Vendimi politik/ Rama: UEFA e padrejtë, minus vetes para racizmit. Shqipëria s’barazohej me Serbinë

Gëzim Saliu

 Fitorja e natës magjike të 14 tetorit në Beograd më e madhe se 3-pikëshi. Askush s’duhet ta marrë vendimin si një komplot apo mungesë respekti të Evropës kundër Shqipërisë

 rama konferenceKryeministri i vendit Edi Rama e cilëson si një vendim të padrejtë atë të marrë dje nga UEFA për ndeshjen e pezulluar mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, duke theksuar se nuk mund të vihej shenjë barazimi mes dy ekipeve. Pas një statusi të parë në rrjetin social “FB”, ku komentet kundërshtuese ishin të mëdha, kreu i qeverisë vendosi ta komentonte vendimin e UEFA-së përmes një konference nga Kryeministria, ku deklaroi se nuk mund të barazohet pala pritëse, që ka të gjithë përgjegjësinë për organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes dhe pala mike, e cila në këtë rast nuk çoi as tifozë në fushën e huaj. “Sot UEFA mori një vendim që nuk bën drejtësi për çka ndodhi në stadiumin e Beogradit. UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen. Duke dënuar Serbinë me vetëm dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, UEFA nuk e ka prishur shenjën e barazimit në vendimin e saj, po vetëm i ka vendosur vetvetes një minus të madh përballë racizmit dhe dhunës, që dalin thuajse krejt pa lagur nga ky shi masash, ku UEFA është përpjekur t’i lagë të gjithë njësoj”, – tha Rama.

 

Reagimi

Sipas kreut të qeverisë, vendimi i djeshëm nuk dha drejtësi, pasi Shqipëria nuk e meritonte të vendosej në anën tjetër të shenjës së barazimit, pas gjithë asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit. “Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë që do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke apeluar vendimin dhe, po të jetë nevoja, duke shkuar edhe në shkallën e tretë të gjykimit. Unë kam besim se çështja mund e do të gjykohet më drejt në shkallët e tjera”, – tha Rama. Ndërkaq, Kryeministri nuk ngurroi të theksonte se vendimi i UEFA-s nuk duhet marrë si një komplot apo mungese respekti e Evropës kundër Shqipërisë. “Disave që hidhen përpjetë duke forcuar tonet nacionaliste dhe duke arritur ta lidhin vendimin e UEFA-s deri me mosanulimin e vizitës sime në Serbi, u shpreh keqardhjen time më të sinqertë për zjarrin që u ka rënë në kokë. UEFA ka dhënë pa dyshim një vendim politik, por kjo s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë, as me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian; është thjesht budallallëk t’i mendosh këto. Kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete” siç i thonë fjalës”, – u shpreh Rama, duke theksuar se politika e brendshme e UEFA-s nuk ridimensionohet me sulme verbale të qeverive dhe vendimet që burojnë nga kjo politikë, nuk ndikohen as ndryshohen duke i hapur luftë politike UEFA-s. “Provat janë kokëfortësisht në favorin e palës sonë. Avokatët e huaj që asistojnë Federatën tonë janë ndër më të njohurit dhe respektuarit në planetin e UEFA-s. Eksperienca tregon se gjykatat e UEFA-s nuk janë si gjykatat e Shqipërisë dhe nuk pyesin fare për linjën e brendshme politike që dikton shpeshherë vendimmarrjen e Komisionit të Disiplinës brenda UEFA-s”, – u shpreh Kryeministri Rama. Në mbyllje të reagimit të tij, Rama theksoi se ajo çfarë treguan futbollistët e kombëtares në Beograd është një fitore shumë më e madhe se trepikëshi i ndeshjes. “Ata nuk duhet ta harrojnë se në Beograd shkuan si futbollistë dhe u kthyen si mishërim i entuziazmit tonë kombëtar; i fuqisë së besimit tonë tek vetvetja; i asaj çfarë mund të bëjmë si komb e si vend, nëse vendosim zemrën dhe solidaritetin në themelin e punës sonë. Kjo është fitorja më e madhe e tyre nën fanellën kuqezi dhe misioni i tyre nuk është të fitojnë Kampionatin Evropian të Futbollit, por të mbeten mishërimi i gjithçkaje ishin në natën magjike të 14 tetorit. Fitorja e asaj nate ka qenë shumë më e madhe sesa edhe sikur të kishte qenë një fitore e thjeshtë 3-pikëshe”, – deklaroi kreu i qeverisë.

