe një viktimë dhe një të plagosur. Gjykata përfundimisht e ka dënuar me 24 vite burg Besim Ndreun, duke aplikuar uljen e 1 të tretës së dënimit, pasi më herët në fillim të gjyqit ishte pranuar kërkesa për aplikim të gjykimit të shkurtuar. Nga 24 vite burg që u dënua i pandehuri, pas uljes së një të tretës, përfundimisht i ngelën vetëm 16 vite burg për të shlyer.
Zënka
Referuar vendimit të gjykatës, mësohet e detajuar edhe marrëdhënia mes dy fqinjëve, çfarë e prishi atë dhe pse degraduan deri në përdorim armësh të ftohta që sollën e një viktimë. Në rrethana rastësore, si edhe për shkak të fqinjësisë si banorë të Komunes Paskuqan në Tiranë, i pandehuri Xheku Ndreu është njohur me shtetasin Artur Gjiza (viktima), nga i cili ka mësuar se djali i tij, shtetasi Roxher Gjiza është i interesuar për të shkuar emigrant në shtetin grek dhe në rrethanat kur i pandehuri shkonte shpesh në atë shtet për qëllime punësimi, viktima i ka kërkuar të pandehurit ta ndihmoje atë për djalin duke e marrë me vehte në Greqi, me qëllimin për të gjetur ndonjë punë në atë shtet. Në bisedë e sipër, i pandehuri i ka thënë shtetasit Artur Gjiza se ai nuk kishte mundësi financiare të nisej për në Greqi ndërkohe që ky i fundit i ka premtuar se do t’i gjente ai të hollat që ju duhen. Në muajin Prill 2013, i pandehuri së bashku me shtetasin Roxher Gjiza nisen për Greqi pasi i ati tij ju jep atyre sipas premtimit rreth 200 euro, të cilat ata të dy i kanë ndarë bashkë. Rezulton nga hetimi se ndërsa i pandehuri ka vazhduar të qëndrojë në shtetin Grek, shtetasi Roxher Gjiza, pas mbërritjes në Greqi, nuk ka mundur të sistemohet në punë dhe për këtë arsye ai është kthyer përsëri në Shqipëri, pranë familjes së tij. Me t’u kthyer pranë familjes, shtetasi Roxher Gjiza ka njoftuar të atin Artur Gjiza, në lidhje me mosinteresimin e të pandehurit për ta sistemuar atë në punë në shtetin Grek sipas premtimit të tij dhe në të njëjtën kohë kanë biseduar me të atin, për të kërkuar pranë familjes Ndreu, ku jetonin bashkëshortja e tij shtetasja Ylle Ndreu me tre fëmijet e saj, shumen prej 100 euro, të marrë prej të pandehurit. Kështu, nga hetimi rezultoi se në mënyrë të përsëritur, familjarë të familjes Gjiza, si shtetasi Artur (viktima), ashtu edhe i biri i tij Roxher, kanë vajtur tek e shoqja e të pandehurit dhe në mënyra, madje edhe kërcënuese, kanë kërkuar prej saj shumën e dhënë prej tyre. E gjendur përballë kësaj situate, gruaja e të pandehurit Ylle Ndreu, ka telefonuar të shoqin duke i thënë se tek shtëpia e saj kishte vajtur viktima dhe kishte kërkuar lekët, madje pas disa ditësh viktima ka telefonuar dhe të pandehurin duke i dërguar atij edhe sms.
Ngjarja
Pasi i pandehuri, ka komunikuar me të shoqen duke i thënë se ai do ta sqarojë vetë këtë problem, si edhe në gjendje të shqetësuar rreth presioneve që i bëheshin familjes së tij, i pandehuri në datën 19 korrik të vitit të kaluar niset nga shteti Grek dhe vjen në Shqipëri në banesën e tij dhe bisedon me bashkëshorten për të gjitha problemet. Pikërisht, në datën e mësipërme, rreth orës 20.30, i pandehuri Xheku Ndreu ka dalë nga banesa e tij së bashku me bashkëshorten Ylle Ndreu me qëllim për të shkuar tek motra e tij, e cila banon në Paskuqan Kodër. Në kohën që ka dalë nga banesa, ai ka marrë me vehte dhe një thikë, pasi sipas tij, ai kishte frike për ndonjë konflikt të mundshëm me viktimën, i cili e kishte kërcënuar në telefon disa herë për shumën 100 Euro. Me të dalë nga banesa, në një largësi fare të afërt me të, të pandehurit së bashku me të shoqen, i ka dalë përpara shtetasi Roxher Gjiza (djali i viktimës) dhe i thotë: “Besim (Xheku Ndreu) paske ardhur?…përse nuk m’i dërgove lekët?”. I pandehuri i përgjigjet se “..ti e di mire hallin tim kam, qenë i papunë”. Pas këtij dialogu, si edhe shprehjes së shtetasit Roxher Gjiza se “ ..nëse nuk më jep lekët këtej nuk kalon gjallë..”, ai në të njëjtën kohë i telefonon të atit (viktimës), duke i thënë: “hajde se ka ardhur Besimi nga Greqia”. Pas pak minutash rezulton nga provat, se aty ka mbërritur (viktima) Artur Gjiza dhe ndërmjet tyre fillon një debat i ashpër dhe në këtë moment, i pandehuri e qëllon atë me kokë në pjesën e ballit duke bërë që shtetasi Artur Gjiza të rrëzohet për tokë, ku më pas i pandehuri Xheku Ndreu nxjerr një thikë dhe fillimisht qëllon djalin e viktimës Roxher Gjiza në pjesën e sqetullës së majtë, dhe menjëherë në konflikt e sipër, i pandehuri i afrohet viktimës, i cili ishte i shtrirë për tokë dhe e godet atë me thikë në pjesën e gjoksit duke i shkaktuar atij plagë të rëndë me pasojë vdekjen.
Debati para vrasjes
Me të dalë nga banesa, në një largësi fare të afërt me të, të pandehurit Besim Ndreu së bashku me të shoqen, i ka dalë përpara shtetasi Roxher Gjiza (djali i viktimës) dhe i thotë: “Besim (Xheku Ndreu) paske ardhur?…përse nuk m’i dërgove lekët?”. I pandehuri i përgjigjet se “..ti e di mire hallin tim kam, qenë i papunë”. Pas këtij dialogu, si edhe shprehjes së shtetasit Roxher Gjiza se “ ..nëse nuk më jep lekët këtej nuk kalon gjallë..”, ai në të njëjtën kohë i telefonon të atit (viktimës), duke i thënë: “Hajde se ka ardhur Besimi nga Greqia”.




