Vendimi/ Vrau babain, Mirjan Çota dënohet 30 vjet burg

Sonila Mesareja

mirjan cotaGjykimi i shkurtuar e shpëton nga dënimi me burgim përjetë

 Zënka para krimit, për shkak të ndezjes së një petrogazi

 Vrasja e babait në gjendje të dehur do t’i kushtojë 20 vite të jetës së tij Mirjan Çotës nga një fshat i Librazhdit. Prokuroria kërkoi dënimin përjetë të të pandehurit, por që për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar duhej të dënohej vetëm me 35 vite burg. Gjykata dje e ka dënuar me 30 vite burg të pandehurin dhe për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë vetëm 20 vjet. Nga hetimi ka rezultuar se 35-vjeçari vrau, në janar të këtij viti, në banesën e tij në fshatin Togëz të Librazhdit babain, Ferit Çota. Sipas akuzës, 35-vjeçari ka vrarë babain e tij për motive banale, pas një grindjeje, duke e goditur disa herë me thikë në afërsi të zemrës. Ndonëse babai u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal, ai ndërroi jetë gjatë rrugës si pasojë e plagëve të marra. Djali vrasës u arrestua pak minuta pas kryerjes së krimit.

 

Akuza

Sipas akuzës, ngjarja ka ndodhur më 12 janar 2014, rreth orëve të mesditës, kur i pandehuri dhe i ati Ferit Çota kanë qenë në banesë. Pas goditjes me thikë, mjet ky i cili ka qenë në shtëpinë e të pandehurit, Ferit Çota ka gjetur vdekjen për shkak të plagës së marrë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë nga ku është arritur të bëhet identifikimi dhe arrestimi i autorit të ngjarjes. Në deklarimet e dhëna, i pandehuri Mirjan Çota ka shpjeguar se ka qenë në dhomën e tij në momentin që ka hyrë i ati, Ferit Çota, i cili i ka thënë të birit: “Më dogje shtëpinë”. Duke marrë shkas nga kjo, Çota ka deklaruar se e ka goditur të atin me një thikë. Megjithatë, sipas të pandehurit, kjo nuk ishte hera e parë që kishte grindje me të atin, pasi konfliktet familjare nuk kanë munguar edhe në të shkuarën. Veç të pandehurit, sipas Prokurorisë, është realizuar marrja në pyetje e shtetases Sh. Çota, komshi e familjes ku ndodhi krimi, e cila deklaron se ditën e ngjarjes ka dëgjuar ulërima në banesën e Ferit Çotës dhe ka shkuar atje për të parë se çfarë po ndodhte. Pasi ka shkuar në drejtim të kësaj shtëpie, ajo tregon se ka parë në oborrin e banesës Ferit Çotën, i cili i ka thënë që e kishte goditur djali i tij me thikë dhe ka kërkuar ndihmë. “Nga deklarimet e kësaj gruaje rezulton një element që ka ndihmuar në identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur”, – ka deklaruar Prokuroria për Krimet e Rënda. Kjo grua ka treguar se kanë qenë edhe persona të tjerë të pranishëm, të cilët kanë ardhur menjëherë, pasi dhe ata kanë dëgjuar ulërima dhe konkretisht shtetasit D. Çota dhe H. Çota, të cilët janë marrë në pyetje dhe kanë dhënë deklarimet e tyre në raport me ngjarjen, duke konfirmuar dhe provuar si faktin kriminal ashtu dhe autorësinë e këtij fakti kriminal.

 

Mat/ Abuzimi me detyrën, dënohen 7 vjet burg 4 zyrtarë të Komunës Gurrë 

Gjykata e Matit ka dënuar dje me 7 vjet burg katër zyrtarë të komunës Gurrë të Matit. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupa gjyqësore dënoi me 2 vjet burg kryetarin e Komunës Gurrë e Matit dhe me nga 2 vjet burg edhe ish-nëndrejtorin e spitalit të Burrelit dhe ish-shefin e Financës në Drejtorinë e Shëndetësisë Mat, si dhe me 1 vit burg ish-shefin e Financës së komunës lis të Matit. Sipas burimeve nga Gjykata, kreu i Komunës Gurrë në Mat, Mustafa Celami, është gjetur fajtor për akuzën “Shpërdorim detyre”. Bashkë me të, Gjykata ka dënuar po me dy vjet burg Behar Metrën, ish-nëndrejtor i spitalit të Burrelit dhe Etion Manin, ish-shef Finance në Drejtorinë e Shëndetësisë Mat, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, si edhe me 1 vit burg shtetasin Dritan Farrici, ish-shefi i Financës në Komunën Lis të Matit akuzuar për “Falsifikim dokumentesh”. Ndërkohë, për katër persona të tjerë të përfshirë në këtë proces, dy kryetarë komune dhe dy shefa finance, Gjykata shtyu seancën gjyqësore, për t’i dhënë kohë palës mbrojtëse të paraqesë konkluzionet e saj. Edhe për këta katër shtetas, Prokuroria e Matit ka kërkuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre për të njëjtat akuza. Nga praktikat e prokurimit ne fjale rezulton se fitues është shpallur subjekti fizik me emrin tregtar Yllka Selita, administratore e së cilës është po Yllka Selita, banore e qytetit Burrel. Gjatë gjykimit të kësaj çështjeje penale, sipas Gjykatës, ka dalë e provuar se në të gjitha rastet e prokuruara ku fitues është shpallur subjekti Yllka Selita, procedurat që janë ndjekur në këto raste kanë qenë fiktive. Kjo për faktin se qëllimi në këto raste ka qenë kriminal, konkretisht për të përvetësuar fondet në fjalë, pasi subjekti Yllka Selita, nuk ka marrë pjesë në këto prokurime dhe nuk ka kryer punë apo ofruar ndonjë shërbim. Në çdo rast, shumat e prokuruara, pasi kalonin nga dega e Thesarit Mat, xhiroheshin në llogarinë bankare të subjektit Yllka Selita. Pas këtij momenti, gjithë shumat e prokuruara tërhiqeshin nga i pandehuri Dritan Farrici. Ky i fundit, pasi mbante 10% të shumës së prokuruar, sipas marrëveshjes që ishte bërë më parë, pjesën tjetër të shumës ia jepte shtetasit Sulejman Ballazhi. Në të gjitha rastet, shtetasi Sulejman Ballazhi ka tërhequr nga i pandehuri Dritan Farrici 90% të shumave të parave të prokuruara dhe këto shuma të lekëve ja ka dorëzuar dorazi të pandehurit Mustafa Celami.

 

 

Share it :