 

 Premtimi i Kryeministrit/ “Me Serbinë në Shkodër, më 15 tetor të 2015-ës të bëhen gati 20 mijë zemra kuqezi”

Ndërkaq, në konferencën për mediat, kreu i qeverisë, Edi Rama, bëri të ditur se stadiumi i ri i Shkodrës do të jetë gati më datën 15 tetor 2015, datë e cila përkon me përurimin e stadiumit “Elbasan Arena”. “Sot (dje) kam marrë vendimin për t’i vënë një datë çeljes së dyerve të stadiumit të ri olimpik të Shkodrës, me të gjithë parametrat e UEFA-s natyrisht: 15 tetor 2015. Në ndeshjen e kthimit Shqipëri – Serbi, duhet të ketë vend për të paktën njëzet mijë zemra kuqezi”, – tha Rama, duke shtuar se beteja për drejtësinë mbi ndeshjen e Beogradit vazhdon. “Misioni i kombëtares vazhdon. Mbështetja ime dhe e kësaj qeverie për kombëtaren në veçanti e sportin në përgjithësi sapo ka filluar. Në rrugën që vazhdon, do të kemi më shumë se një herë arsye për të qenë të gjithë së bashku krenarë për Shqipërinë e për njëri-tjetrin”, – deklaroi Kryeministri.

 

 Reagimet e politikës/ Nishani: Vendimi, as i drejtë, as i ekuilibruar, vesh i shurdhër ndaj racizmit e dhunës

Fill pas vendimit të dhënë nga UEFA, sipas të cilit Shqipëria ka humbur në tavolinë 3 pikët e ndeshjes me Serbinë, ka reaguar politika shqiptare, duke dënuar kështu këtë veprim. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tha dje se vendimi i dhënë nuk ishte as i drejtë, as i ekuilibruar dhe as një shembull i mirë. “Sporti i bashkon popujt, por po njëlloj edhe drejtësia, e cila kur s’është e tillë më shumë dëmton sesa bashkon. Dënimi ndaj racizmit ka qenë një fitore e madhe e vlerave perëndimore, e cila është arritur me shumë sakrifica. Të bësh në 2014 veshin e shurdhër ndaj akuzave për racizëm dhe dhunës së ushtruar nga motive raciste është një qëndrim që bie ndesh jo vetëm me vlerat që përcjell sporti, si solidariteti dhe olimpizmi, por edhe me vlerat e Bashkimit Evropian, ku shqiptarët kudo në rajon aspirojnë të integrohen”, – tha kreu i shtetit, duke ftuar të gjithë të shtojnë përpjekjet që zëri që kërkon dënimin e racizmit të dëgjohet e fajtorët të marrin dënimin që meritojnë. “Kjo drejtësi do t’i shërbente më mirë se çdo gjë fqinjësisë së mirë në rajon”, – përfundoi Nishani. Ndërkaq, deputeti i PS-së, Erjon Braçe, e cilësoi vendimin e UEFA-s të neveritshëm. Sipas tij, ky rast tregon huliganizmin në futboll. “E neveritshme!! E korruptuar dhe politike deri ne zyrtarin e fundit e deri ne germen e fundit! Sic e dinim dhe e prisnim; UEFA e Mishel Platini vendosi qe ne te humbim ate qe s’e humbem kurre, ndeshjen e futbollit ne Beograd. Vendoset nje standard i pashembullt per here te pare ne futboll: Ti duhet te luash nje loje, edhe pse te sulmojne, edhe pse te fyejne, edhe pse duan te te therin, edhe pse te qellojne me fishekzjare, shashka, gure, shishe, edhe pse ata qe ne kor kendojne “t’i therrim” hyjne ne fushe, edhe pse ata te qellojne, te rrahin e te shkaktojne demtime fizike, edhe pse policia dhe rojet e sigurise te qellojne dhe ata!!”, – citohet në deklaratën e Braçes. Ndërsa deputetja e PD-së, Mesila Doda, e ka krahasuar vendimin e UEFA-s të ngjashëm me atë të gjykatave shqiptare. “S’di pse m’u duk si vendimet e zakonshme te gjykatave shqiptare… pas kësaj mos u ankoni më për drejtësinë, gjithandej njësoj është…”, – theksoi Doda. Nga ana e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, tha: “Drejtësia nuk është kompromis në kurriz të dikujt”.

Share it :