Organi i Prokurorisë e cilësoi të paligjshëm arrestimin e biznesmenit Hajredin Fratari dy ditë më parë nga policia me akuzën e “ndërtimit të paligjshëm”
Prokuroria e Tiranës urdhëroi paraditen e djeshme lirimin e menjëhershëm të biznesmenit Hajredin Fratari nga dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë. 72- vjeçari Fratari u arrestua mesditën e së premtes me akuzën e ndërtimit të paligjshëm .Ndërkohë që prokurorisë iu desh dy ditë të përcaktonte se veprimi i policies së shtetit kundrejt biznesmenit ishte i padrejtë dhe për pasojë i paligjshëm. Prokurori Adriatik Cami me urdhër të menjëhershëm lajmëroi autoritetet e policisë së kryeqytetit të linin të lirë biznesmenin duke mos i dhënë shkak as për dërgimin e tij para Gjykatës. Sipas prokurorit, policia ka vepruar në tejkalim të kompetencave, duke mos respektuar të drejtën e personit mbi të cilin ishte duke ushtruar presion. Në këtë mënyrë organi i akuzës 48 orë pas arrestimit, e la të lirë biznesmenin pa e ngarkuar në të njëjtën kohë me asnjë vepër penale. Lirimi i tij erdhi pa vendimi gjykate, ndërsa akuza nga ana e saj për të arritur në vendimin final të lirimit, bëri të gjitha verifikimet përkatëse që kanë të bëjnë me paraqitjen e dokumenteve nga ana e familjarëve dhe avokatit mbrojtës.
Ankimi
Arrestimi i biznesmenit Fratari mesditën e së premtes në ambientet e pallatit të cilin ai e kishte në ndërtim e sipër në Selitë të Vogël, u shoqërua me kundërshtinë e familjarëve dhe avokatit të tij mbrojtës. Policia pretendonte se biznesmeni vazhdonte të ndërtonte në një kohë që leja e ndërtimit kishte përfunduar që prej datës 14 tetor dhe se ai ishte vënë në dijeni për këtë qëllim nga drejtuesit e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Por, të kundërtën pretenduan familjarët sipas të cilëve, pallati në ndërtim ishte me leje dhe se ata prisnin rinovimin e saj pasi kishin futur dokumentacionin prej disa ditësh. Familjarët e quajtën arrestimin e njeriut të tyre, hakmarrje personale të kryeministrit. Ata deklaruan menjëherë pas arrestimit së mes Hajredin Fratarit dhe kryeministri,t në vitin 2007 ka pasur një përplasje, e cila konsistonte në faktin e pretenduar të biznesmenit se atë kohë kryeministri i kishte kërkuar 1 milion dollarë për marrjen e një leje ndërtimi.
Reagimi i politikës
Kaq është dashur që opozita të reagonte menjëherë për veprimin e Policisë së shtetit, e cila sipas tyre veproi me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Opozita e vizitoi biznesmenin HajredinFratari pas arrestimit në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Sipas përfaqësuesve të opozitës biznesmenët po arrestohen dhe gjobiten nga Qeveria vetëm për arsye personale të Kryeministrit. Ditët e fundit policia e shtetit ka marrë të gjitha kompetencat për të ndërhyrë në prishjen e ndërtimeve me apo pa leje në të gjithë territorin e vendit. Operacionet e policisë për të pastruar hapësirat e zëna nga ndërtimet e paligjshme janë kthyer në një makth për qytetarët, të cilët përveç humbjes së banesave të tyre po përballen edhe me drejtësinë. Policia e Shtetit ka referuar në prokurori të paktën 200 persona me akuzën e ndërtimit të paligjshëm. Ndërkohë vetëm në gjashtë raste është proceduar me masën e arrestit me burg. Pjesa tjetër është trajtuar nga ana administrative dhe një pjesë e vogël ka përfunduar në gjykatë ku pas shqyrtimit të dosjeve janë dhënë dënime me gjobë deri në 6 muaj burg, e konvertuar kjo me kusht për 18 muaj deri në dy vite.
Aksidenti/ Skrapar, punonte për të nxjerrë pllaka guri, humb jetën 54 vjeçari
Një 54-vjeçar nga Skrapari ka gjetur aksidentalisht vdekjen, teksa punonte për të nxjerrë pllaka guri. Ngjarja e rëndë është regjistruar dje në Novaj të Skraparit, ku shtetasi Besnik Saliasi, 54-vjeç punonte për të nxjerrë pllaka guri. Sipas policisë së mbërritur në vendngjarje u sqarua se vdekja e 54-vjeçarit ka qënë aksidentale, pasi është zënë poshtë nga një masiv gurësh. Personat të cilët ndodheshin pranë tij në momentin e aksidentit kanë sqaruar për policinë se janë munduar ta ndihmojnë shokun e tyre, por e kanë pasur të pamundur për shkak të masivit të madh të gurëve që ndodheshin mbi të dhe mungesës së mjeteve për të ndërhyrë. Autoritetet e policisë së Skraparit bëjnë me dije se për këtë ngjarje kanë vënë në pranga administratorin e firmës ku punonte 54- vjeçari. Aksidenti i djeshëm është i dyti në harkun kohor të dy javëve që ndodh për të njëjtat shkaqe në zonën e Skraparit. Dy persona humbën jetën në të njëjtën zonë teksa ishin duke nxjerrë pllaka guri.
Fier/ Prisnin pyje pa leje, inspektoriati gjobit dy persona
Inspektoriati i Mjedisit në qytetin e Fierit ka ndaluar dy shtetas për veprimtari të kundraligjshme. Mësohet se shtetasit Arben Fejzo dhe Edmond Bregaj akuzohen për prerje pyjesh pa leje si dhe për përvetësim e transportim të paligjshëm të pyjeve. Inspektoriati i ka gjobitur këta të fundit me 50 mijë lekë gjobë. Burime të policisë së këtij qytetit bëjnë me dije se prej muajsh kanë marrë urdhër për të ndaluar dhe ndëshkuar çdo person i cili kapet duke prerë pyjet në mënyrë të paligjshme. Pak muaj më parë Qeveria mori masa drastike për të gjithë ata persona që do të kapen duke shfrytëzuar padrejtësisht pyjet. Masat e Qeverisë u shoqëruan edhe me ndryshimin e Kodit penal dhe Kodit të Proçedurës Penale.




